Marijuana mund të luftojë alzheimerin
Droga
Disa elementë aktivë të marijuanës mund të ndihmojnë shumë më tepër në ndalimin e zhvillimit të sëmundjes së alzheimerit se sa shumë ilaçe aktualisht të miratuara në SHBA, bën të ditur një kërkim shkencor i raportuar nga Foxnews. Rreth 4.5 milionë amerikanë vuajnë nga kjo sëmundje, e cila gradualisht shkatërron memorien. Për shkak se gjithnjë e më shumë njerëz arrijnë në moshën e tretë, besohet se numri i njerëzve që vuajnë nga kjo sëmundje do të trefishohet në pesë dekadat e ardhshme. Deri më sot nuk ka asnjë kurim të njohur. Shkencëtarët kërkuan te elementi THC, elementi kryesor i marijuanës që është përgjegjës për ti turbulluar njerëzit që e konsumojnë. Modelet kompjuterike të ndërtuara tregojnë se THC mund të dëmtojë një enzimë që quhet AChE, e cila lidhet me alzheimerin.
AChE njihet se përshpejton formimin e grumbujve të proteinave anormale në tru, të njohur si plaka amiloide, gjatë zhvillimit të sëmundjes së alzheimerit. Kjo enzimë thyen edhe një kimikat të quajtur acetilkoline, e cila lidhet me memorien dhe të mësuarit. Eksperimentet laboratorike tregojnë se THC mund të ndihmojë ndjeshëm në shmangien e sëmundjes së alzheimerit.
Marijuana mund të luftojë alzheimerin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip