E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria me trajner “low cost”

SHKRUAN: Jeton Selimi 19-10-2011 14:37

E ardhmja e stolit të kombëtares së Shqipërisë është bërë çështje dite. Tashmë duket i vulosur fati i trajnerit aktual Josip Kuzhe dhe duket se është kanalizuar marrëveshja që do të sjellë në stolin kuqezi Besnik Hasin, ish-lojtar i Anderlehtit që ka mbi supet e tij 47 ndeshje me fanellën e Shqipërisë. Por e vërteta është se marrëveshjet, cilatdo qofshin ato, janë vetëm në kuadër të fjalëve, pasi presidenti Duka ende nuk e ka ndarë mendjen se kujt duhet t’i besojë detyrën e udhëheqësit të përfaqësueses. Por të paktën është ngushtuar fusha e veprimit dhe për ndeshjet miqësore të muajit nëntor kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë, Shqipëria do të ketë në krye trajnerin e saj të ri, që do të marrë përsipër detyrën e vështirë të rinovimit të saj. E të mendosh se duhet zëvendësuar Ervin Skela, Klodian Duro, Altin Lala apo edhe Erjon Bogdani.

Takimi me Kuzhen

Armand Duka ka udhëtuar drejt Zvicrës, por do të jetë në Shqipëri ditën e enjte, ditë në të cilën ai do të takohet me trajnerin Josip Kuzhe. Presidenti i FSHF-së dhe kroati që ka udhëhequr kuqezinjtë në dy vitet e fundit, do të zhvillojnë mbase takimin e fundit. Zërat në federatë konfirmojnë se Kuzhe është me 95% i larguar, por nuk përjashtojë edhe një kthim të situatës në favor të tij. Sidoqoftë, opsioni i fundit ka pak gjasa që të ndodhë pasi Duka nuk do që t’i besojë më stolin Kuzhes me arsyetimin se kroati nuk ka çfarë t’i japë më Shqipërisë. Mendimi i presidentit të FSHF-së bazohet në rezultatet e pjesës së dytë të eliminatoreve, shumë zhgënjyese dhe prej së cilës u mor vetëm një pikë, barazimi me Rumaninë në sfidën e fundit të luajtur në “Qemal Stafa”.

Besnik Hasi

Ish-lojtari kuqezi, i pari kosovar që veshi fanellën e Shqipërisë në vitin 2000 dhe që i hapi rrugën afrimit të emrave si Cana, Dallku, Curri, Ujkani etj, është padyshim emri më i kuotuar. Arsyeja? Që në vitin 2008, kur edhe i dha fund futbollit të luajtur, Hasi mori detyrën e zëvendëstrajnerit të Anderlehtit, klub me të cilin u aktivizua në për 6 vjet me radhë në sezonet 2000-2006. Besnik Hasi, një mesfushor që u aktivizua edhe në qendër të mbrojtjes së Shqipërisë, gëzon një reputacion të shkëlqyer mes tifozëve dhe do të ishte padyshim njeriu i duhur për të sjellë paqen mes FSHF-së dhe mbështetësve të kombëtares.

Pista e huaj

Kjo e fundit nuk duhet anashkaluar, por ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe FSHF nuk duket e gatshme për të paguar qindra-mijëra euro për një trajner që nuk do të sillte sukses. Madje, është hera e parë që nga viti 2002 që Armand Duka është gati të heqë dorë nga emri i huaj në krye të kombëtares, sidomos pas shortit të vlefshëm për Kupën e Botës Brazil 2014. Pritet që të ardhurat në arkën e FSHF-së nga e drejta TV të jenë më të ulëtat se herët e tjera, ndaj edhe Duka kërkon të tregohet i kujdesshëm. Emrat cilësorë kushtojnë, ndërsa trajnerët e tjerë nuk mund të garantojnë atë që FSHF kërkon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›