Margjela, rrëfimi i një shqiptareje të shfrytëzuar
Historia e vajzës që prostituonte në Itali e që mundi t’u shpëtonte tutorëve është vetëm një nga 16 historitë femërore që gazetarja italiane, Annalisa Fantini, i ka bërë pjesë të librit “Pafajësi e ndotur”. Janë historitë e 16 femrave të kombësive të ndryshme për rrëzimet dhe përpjekjet drejt një jete të re
Margjela (një emër me siguri i sajuar) është një 15-vjeçare shqiptare që fati e hodhi në trotuaret e Italisë. E dhunuar, e shfrytëzuar për prostitucion, arrin t’u shpëtojë tutorëve të saj. Kjo ndodh falë ndihmës që një tjetër vajzë, më parë ish-prostitutë e tashmë e rehabilituar i jep asaj. Me siguri që histori të ngjashme mund të kenë të tjera vajza shqiptare të detyruara të prostituojnë përtej kufijve. Por Margjela është personazhi i gazetares dhe shkrimtares italiane, Annalisa Fantini. Ajo është një nga femrat me histori jo nga ato të zakonshmet që ajo i ka takuar gjatë profesionit të saj. Nga ato femra që janë në kërkim të një identiteti të humbur. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre, secila me historinë përkatëse, janë bërë personazhe të librit të saj “Pafajësi e ndotur” (L’innocenza indecente). Mban titullin e historisë së të miturës shqiptare. Janë histori të largëta në kohë e në hapësirë, por që kanë si bosht të rrëfimit jetë femrash të “përjashtuara” të shoqërisë, që përpiqen të kapen pas jetës që u ka mbetur ose asaj që ende nuk e kanë zbuluar. Vijnë nga vende e kombësi të ndryshme. Një pjesë e ngjarjeve ndodhin në vende familjare për italianët si Romagna, Umbria, Salento, por edhe në vende të largëta si Sarajeva, Kosova, Iraku. Në këto vende lëvizin femrat e zgjedhura nga gazetarja. Secila prej tyre mbart histori arratisjesh, histori zhgënjimesh dhe shprese. Libri nis me Hanën, një vajzë e re e arratisur nga Sarajeva, e cila në rrugën e saj takon të moshuarën Frau Ilse, e mbijetuar e tragjedisë së nazizmit. Dy gra që vijnë nga realitete të ndryshme, me përjetime lufte, por që jeta i ka drejtuar në Romë, drejt një të ardhme krejtësisht të re. Më tej është historia e Adrianës, një femër që nuk pranon të bëhet pjesë e hipokrizisë së borgjezisë në Italinë fashiste, më tej vjen historia e Terezës, partizanes që i duhet të fshihet bashkë me familjen në tunel për t’i shpëtuar shfarosjes fashiste. Katerina është një tjetër protagoniste, një e re nga fshati që së bashku me disa mike të saj beson se arrin ta ndryshojë statusin e saj me punën e re që gjen në Salento. Në të kundërt shfrytëzohet si një kafshë. “Mirja që urren kukullat” është historia e një vajze rome nga Kosova, e cila në përpjekje për të udhëtuar drejt Italisë, ka parë nga afër vdekjen e një fëmije në ujërat e detit. Një tjetër histori u përket dy femrave të dhunuara seksualisht dhe rrëfimet vazhdojnë. Ajo që mbetet përtej rrëfimit të historive tragjike, është dëshira për një jetë normale. Pas siluetave femërore ato fshehin përzierje ndjenjash, urrejtje, zemërim, mllef për shkaktarët e dhimbjeve të tyre. Por ato duan të jetojnë. Në dëshirën e saj për të njohur fatet e grave, ndihet vullneti i autores për të parë përpara, për ta lënë pas të shkuarën, për t’u dhuruar femrave të saj shpresën se do të mund të shkruajë histori jetësh më të mira.
#