E Diel, 1 Nëntor 2026

Romët kërkojnë integrim në shoqërinë shqiptare

Fier “Na përfshini në administratën shtetërore. Asnjë nga ne nuk është nëpunës”

Në ditën ndërkombëtare të romëve nga Fieri është premtuar integrim i këtij komuniteti në BE. Ndërkohë që përfaqësues romë kanë akuzuar se ata nuk ndihen ende të integruar në shoqërinë shqiptare. Latif Kazanxhi, kryetar i shoqatës “Roma aktiv Albania” ka thënë se ende romët nuk respektohen dhe nuk janë të barabartë me shtresat e tjera shoqërore. “Ne kërkojmë që të përfshihemi në administratën shtetërore. Në duam përfaqësuesin tonë në këshillat vendorë. Ne duam pozicionin tonë në shoqëri. Shumë prej nesh, edhe pse kanë arsimin e duhur, nuk janë të punësuar në asnjë nga institucionet. Shikojini me radhë të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet e Fierit dhe nuk do të gjeni asnjë përfaqësues rom”, u shpreh Latif Kazanxhi. Duke kërkuar vëmendjen e pushtetarëve, ai theksoi se ka shumë për të bërë për komunitetin rom, që në Fier përbën edhe numrin më të lartë në vendin tonë. Nora Malaj, zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencave, e cila ka qenë në Fier për ditën ndërkombëtare të romëve, tha se kjo ditë ka nevojë për vëmendje, përkrahje, ka nevojë për dashuri. “Sot jemi këtu të gjithë së bashku jo vetëm për të festuar, por edhe për të reflektuar dhe për të parë që jemi të gjithë të barabartë, ndonëse jemi të ndryshëm. Në emër të Ministrisë së Arsimit ju garantoj që e ardhmja juaj do të jetë e sigurt dhe në qershor do të jemi të pajisur me pasaporta për të lëvizur në të gjithë Europën. Dhe këtë do ta kenë edhe romët. Sepse, komuniteti rom është i aftë për t’u integruar në familjen e madhe europiane”, ka vijuar më tej me premtimet e saj Nora Malaj. Në asnjë nga institucionet vendore apo qendrore nuk ndodhet i punësuar ndonjë përfaqësues i komunitetit rom. Në Qarkun e Fierit romët janë përqendruar në zonën e Levanit, Baltzës, Zhupanit, Roskovecit, Lushnjës, Patosit, Mbrostarit etj. Madje në zonat ku ka një komunitet të zgjeruar romësh janë ngritur edhe shkolla, në të cilin mësojnë si të shkruajnë dhe të lexojnë të gjitha grupmoshat. Edhe pse drejtuesit ndër vite të arsimit janë përpjekur për projekte të veçanta të arsimit të romëve, shifrën më të lartë të braktisjes së shkollës në rrethin e Fierit e përbën pikërisht ky komunitet.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›