Marinetti, një libër mbi joshjen e grave
Si një traktat autobiografik mbi artin dashuror, kështu vjen libri “Si t’i joshim gratë” i autorit Filippo Tommaso Marinetti. I botuar për herë të parë në vitin 1916, ky libër vjen për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Ideart”. Ai u shkrua nga autori përpara se ky të nisej vullnetar në front, ndërsa është korrigjuar gjatë një periudhe konvaleshence në Spitalin ushtarak të Udines. “Si t’i joshim gratë” tallet me estetikën danunziane të “vatrës familjare” e më në përgjithësi me sentimentalizmin mikroborgjez. Më shumë se një objekti, gruaja sipas Marinetti-t i ngjan një makine të aftë të ndezë fantazinë erotike... atë futuriste, kuptohet. Marinetti e lufton gruan jo për sa ajo është, por si produkt të pasionalitetit egoist të mashkullit oriental dhe të letërsisë romantike. Ai nuk është kundër gruas, por kundër "konceptit grua" krijuar nga egoistët, xhelozët, të fiksuarit, shumë shpesh të paaftë për ta konsideruar si një diçka të rëndësishme, por jo thelbësore dhe mbi të tjerat. Me anë të këtyre faqeve synohet të vihet në vendin e duhur gruaja dhe fenomeni seksual në përgjithësi. Filippo Tommaso Marinetti është një ndër përfaqësuesit më të njohur të stinës kulturore avangardiste të shekullit XX. I lidhur ngushtë me kulturën parisiane të asaj periudhe, qysh në fillim Marinetti e orienton veprimtarinë e vet letrare drejt “ngritjes së një kulture të rinovuar”.
#