E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata kolektive e punës për mësuesit do të ndryshojë

Grupet e punës të MASH dhe sindikatave nisin hartimin e “detyrimeve” të reja të arsimtarëve
Grupet e punës në Ministrinë e Arsimit dhe ata të dy sindikatave të kësaj fushe kanë filluar punën për hartimin e ndryshimeve në kontratën e re kolektive të mbi 36 mijë mësuesve të sistemit parauniversitar. Këto ndryshime mësohet se do të konsistojnë kryesisht në përgatitjen profesionale dhe trajnimet e kualifikimet shtesë të secilit nga arsimtarët që do të japë mësim në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme të përgjithshme apo profesionale.
Një ndër kushtet kryesore përballë të cilave do të gjenden shumë shpejt të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar, do të jetë diploma e masterit të nivelit të dytë. Kjo, pasi sistemi rus i shkollës dhe diplomave të mëparshme, të cilit i përkasin mësuesit, e përfshin edhe masterin e nivelit të parë. Një gjë e tillë njihet edhe përmes ligjit të arsimit të lartë të miratuar në vitin 2007.
Nga ana tjetër, një kërkesë që do të shtrohet përpara çdo të punësuari në arsim do të jetë edhe kualifikimi. Testimet e organizuara nga ana e Ministrisë së Arsimit organizohen çdo vit, mbi bazë të kritereve të përcaktuara qartë. Po kështu edhe trajnimet janë të përhershme nga ana e Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimeve pranë MASH-it. Në këtë mënyrë mendohet që t’i jepet një shtysë përgatitjes cilësore të mësuesve, e për rrjedhim edhe një rritje të cilësisë së mësimdhënies e mësimnxënies.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhafer Dobrushi, dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, Bajram Kruja, në rolin e punëmarrësit nënshkruan midis tyre në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, marrëveshjen për kontratën kolektive të punës.
Kontrata e rinovuar, e cila shënon fillimin e punës së grupit të MASH-it dhe grupeve të dy sindikatave, synon të ruajë të gjitha standardet e arritura dhe të zhvillojë më tej shumë prej tyre.Qëllimi jonë i përbashkët, u shpreh Tafaj, është që standardet e kontratës të jenë një bazë e mirë për zhvillimin e reformës së sistemit tonë arsimor në të gjitha këndvështrimet, duke filluar nga rritja e statusit të mësuesit dhe e nivelit të kualifikimit të tyre, deri te tërësia e masave që ndërmerr MASH-i dhe qeveria ‘Berisha’ për rritjen e kualifikimit të mësuesve në detyrë që garantojnë punësim në bazë të meritës.
Mbështetur në ligjin nr. 7961, datë 12.7.1995 dhe kontratën kolektive të datës 4 korrik 2006, neni 18, pika 2, do të zgjatet afati i kësaj kontrate kolektive deri në nënshkrimin e një kontrate të re, që do të përfshijë ndryshimet, plotësimet dhe përmirësimet që do t’i bëhen kontratës që është sot në fuqi.Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bazuar në kontratën kolektive ekzistuese, në kontratat kolektive të mëparshme, në dispozitat e Kodit të Punës për kontratën kolektive dhe dokumentacionin që FSASH/SPASH kanë depozituar në MASH, njeh legjitimitetin e këtyre dy sindikatave, si pala e vetme, përfaqësuese, për fillimin e negociatave për ripërsëritjen e kontratës kolektive të punës të datës 4 korrik 2006.
Të dyja palët nënshkruan që procesi i negociimit për ripërtëritjen, ndryshimin, plotësimin dhe përmirësimin e kontratës kolektive të punës të fillojë nga data e djeshme.
Në këtë kontratë specifikohen ndryshimet e disa dispozitave ekzistuese dhe përfshirja e dispozitave të reja që diktohen nga angazhimet e të dyja palëve për zhvillimin me sukses të procesit të reformimit dhe modernizimit të arsimit; të kërkesave që rrjedhin nga plotësimi i standardeve të sotme europiane për një arsim cilësor dhe krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë.Objektivi ynë është që standardet e kontratës sonë t’u afrohen gjithmonë e më shumë atyre të kontratave kolektive të mësuesve në vendet europiane, përfundoi Tafaj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›