E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Subashi: KQZ disponon kuti të papërdorura

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, deklaroi dje se ne magazina ka kuti të papërdorura, ndaj fletët e votimit nuk duhen asgjësuar


TIRANË - Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, ka mohuar mundësinë për "djegien" e fletëve dhe kundërfletëve të votimit nga KQZ-ja me pretekstin se kutitë e votimit duhen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 15 nëntor.


Sipas saj, ende nuk është marrë një vendim lidhur me këtë çështje, pasi KQZ-ja disponon kuti votimi të mjaftueshme për ditën e votimit, që është dekretuar tashmë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.


"Në magazina ka kuti votimi të papërdorura dhe të mjaftueshme për këto zgjedhje të parakohshme, kështu që nuk është e nevojshme djegia e fletëve të votimit për pesë zonat zgjedhore, përkatësisht në njësinë 10 në kryeqytet, në Otllak në Berat, në Bashkinë Klos në Dibër, në Fierzë dhe në Fushë-Arrëz",- sqaroi Subashi.


Qëndrimi i Subashit hedh poshtë atë që jozyrtarisht është thënë nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, për djegien e fletëve të votimit deri më 15 nëntor, me qëllim lirimin e kutive të votimit.


Në pikën 6 të nenit 178 thuhet se, "me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e caktuar prej tij.


Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së". Ndërsa në pikën 1 të nenit në fjalë është sanksionuar se "asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor, nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së".


Në Kodet zgjedhore të mëparshme ishte e përcaktuar se "fletët e votimit digjeshin pas një viti ose pas tre muajsh", ndërsa tani kjo çështje është lënë në dorë të lirë nga ana e vetë KQZ-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›