E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marin, na hape telashe!

Nga Bledi Mane

Duhej dëbimi grek i gazetarit të guximshëm Marin Mema, që çështja e tulatur dhe e fjetur Çame të rizgjohej nga gjumi këtë gusht të drobitur nxehtësisht. Kronika e tij e fundit në tokën e natyralizuar greke të Margëlliçit shfaqte frikshëm sekuenca reale sesi nizamët e rinj adoleshentë shqiptarë arsimoheshin dhe trajtoheshin si humanë në vendin e tulatur nga kriza ekonomike.

Pamjet rrënqethëse tregonin si vinë i marrin dhe i sjellin me taksi nga fshatrat e rreckosur shqiptarë të kufirit e i çojnë në shkollat e konviktet e tyre. Pasi i veshin, i ushqejnë, i arsimojnë, i lavazhojnë nga truri e shpirti , përgatisin civilizisht armatën “e grekërve të rinj” me gjak arnauti të cilët do të vendosen në tokat e shqiptare të konfiskuara të Çamërisë.

Greqia e filozofisë, letërsisë, politikës, shkencave, Greqia moderne dembele dhe e patundur nga istikami i saj ortodoks-nacionalist ende vazhdon të na japë leksione sesi poshtërohet një komb i tërë edhe kur konkurenti përballë ka vite i sëmurë e i menderosur në sytë e botës.

Një Greqi me ushtri të papunësh e lypësash në ritje dhe migrantësh vazhdon të qesëndisë e të tallë trapin me qeverinë e njeriut që deri 8 vjet më parë ishte patetizuar dhe patinimizuar prej një urrejtje model nëntëdhjeteshtate. Me kaos ekonomik e social në rritje, komshija jonë ka kohë të mjaftueshme të merret me hallet tona dhe të kafshojë detin tonë. Ka në dorë sistemin bankar dhe telekomunikacionin lokal e porsi një mace e plakur egjiptjane nuk jep shpirt kollaj pa ngatërruar qeveri e opozitë.

Ka ngulur rrënjë dyfish në këtë qeverinë tonë gangëstere dhe ndryshe nga partia e çamëve të Idrizit, vetëm me dy deputetë ministra minoritarë dropullit e xhonglon Berishë minoritarin dardan të Tiranës pa pikën e sedrës dhe turpit.
Edhe çamët megjithëse me dy mandate të rëndësishme në parlament nuk kanë ditur që nga 2009-a të luajnë bukur si në amfiteatrot e Prevezës as tragjedi e as komedi për të qenë.

Më pëlqen tallja që vetë kryeminstri veteriner i bën partisë së Idrizit me madat të tjetërsuar dhe trajtimi si Chiuaua nga ana e atij të parafundit, thjesht kalit durimin e çamëve me ndonjë kockë nëpër koalidimet e makinave apo sigurimet shoqërore.

Shqipëria e mesme dhe një pjesë e perëndimit të vendit ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh çamë. Janë boll nëse bashkë votojnë në unanimitet të zgjedhin deri në katër parlamentarë. Ndryshe nga minoriteti grek i cili u shpartallua me ardhjen në pushtet të PD-së më 2005-ën deri tani çamët kanë qenë më kompakt.

Nga dy parti poltike mundën të treten në një të vetme por deri tash lidershipi i tyre me shkollë e pa shkollë thjesht është quravitur në dhomën e rrëfimeve të Berishës duke rënë pre e interesave meskine të biznesit të njërit apo gjasme largpamësisë të atij tjetrit. Çamët janë shqiptarë në histori, etnografi e nën lëkurë.

Pavarësisht se mbeten tregëtarë apo matrapazë të zotë ende nuk po strukturojnë identitetin e tyre në hullinë e poltikës dhe qevrisjes domestike shqiptare.

Gazetaria e Marin Memës dhe nacionalizmi i ëmbël i Aleancës Kuqezi po sfumon dukshëm pinjollët e komunitetit çam të cilët pavarësisht se me dy mandate mundet ta bënin Berishën të kërcente çiftetel por ky i fundit i sëmuri keqas e i ktheu në parlamentarë të dorës së dytë me duart gati për votime të lidhura me spangot e interesave afatshkurtra.

Do të jetë vonë se edhe i vetmi spital i kurimit të sëmundjeve të rënda në Tiranë mban emrin Hygeia. Është grek, po po është biznes grek.

Marin cna bëre. Na hape më shumë telashe këtu se sa në Greqi!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›