E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, 50% e tarifës paguhet me letra me vlerë

Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim ndryshimet e propozuara nga Këshilli i Ministrave në lidhje me mënyrën e pagesës së tarifës së legalizimit.


TIRANË - Pronarët e objekteve që janë në proces legalizimi, ose që e kanë përfunduar atë, 50 për qind të tarifës do të mund ta paguajnë me letra me vlerë. Komisioni i Ligjeve miratoi dje ndryshimet e propozuara nga Këshilli i Ministrave në lidhje me mënyrën e pagesës së tarifës së legalizimit.


Një pjesë e mirë e atyre subjekteve, që kanë ndërtuar pa leje, do të gëzojnë të drejtën, që deri në 50 për qind të tarifës të mos ta shlyejnë me para, por me letra me vlerë.


Sipas specialistëve të ALUIZNI-it, të pranishëm në Komision, ky projektligj ka edhe efekt prapaveprues, që do të thotë se personat që nuk kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve të tyre përpara hyrjes në fuqi të këtij projektligji, mund të përfitojnë nga e drejta me pagesë bono privatizimi dhe e drejta e përfitimit është 3 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.


"Projektligji ka parashikuar edhe efektet prapavepruese për persona, të cilët kanë kryer këto pagesa për legalizimin e ndërtimeve përpara hyrjes në fuqi të tij, në mënyrë që të përfitojnë nga e drejta me pagesë me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lek, në këmbim të dorëzimit të bonove, projektligji ka parashikuar që personat e interesuar duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-it.


Afati i përfitimit nga kjo e drejtë është 3 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji", - thuhet në nenin 8 të këtij projektligji. Krahas kësaj, përfaqësuesit e ALUIZN-it, kanë propozuar një legalizim të kushtëzuar, duke iu referuar faktit se rreth 70% e objekteve tashmë janë legalizuar, por ende nuk është kryer pagesa.


Sipas tyre, personat që nuk kanë bërë ende pagesën, nuk do të mund të kryejnë asnjë veprim me pronën, si akte shitjeje, dhënie me qira etj., deri në shlyerjen e plotë të saj.


Lidhur me këtë propozim të përfaqësuesve të ALUIZN-it, deputetët e pranishëm në Komisionin e Ligjeve kanë shtruar kërkesën për t'u njohur me mendimin e Ministrisë së Financave.


Pikërisht për këtë arsye, në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, pritet që të merret edhe një vendim, nëse do të pranohet propozimi i ri i ALUIZN-it ose jo. Në rast se projektligji në fjalë do të marrë edhe miratimin e Kuvendit, atëherë fondi që do të grumbullohet nga zbatimin i tij, do të shkojë për kompensimin e ish-pronarëve.

Neni 1

Neni 17/1
Mënyra e pagesës së parcelës ndërtimore të ndërtimit pa leje
1. Pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore të ndërtimit pa leje, në proces legalizimi, bëhet:
a) në lekë, në vlerë të plotë monetare;
b) me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20, 21 të këtij ligji
2. Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit
3. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë

Neni 8
1. Personat, të cilët i kanë kryer pagesat për parcelat ndërtimore të ndërtimit pa leje, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj

2. Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë, me shkrim, pranë ALUIZNI-it, brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›