E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Maremagnum", Spanja në foto


Në 78 fotot e kësaj ekspozite, Jordi Socías shkëput imazhe nga e përditshmja, momente kyçe nga e kaluara e shoqërisë spanjolle dhe portrete të atyre që e kanë bërë kulturën spanjolle dhe evropiane.


Me këtë ekspozitë nis Vjeshta Kulturore Spanjolle "Shqipëria '09" nesër në orën 19.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku do të qëndrojë deri në 15 nëntor.


Socías, fotograf dhe dizenjator sjell imazhe bardhezi dhe me ngjyra nga qytete të botës si Pekini, Londra, Amsterdami, Barcelona dhe portrete të personaliteteve të kulturës hispanike dhe evropiane të 4 dekadave të fundit si: Dalí, Jorge Luis Borges, Leonardo Sciascia, Graham Green, Paul Bocusse, Vittorio Gassman, Alberto Moravia, Bernardo Bertolucci etj.


Jordi Socías i ka botimet e para në revista si "Cambio 16", "La Calle" dhe "Nuevo Por favor". Në vitin 1979 ai themelon agjencinë "Cover" dhe i jep një koncept të ri kulturës së imazhit të gazetarisë spanjolle. Ai ka bashkëpunuar në projekte ekspozitash dhe ka qenë në jurinë e konkurseve botërore të fotografisë si World Press Photo, Fotopress, Caminos de Hierro, PhotoEspañ.


Ekspozita "Maremagnum" në Tiranë organizohet nga Shoqëria Shtetërore për veprimtarinë Kulturore të Jashtme të Spanjës "Seacex", Galeria Kombëtare dhe Ambasada e Spanjës.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›