E Shtunë, 31 Tetor 2026

Margaritarët e Editës

Përveç angazhimit në dialog, Edita Tahiri “argëtoi” opinionin gjatë tërë vitit edhe me biografinë e saj. Për vetveten, nuk kurseu fjalët “lidere e shquar” e “reformatore”. Por nuk munguan as epitetet e tjera. Tha se është negociatore e ashpër, e vendosur dhe e prerë.

Gjithçka pritej të ndodhte diku në muajin mars, kur po niste edhe një episod i ri i ballafaqimit Kosovë-Serbi.

Por “show” kësaj here nisi pak më herët, më saktësisht diku gjatë muajit shkurt, kur Kryeministri i Kosovës emëroi Edita Tahirin në krye të delegacionit.

Opinioni tashmë ishte mësuar me deklaratat e kësaj zyrtareje, sidomos sa kishte qëndruar në krye të Ministrisë së Administratës Publike, ku nuk linte rast pa folur për filozofinë “uilsoniane”.

Politika e brendshme dukej se nuk ishte fahu i Edita Tahirit. Kjo grua veterane në politikën kosovare, po pretendonte një rol më të madh.

Edhe pse dialogu me Serbinë ishte dizajnuar si një proces teknik, për të cilën fjalën e fundit do ta thoshin shefat në Bruksel, Prishtinë dhe Beograd, Edita Tahiri konsideronte se koha tashmë ishte për diplomaci të madhe.

“Kohë e diplomacisë me një njeri kompetent më në fund”, mund të shtonte Tahiri.

Pikërisht në momentet kur ishin shtuar zërat dyshues rreth dialogut, Edita Tahiri i hapi “letrat”.

E në këto letra shpaloset edhe një biografi të saj, që për të shuar kureshtjen, mund ta gjeni në webfaqen e Kryeministrisë.

Sikurse edhe versionin në anglisht në Wikipedia, me të cilën duket se Zëvendëskryeministrja Tahiri ose dikush që e ka postuar në emër të saj ka targetuar audiencën ndërkombëtare.

Por pavarësisht shkollimeve të shumta në botën perëndimore, biografia e kësaj zyrtareje “shfaqet” në stil komunist.

Zëvendëskryeministrja Tahiri duket se nuk kënaqet me pak.

“Edita Tahiri ka një karrierë të shquar politike si lidere, politikane, diplomate dhe negociatore me reputacion ndërkombëtar”, thuhet në biografi.

Vetëm pak ka munguar që kjo biografi të duket edhe në këtë variant.

“Edita Tahiri ka një karrierë të shquar politike si lidere e dashur, politikane, diplomate dhe negociatore me reputacion ndërkombëtar”.

Pra, theksi është te fjalët me “bold” dhe referenca duhet të jetë e qartë, sidomos këto ditë.

Por, këto fjali nuk janë margaritarët e vetëm të negociatores.

Dimensionin ndërkombëtar i rolit të saj është ai ajo e përforcon me fjalitë në vazhdim.

“Ajo ishte një nga protagonistët kryesorë të ndryshimeve politike në Kosovë dhe rajonin e Europës Juglindore, që nga përfundimi i luftës së ftohtë”.

Dhe vazhdon ...

“... Lidershipi i njohur i Edita Tahirit është dëshmuar përmes përgjegjësive të larta politike e shtetërore që mbajti në kohë të rënda të okupimit të Kosovës”.

E për të përforcuar reputacionin e saj, Edita Tahiri përmend edhe një fakt. Ajo pohon se gjatë viteve ’90, ka kryer edhe funksionin e Ministres së Jashtme.

Zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës në ekzil kanë mohuar se ka pasur ndonjëherë ndonjë letër që e ka emëruar Tahirin në këtë detyrë.

“Nuk ka asnjë dokument, më shumë këto janë teke të Editës”, ka thënë një zyrtar i Qeverisë në ekzil, pa dashur t’i përmendet emri.

Lëvdatat e Tahirit për veten në biografi nuk kanë të ndalur. Negociatore e shquar, reformatore...

Por duke ditur se angazhimi në dialog, kërkon shpesh edhe “ulje të nivelit”, Tahiri ka tejkaluar kornizat.

Tashmë janë proverbiale deklarimet e saj për perspektivën europiane të Kosovës, ligjëratat në media dhe fjalët e mëdha për vijat e kuqe të palës kosovare, të cilat në fakt janë përcaktuar nga tjetërkush.

Por kur kritikat ndaj saj shtoheshin në opinion, Tahiri tentonte të shfaqej më bindëse.

E, për fjalët që ajo thotë për vetveten, nuk duhet shumë koment.

“Njihem si një negociatore shumë e vendosur , shumë e prerë dhe e ashpër”.

Por edhe këtu duket se Zëvendëskryeministrja Tahiri është shfaqur paksa më modeste.

Ky citat, në një disponim tjetër të negociatores ka mundur të duket edhe kështu.

“Në qarqet diplomatike ndërkombëtare, më saktësisht në Washington, Londër dhe Paris njihem si një negociatore shumë e vendosur, shumë e prerë dhe e ashpër”.

Një nga çështjet që Tahiri dëshiron të potencojë shpesh, është shkollimi i saj dhe kompetenca akademike për diplomacinë.

Siç dihet, negociatorja jonë ndër të tjera së voni ka doktoruar, derisa në CV’në e saj ndodhet edhe një shkollim në një universitet prestigjioz amerikan, Harvard.

Por Zëvendëskryeministrja duket se nuk ka mësuar shumë nga kjo shkollë.

Për vëmendjen e saj, duhet përmendur një fjali të Frank Wisnerit me rastin e vdekjes së diplomatit Richard Holbrooke.

“Nga kjo gjeneratë e amerikanëve, pothuaj nuk ka asnjë që ka pasur vëmendje të gjatë, të qëndrueshme dhe brilante për interesat nacionale sesa Richard Holbrooke. Që nga Lufta e Vietnamit, nuk ka pasur asnjë çështje të rëndësisë kombëtare që ai nuk i ka kushtuar vëmendje, apo që nuk ka punuar në të. Të arriturat a tij janë vërtet të jashtëzakonshme”.

Siç shihet, nga këto fjali për Holbrookun kanë folur të tjerët.

Zëvendëskryeministres Tahiri mbase duhet kujtuar më shpesh se në botën normale nuk flitet për vetveten.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›