Fjalori shqiptar i sociologjisë

Për ta hartuar një fjalor të çfarëdo fushe nuk është aspak punë e lehtë. Shumica e fjalorëve të ndryshëm janë të hartuar nga institute të shkencave, akademi dhe institucione të tjera, ku zakonisht marrin pjesë ekipe të studiuesve. Por, ka edhe studiues që kësaj sfide i hyjnë duke u mbështetur vetëm në forcat e veta. Një ndër ta është Ali Pajaziti, profesor i sociologjisë në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë. Para disa muajsh ai ka botuar një fjalor të sociologjisë, i cili ka mbi 800 faqe. Pajaziti tregon se idenë për përpilimin e një teksti të këtillë e ka pasur qysh herët. “Kam filluar të tuboj material qysh në kohën e magjistraturës dhe të doktoraturës. E kam zakon që nga veprat që i lexoj të marr shënime, të shkëpus citate dhe ta fiksoj literaturën që në të ardhmen do të më ndihmojë. Përveç asaj, jam ndjekës i pasionuar i panaireve të librave dhe i librarive ngado që shkoj, gjë që më ka begatuar në aspekt të literaturës multilinguale, më ka bërë posedues të një biblioteke që ngërthen tekste të lëmisë sime profesionale dhe më gjerë”, u shpreh Pajaziti për Express.
Ai është i mendimit se solucioni më i mirë për hartimin e fjalorëve janë institucionet, por shumë të shpeshta janë rastet kur fjalorë përpilojnë edhe individë ose koautorë. Dhe për të dëshmuar këtë ai përmend autorë të ndryshëm që kanë hartuar fjalorë, si për shembull Ekrem Murtezai, Pajazit Nushi, Danko Gërliq, Tefik Çaushi, Dashnor Kokonozi, James Watson & Anne Hill, etj.
Arsyet që e kanë shtyrë t’i rreket përpilimit të këtij fjalori kanë qenë mungesa e një teksti të këtillë referues në gjuhën shqipe, problemet që i ka hasur prej kohës kur ka qenë student, problemet me të cilat ballafaqohen studiuesit dhe studentët në sferën e përvetësimit të termave elementarë të sociologjisë, si dhe nevoja për një interpretim tjetërfare të terminologjisë sociologjike, e cila, sipas tij, tek shqiptarët, në shumë aspekte ende është peng i së kaluarës ideologjike.
Pajaziti ka doktoruar për sociologji në Institutin për Shkenca Sociale në Universitetin Marmara në Turqi, ku ka mbrojtur disertacionin e doktoraturës: “William Montgomery Watt dhe interpretimi i tij sociologjik i islamit”. Është autor i disa librave mbi sociologjinë si dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe mbi dhjetë libra të sociologëve të ndryshëm, në mesin e të cilëve edhe librat “Vetëperceptimet e qytetërimeve” dhe “Kriza globale – Debate rreth 11 shtatorit”, të profesorit dhe ministrit të jashtëm turk Ahmet Davutoglu.
Për hartimin e “Fjalorit të Sociologjisë”, i botuar nga shtëpia botuese “Logos-A”, Pajaziti ka punuar për disa vite, por punën intensive e ka bërë prej vitit 2006 e këndej.
Ai thotë se fjalorët kanë qenë portë për ta mësuar nomenklaturën e disiplinës sociologjike, gjithashtu edhe të disiplinave tjera shoqërore. Sa i përket fatit të sociologjisë shqiptare, ai thotë se krahasuar me përvojat e vendeve të huaja, në veçanti të atyre europiane, sociologjia jonë gjendet në fazën postembrionale.
“Kemi njerëz, katedra, institucione që fokusohen në sociologji, por ama interpretimi sociologjik i mirëfilltë mungon. Punë të madhe po bën për momentin Instituti i Sociologjisë në Tiranë që boton edhe një revistë ‘Shoqëria dhe politika’, pastaj universitetet, por shpëtimi nga kriza dhe vakuumi i shkaktuar nga sistemi i kuq po merr shumë kohë. Një shkencë që dikur është anatemuar, dalëngadalë po shkon përpara, literatura po pasurohet, por kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet bërë shumë që të kemi shkollë të mirëfilltë sociologjike”, thekson Pajaziti.
Për hartimin e fjalorit, ai ka pasur përkrahje nga institucione të ndryshme, duke filluar nga Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë, Shtëpia Botuese Logos-A, Ministria e Kulturës e Maqedonisë, etj.
Sa i përket shpërblimit për punën që e ka bërë, Pajaziti thotë se puna i është shpërblyer relativisht, sepse shkenca më tepër është idealizëm sesa utilitarizëm.
“Në veçanti në mjedisin ku jetojmë ne, shkenca nuk është gjithaq ‘in’, ajo nuk trajtohet siç meriton. Megjithatë, shkencëtarin kjo s'duhet ta deprimojë, sepse ata për nga natyra janë Sizifë, janë njerëz që dinë të merren me sublimen, të vlefshmen, me atë që kultivon brezat dhe që ndërton kulturën dhe qytetërimin”, vlerëson Pajaziti, i cili tregon se ka në plan t’i përkthejë edhe dy vepra: "Moda dhe mendësia" dhe "Identitetet - gjenealogjitë hije".
Vlerësime për fjalorin
Për fjalorin e sociologjisë të Ali Pajazitit kanë dhënë vlerësime sociologë të ndryshëm.
“‘Fjalori i Sociologjis뒔 i Dr. Pajazitit ka një status me nivel të mirë shkencor, edhe pse autori mban parasysh edhe nevojën e paraqitjes së rubrikave në mënyrë të thjeshtë e të kuptueshme për një masë të gjerë lexuesish. E theksoj se përbën një meritë më vete fakti që në fjalor kanë gjetur pasqyrim arritjet më të rëndësishme dhe më të reja të shkencës sociologjike, jo vetëm nëpërmjet atyre që autori i quan ‘neologjizma’, por edhe nëpërmjet termave të njohura e standarde që nga zanafilla e sociologjisë si e tillë. Kuptohet, ky punim nuk mund të zëvendësojë dijet dhe botimet specifike të fushave përkatëse sociologjike, por fare mirë mund të shërbejë si nxitje për studime të thelluara duke u nisur qoftë dhe nga natyra e debatueshme e mjaft prej rubrikave që trajtohen në të”, ka shkruar Servet Pëllumbi, sociolog dhe ish kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkaq, Lekë Sokoli, drejtor i Institutit të Sociologjisë në Tiranë dhe drejtor i revistës “Studime sociale”, ka shkruar kësisoj për fjalorin e Pajazitit:
“‘Fjalori sociologjik’” nuk është një libër më shumë në bibliotekën e derisotme sociologjike, gjithsesi jo aq të pasur. Ai përfaqëson të parin fjalor të sociologjisë në gjuhën shqipe. Dhe, kur një vepër është pioniere e një fushe të shkencës, ai është dyfish i mirëpritur dhe i vlerësuar. Së pari, për vlerat shkencore dhe akademike të tij. Së dyti, për faktin se autori ka guxuar të kryejë një vepër intelektuale jo të zakontë. Pajaziti nuk u jep studiuesve të shkencave sociale, studentëve e të interesuarve të tjerë një libër për ta lexuar njëherë e mirë. Ai u jep atyre një libër që duhet mbajtur gjithnjë mbi tavolinë, një libër për përdorim jo periodik, por të përhershëm”.