Zjarrfikës dhe policë, “bilbilat” e Botërorit
“Ushtria” e atyre që do gjykojnë sjelljen e 22 futbollistëve në fushën e gjelbër gjatë Kupës së Botës është e përbërë nga 30 persona.
Arbitrat e Kupës së Botës janë përzgjedhur pas një studimi të gjatë, ku secili ka plotësuar shumë kritere. Gjyqtarët janë edhe protagonistët më të rëndësishëm të kompeticionit botëror, ku vendimet e tyre shumë shpesh janë edhe të kontestuara. Gjithsesi, “bilbilat” e Kupës së Botës nuk merren vetëm me arbitrim. Pavarësisht se kjo gjë u merr shumë kohë, duke përfshirë këtu ushtrimet fizike dhe përgatitjet teorike, ata kanë një profesion krejt tjetër me arbitrimin. Një pjesë e mirë e gjyqtarëve të Kupës së Botës që do zhvillohet në Afrikën e Jugut janë mësues (nuk kërkon aq shumë impenjim dhe lodhje fizike), por nuk mungojnë as profesione si avokat, kontabilist, madje edhe kërkues shkencor. Gjithsesi, të 30 “ushtarët” që kanë vendosur të marrin përsipër detyrën e ruajtjes së rregullit në ndeshjet më të rëndësishme të sportit të futbollit, janë gjithashtu edhe më të mirët në fushën e arbitrimit. FIFA mban gjithnjë nën vëzhgim ecurinë dhe saktësinë e vendimeve që ata marrin. Përpara se ata të fitojnë një “biletë” për të arbitruar në një turne kaq të rëndësishëm, duhet të kalojnë disa vite eksperiencë, dhjetëra ndeshje ndërkombëtare dhe shumë pak gabime në CV-në e tyre. Por, nuk duhet harruar edhe që në disa raste, edhe pse janë më të mirët, gabimet e tyre janë aq të rënda, sa edhe një amator nuk do i kryente. Ndërkohë nëse i kthehemi sadopak statistikave, Zhoel Kuiniu rezulton si arbitri që ka arritur të vendosë emrin e tij në librin e rekordeve të Kupës së Botës. Francezi është gjyqtari me më shumë ndeshje të drejtuara në kompeticionin e rëndësishëm futbollistik. Gjatë karrierës së tij ai ka gjykuar tetë përballje dhe pikërisht një në Kupën e Botës 1986, tre në atë të vitit 1990 dhe katër në Botërorin e vitit 1994. Kuiniu e nisi karrierën e tij sportive si futbollist, por më pas iu përkushtua arbitrimit, duke u bërë edhe një nga më prestigjiozët e periudhës së vet. Pas tij renditen katër arbitra që kanë drejtuar nga shtatë ndeshje në kompeticionin botëror dhe pikërisht Ali Busajm nga Emiratet e Bashkuara Arabe, spanjolli Huan Gardaezabal, uellsiani Mervin Grifits dhe belgu Zhan Langenu. Në fakt, ky i fundit ka arbitruar gjatë Botërorëve të parë të historisë, në vitin 1930, 1934 dhe 1938, kur edhe rregullorja nuk ishte kaq e sofistikuar sa në ditët e sotme.
Arbitrat e Botërorit
Zhoel Agilar - Honduren; Profesioni: Mësues
Khalil Al Ghamdi - Arabi Saudite; Profesioni: Mësues
Karlos Amarila - Paraguaj; Profesioni: Inxhinier elektronik
Benito Arshundia - Meksikan; Profesioni: Avokat
Hektor Baldasi - Argjentinas; Profesioni: Sipërmarrës
Karlos Batres - Guatemala; Profesioni: Kërkues shkencor
Mohamed Benuza - Algjerian; Profesioni: Sipërmarrës
Olegario Benkuerenka - Portugez; Profesioni: Agjent sigurimesh
Masimo Busaka - Zviceran; Profesioni: Restaurues
Koman Kulibali - Mali; Profesioni: Inspektor financiar
Xherome Damon – Afrikano-jugor; Profesioni: Mësues
Frank De Bleker - Belg; Profesioni: Agjent marketingu
Martin Hanson – Suedez; Profesioni: Zjarrfikës
Majkëll Hester – Zelandez; Profesioni: Zyrtar në Marinë
Ravshan Irmatov - Uzbekistan; Profesioni: Instruktor futbolli
Edi Mailet - Sejshele; Profesioni: Koordinator i arbitrave
Viktor Kasai - Hungarez; Profesioni: Agjent udhëtimi
Stefan Lanoj - Francez; Profesioni: Distributor i videlojërave
Horge Larrionda - Uruguajan; Profesioni: Nënpunës
Subkhidin Mohd Saleh - Malajzian; Profesioni: Mësues
Juiçi Nishimura - Japonez; Profesioni: Arbitër
Peter O’Leri - Zelandez; Profesioni: Mësues
Pablo Pozo - Kilian; Profesioni: Kontabilist
Marko Rodrigez - Meksikan; Profesioni: Mësues fizkulture
Roberto Roseti - Italian; Profesioni: Kinesiolog
Oskar Ruiz - Kolumbian; Profesioni: Avokat
Karlos Simon - Brazilian; Profesioni: gazetar
Volfgang Stark - Gjerman; Profesioni: Bankier
Alberto Malenko - Spanjoll; Profesioni: Sociolog
Houard Ueb - Anglez; Profesioni: Polic
Hanson, ai që do jetë në “lupën” e kritikëve
Një pjesë e mirë e arbitrave që marrin pjesë në Kupën e Botës janë të mirënjohur në botën sportive, por një nga më të famshmit prej tyre është suedezi Martin Hanson. Jo sepse është më i miri, por sepse është protagonist i një prej gabimeve arbitrare që ka nxitur më shumë polemika. Hanson gjykoi në ndeshjen mes Francës dhe Irlandës, e vlefshme për “play-off”-in e Botërorit. Sulmuesi i “gjelave”, Tierri Hanri, preku topin me dorë në aksionin e golit të kombëtares së tij, por as Hanson dhe as anësorët nuk e panë një gjë të tillë, duke e cilësuar si gol të rregullt. Edhe pse një gabim i tillë u kushtoi shumë irlandezëve, FIFA nuk pranoi të marrë masa ndaj suedezit, madje i dha atij një biletë për të qenë një nga arbitrat e Botërorit të Afrikës së Jugut.