Nokia bën reklamë mashtruese për celularin e ri
Teknologjia
Kompania kërkon ndjesë, pasi një vëzhgues zbulon mashtrimin
Kompania finlandeze e prodhimit të telefonave celularë Nokia ka mashtruar teleshikuesit në një reklamë ku sugjerohet se një vajzë po filmohet me kamerën e aparatit të ri celular të kësaj kompanie, kur në fakt reklama ishte xhiruar me një kamera profesionale. Një i pasionuar pas teknologjisë zbuloi se në një dritare në sfond të skenës së reklamës, dallohej refleksi i një kameramani me kamera profesionale.
Nokia pranoi defektin dhe kërkoi falje. Filmimet, të cilat duhet të përçonin idenë se sa cilësore qe kamera e celularit të ri, ishin cilësore për shkak se ishin filmuar me kamera profesioniste dhe jo me një aparat celular. Në reklamë tregohej një i ri që po filmonte të dashurën e vet me celular, ndërkohë që të dy po i jepnin biçikletës. Produkti i ri i Nokia-s, Lumia 920, synon të hyjë në konkurrencë me Iphone të Apple apo produktet Galaxy të Samsung. Ai do të hidhet në treg së shpejti. Nokia zotëronte dikur mbi gjysmën e tregut të celularëve në planet, por e humbi biznesin me shpejtësi pasi nuk ishte në gjendje të kapte ritmin e tregut në gjeneratën Smartphone. Investitorët sakaq kanë dyshime se edhe produkti i ri nuk do të jetë në gjendje të kthejë shkëlqimin e kësaj kompanie. Dje aksionet e Nokia-s në bursë shënuan një rënie tjetër prej 8 përqindësh.
Nokia pretendoi se në fakt, cilësia e kamerës së aparatit të ri celular është e jashtëzakonshme për shkak të sistemit të saj të stabilizimit të imazhit.
Nokia bën reklamë mashtruese për celularin e ri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip