Për të shfletuar
“Guri i durimit”
Atiq Rahimi është autor franko-afgan, i cili ka fituar çmimin “Goncourt” 2008 me romanin “Guri i durimit”. Në mitologjinë persiane, flitet për një gur magjik, që vendoset përpara vetes për të tërhequr mbi të fatkeqësitë, vuajtjet, dhembjet dhe mjerimet. Atij i besohen të gjitha të fshehtat e zemrës, ato që nuk mund t’iu thuhen të tjerëve. Dhe guri dëgjon, i thith të gjitha fjalët si sfungjer, i thith të gjitha sekretet, derisa një ditë pëlcet. Dhe atë ditë ndihesh i çliruar. “Diku në Afganistan ose gjetkë”, në mes të luftës civile, një grua kujdeset për burrin e saj, i cili, pasi ka marrë një plumb në qafë, ndodhet në gjendje kome. Ajo vuan gjithë vuajtjet e botës, në pritje të asgjëje. Në harmoni me këtë hapësirë të zhveshur e të zbrazët, Atiq Rahimi shprehet përmes fjalish të shkurtra emërore dhe të përsëritura. Gjestet mekanike të gruas i lënë vendin një lumi të pashtershëm fjalësh. Një monolog i gjatë, ku guri i durimit merr tiparet e burrit të zhytur në komë. Më së fundi, me gjithë bombat dhe breshëritë, gruaja arrin ta lërë veten të çlirohet nga zhgënjimet, ndjenjat dhe sekretet e një jete të tërë. Me një shkrim të çliruar nga çdolloj censure, Atiq Rahimi na sjell një tregim të rëndë, por prekës, si një homazh për luftën e gruas myslimane përballë integrimit, e cila, e murosur qysh në lindje në heshtjen e saj, gjendet e burgosur në kuptimin e vërtetë të fjalës, si dhe në kuptimin e figurshëm. Më shumë guxim, në romanin e tij autori përshkruan jetën e përditshme ose më saktë të përditshmen femërore, realitetin shtypës të njëfarë konceptimi të islamit.
“Në shpirtin tim bën ftohtë”
Një trishtim i madh ndihet brenda faqeve të këtij libri. Trishtim që buron nga jetë të paplotësuara, ëndrra të copëtuara, rini të këputur... Dhe nëse mund të ceket një ekuilibër i brishtë?- kjo është një nga pyetjet që parashtron për zgjidhje shkrimtarja Brunilda Zllami. E burgosur e dashurisë së një njeriu që e kishte pranë prej aq shumë vjetësh, sa i dukej sikur kishte zënë rrënjë në qenien e saj. Me Rubenin ajo arrinte të shikonte pak nga ai qiell që s’mund ta prekte dot, jetonte pak nga ajo jetë që s’mund ta ndërtonte dot, ishte e lirë në lirinë e tij, merrte jetë në jetën e tij. Ndihej tjetërkush kur ishte me të, a thua se në shpirtin e saj jetonin dy persona të ndryshëm. Një që ishte i aftë të dashuronte e të jepej me shpirt pas një burri, tjetra e ftohtë, mekanike, e llogaritur. Nuk e kishte vënë re më parë dhimbjen që i shkaktonte pasja e dy shpirtrave kontradiktorë që talleshin e përqeshnin njëri-tjetrin. Sikur mos të kishte qenë Rubeni as do ta kishte vënë re këtë të dytin. Do të ishte ajo Joana, e akullt dhe e përpiktë në venat e të cilës nuk qarkullon i njëjti gjak i njerëzve normalë. Kishte nevojë për Rubenin. Pa të në shpirtin e saj bënte ftohtë, shumë ftohtë.