Marianthi Xhako: Si zbutej propaganda në objektivin e një femre
Si mundej një grua e brishtë të futej në thellësi të minierës së Kurbneshit, apo të shkonte në fshatin më të humbur për ditë të tëra për të realizuar një dokumentar?! Historitë e kineasteve femra në Shqipëri janë shumë në raport me vetë ato. Në 60 vjet Kinematografia Shqiptare ka lënë shumë pak vend për regjisoret dokumentariste. Arsyet janë të ndryshme për secilën, por për Marianthi Xhakon, e cila ishte regjisorja e parë femër që u hapi dyert edhe të tjerave pas saj, nuk ekziston një arsye; ajo e ndoqi ëndrrën e saj deri në Moskë, ku u diplomua si regjisore me dokumentarin “Qyteti i 1000 dritareve”. Në fakt ndihet fryma e viteve ‘59 edhe në realizimin e këtij dokumentari. Një ditë e zakonshme në qytetin e saj të lindjes, në Berat, që nis me legjendën e krijimit të qytetit, ku dy vëllezër Tomorri dhe Shpiragu bien në dashuri më të njëjtën femër, për të cilën dhe vëllezërit zihen. Perëndia zbret në tokë dhe i dënon, njërin e kthen në mal në njërën anë e tjetrin në anën tjetër e në mes tyre shtrihet lumi që përfaqëson lotët e vajzës. Por përtej legjendës më 1959 Berati ishte qyteti ku burrat ngrihen që në orën 6.00 të mëngjesit për të shkuar në punë e plakat dalin në pragun e derës me filxhanin e kafesë, duke marrë në gojë gjithë qytetin. Pak më vonë zbresin gratë e “ngrehura” që shkojnë të mbushin ujë në çezmën në qendër të qytetit. Janë zbukuruar në këtë “xhiro” të përditshme nëpër qytet thuajse uniformë deri dhe bizhutë. Të gjitha mbajnë në qafë rruaza të bardha të së njëjtës madhësi. Me sa duket, një nga furnizimet seri që vinin në Mapon e qytetit. Bien kambanat…vjen ora e faljes në kishë. Nënë e veshur me të zeza këmbë e krye, që sipas skenarit të dokumentarit lutej që dhe shteti socialist të lulëzonte e zhvillohej (!). Pas ritualit të krishterë, kamera ndalet te xhamia në qendër të qytetit. Bie nata e qyteti bie të flerë…Fund.
Tashmë jemi në vitin ’67, pikërisht kur besimi mori goditjen më të rëndë. Marianthi niset në Veri për të realizuar “Reportazh në Kurbnesh”. Një femër e re e ardhur nga kryeqyteti, e veshur për më tepër me pantallona, zbret në labirintet më të tmerrshme të minierës për të treguar një ditë pune “heroike” të minatorëve që punonin me “heroizëm” për të nxjerrë mineralin e Partisë. Duket se tashmë propaganda ka prekur çdo qelizë të vendit e kjo shfaqet dukshëm jo vetëm në këngën me çifteli kushtuar Partisë, që shërbente si kolonë zanore, por dhe tek teksti me të cilin shoqëroheshin ca pamje, që në fakt rrëfenin një ferr të vërtetë. Po aq demagogji shfaqet edhe në dokumentarin “Mjekja e fshatit”, e vitit 1975. Asgjë s’ka ndryshuar, komunistja lë rehatinë në spitalin në qendër të Tiranës dhe niset vullnetare në fshatin Kllojk. E ky dokumentar, pavarësisht mesazhit që transmetonte, nuk u lejua të shfaqej kurrë, jo vetëm për publikun por as për vetë regjisoren që e shihte për herë të parë dje, e ulur aty në radhën e parë të kinemasë së Arkivit të Filmit. Arsyeja e ndalimit të këtij filmi: po aq absurde; sekretari i Partisë, që vetë kishte dhënë orientimin që ky dokumentar të realizohej, më pas ndoshta në shenjë hakmarrjeje apo për arsye krejt personale, kishte vendosur që filmi të flinte si shumë të tjerë në arkivat e Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Kjo deri ditën e djeshme, kur Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nisi shpluhurosjen e arkivit dhe shfaqjen e prodhimeve më të mira kinematografike të regjisoreve femra, të cilave u ka dedikuar muajin mars, me rastin edhe të festës së 8 Marsit.
Berati i 1000 dritareve sjell një ditë të zakonshme të qytetit tuaj të lindjes, por shfaq dhe momente që më pas u quajtën “herezi”, si falja në kishë p.sh. …
Flasim për vitin 1959, kur kishat dhe xhamitë gjallëronin me besimtarë, çka tregohet edhe në këtë dokumentar. Unë, në fakt, jam përpjekur të sjell jetën e gjallë të një qyteti antik, që është qyteti im i lindjes. Unë isha rritur me legjendën e Tomorrit dhe Shpiragut, isha rritur në ato rrugica. Kur isha studente në Moskë gjithmonë ëndërroja Beratin tim e pastaj në vitin e fundit më lindi ideja që diplomën ta mbroja me një film dhe ky ishte qyteti im i lindjes. Sa herë xhiroja, më dilnin para ide të reja.
Po si u justifikua pjesa e besimit fetar më pas, apo filmi u shfaq vetëm në vitet e para e më pas u ndalua?
Është shfaqur shumë shpesh në vitet e para të realizimit, por dhe më pas shfaqej me raste, sepse filmi përveç besimit shfaq në tërësi jetën e qytetit në tërësinë e tij. Aty shfaqen dhe objekte të rralla të trashëgimisë së qytetit që i përkasin antikitetit, si afresket e Onufrit, prandaj mbeti një film me vlera në këtë aspekt edhe pse pas ’67-ës shfaqej me fragmente, jo i tëri.
‘Qyteti i 1000 dritareve’ është dokumentari i parë, por përtej kësaj vihet re një frymëmarrje përsa i përket tekstit dhe kameras, pra duket se censura nuk ju ka shqetësuar, ndërkohë që te të tjerët fryma e propagandës sa vjen e bëhet më e fortë. A shihni sot një mospërputhje mes gjuhës së fortë të propagandës te dokumentari ‘Reportazh nga Kurbneshi’ dhe asaj që ju keni sjellë përmes kameras?
Filmi dokumentar ishte i politizuar skajshëm dhe kalonte shpesh në skematizëm, por ne mundoheshim të bënim më të mirën; nxirrnin heroizmin e klasës punëtore e duhej të përmendim sigurisht edhe emrin e Partisë, që të lartësonim punën e tyre.
Por ndryshe nga teksti, kamerat në Kurbnesh paraqesin në fakt një ferr në të vërtetë përsa i përket kushteve dhe vështirësive në të cilat punohej...
Unë kam qëndruar 40 ditë në minierën e Kurbneshit edhe kur kam ikur nga miniera i kam thënë burrit: të më heqin 100 lekë nga rroga ime t’ua japin atyre. Isha e shokuar nga ajo që pashë, vështirësi të mëdha.
Keni zbritur dhe ju bashkë me kameran në atë ferr?
Po, po, deri në pus thellë jam futur në të gjitha labirintet e minierës. Më shoqëronte shoku im i klasës, Spiro Vllahu, i cili u persekutua dhe u fut në burg më pas.
Një femër e veshur me pantallona në mes të burrave malësore, si shihej?
Roja e minierës nuk më thërriste Marianthi, por më thërriste Marë. Dhe një ditë më tha: Është gjë e madhe Marë që si një grua urdhëron 4-5 burra. Por atje me respektonin shumë, në një kohë që në atë kohë në grykë të Kurbneshit nuk guxonte të shkonte një burrë e jo më një grua e vetme e kjo mendoj se ishte shenjë emancipimi. Ndërsa, sa për pantallonat, unë i kam veshur shumë më herët, që kur ato ishin tabu edhe në Tiranë. Kur u nisa për në Kurbnesh, më thotë dikush: “Deri në Shkodër mund të veshësh pantallona, por më tutje jo.” E unë e theva edhe këtë tabu.
Orientimi për të bërë dy reportazhet vinte nga lart, apo idetë ishin të regjisorëve?
Ne si regjisorë bënim planin vjetor dhe, me thënë të drejtën, na kërkonin temat tona të dashura, sepse unë kam bërë film për Tefta Tashkon, Odise Paskalin, Skënderbeun, Çajupin, Riza Cerovën, që ishin tematika që i zgjidhnim vetë, por që kishim edhe filma me porosi. Nga Kurbneshi morëm një lajm nga gazetat, që kishte shpërthyer një prodhim i madh i mineralit dhe u nisëm të dy me Muharrem Skënderin për të parë gjendjen atje dhe na pëlqeu ideja. Ndërsa për mjeken në fshat më thotë kryetarja e Gruas, që ishte dhe një mikja ime: Marianthi -më tha- mund të bëhet një film shumë interesant për një mjeke që quhet Farfurije Ziaj, që ka lënë spitalin dhe punon në një fshat të largët. Ta them dhe me rekomandimin e një të madhi që e pëlqeu shumë kur vajti në fshati Kllojk dhe që mendon se kjo që ka bërë ajo është heroizëm. Dhe u nisa për ta bërë.
Kur e sheh këtë dokumentar sot, a mendon se duhet të ketë qenë një arsye shumë njerëzore ajo që e ka çuar vajzën e re beqare atje dhe jo thjesht Partia, po shpirti komunist? Çfarë mendon se i mungon dokumentarit, e parë me syrin sot?
Në këndvështrimin e sotëm, unë sigurisht do ta bëja ndryshe dokumentarin, por atëherë fryma ishte e tillë. Do të kisha shtuar ca skena pak a shumë lirike, që janë në disa fragmente edhe në dokumentarë. Ajo ishte një vajzë e re beqare dhe kjo ndihet. Mbase sot do të isha futur pak më thellë në jetën e saj private, për të zbuluar arsyet e vërteta, ndoshta një i dashur, ndoshta një lëndim. Por këto gjëra sigurisht që atëherë këtë nuk i bënim dot, megjithëse mendoj se jam përpjekur të jap maksimumin për ta bërë sa më njerëzore këtë figurë. Të gjithë ne kemi bërë maksimumin e mundshëm, të zbusnim shtypjen sa të ishte e mundur. Por nuk duhet të harrojmë që atëherë kishte censurë dhe autocensurë. Dhe më e rrepta ishte autocensura, sepse ne e dinim se çfarë na priste. Mendo 30 vjet karrierë, unë nuk kam qoftë edhe një vërejtje, sepse e dija se çfarë mund të më ndodhte po të kisha. Por edhe si komunitet ishim shumë solidar e donim shumë njëri-tjetrin e mbronim shumë njëri-tjetrin.
Nuk kuptoj arsyet pse u ndalua dokumentari mbi mjeken e fshatit?
Ishte një arsye banale dhe jo politike, sepse filmi në vetvete nuk kishte asnjë arsye politike për t’u ndaluar. Por mbaj mend që pak ditë pasi morëm vesh që filmi edhe pse u realizua nuk do të shfaqej më vjen Farfurija, mjekja, që ishte në qendër të dokumentarit dhe më thotë: ‘Unë e di kush e ka bërë, është sekretari i Partisë’.