E Diel, 1 Nëntor 2026

Mark Marku: PD-ja nuk mund t’i fitojë zgjedhjet

TIRANE - Deputeti demokrat Mark Marku shton kritikat ndaj PD-së, për mënyrën se si qeveriset, duke e nisur me mungesën e debatit të brendshëm politik. I ftuar mbrëmë në emisionin “Shqip”, deputeti i PD-së së qarkut të Lezhës argumentoi qëndrimin e tij kritik, duke thënë se duhet një rithemelim i PD-së dhe se qeveria është në stanjacion dhe duhet ndryshuar, pasi është konsumuar në 7 vite pushtet.
Z.Marku, nuk shkoni më në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së?
Jo, nuk isha në mbledhjen e grupit dhe jo përherë shkoj.
Pse jeni shndërruar në një kritik të PD-së?
Mendoj se është krijuar një edukatë politike në PD që, të mos shprehesh është më komode për karrierën politike. Në një farë mënyrë, të shprehurit e lirë pothuajse është shndërruar në një anomali politike dhe e shoh si shqetësuese dhe them se duhet hapur debat për këtë. Vërej se të flasësh është një sakrilegj, pas 20 vitesh të rënies së regjimit komunist. Ka ardhur koha që të hapet debati politik në PD.
Ju e keni votuar edhe Nishanin?
Po, e kam votuar. Procesi ka qenë i drejtë dhe kam qenë për president politik.
Edhe për Topallin?
Kam qenë për Topallin, pasi karriera e saj ka qenë në ngjitje. Mendoj se karriera politike duhet të zhvillohet në mënyrë të natyrshme dhe dikush që është kryetare Kuvendi ka më tepër logjikë për t’u bërë president se sa një ministër i Brendshëm. Është femër dhe përfaqëson shtresën e të persekutuarve.
Ju po thoni se znj.Topalli është e pakënaqur?
Jo, nuk po them këtë, nuk di të ketë pakënaqësi të znj.Topalli. Unë nuk di të ketë as grupe në PD, më tepër janë fantazi. Por individualisht shpreh një shqetësim intelektual.
Pati debat për kandidaturën e z.Zaganjori dhe z.Hoxha...
Janë dy kandidatura të implikuara me regjimin komunist. Përgjegjësia u bie atyre që kanë qenë propozuesit kryesorë, Z.Berisha dhe z.Meta. Nuk është bërë nga padija. Është mungesë përgjegjësie dhe e patolerueshme.
Besoni se z.Nishani do të jetë një president i pavarur?
Jo, nuk besoj, duke njohur qëndrimin e tij brenda PD-së, por vetë situatat do ta detyrojnë që të jetë i pavarur. Vetë ka thënë se nuk do të angazhohem në politikë pas presidencës dhe kjo e bën të jetë i pavarur, e bën të projektojë veten e tij.
Po presidenca e z.Topi, si ka funksionuar?
Në fillim z.Topi ka qenë një kandidaturë shumë e mirë, por ka funksionuar më keq. Ka pasur profil politik dhe ka funksionuar më mirë. Ka qenë si alternativë brenda PD-së qoftë dhe duke mos folur. Ka qenë më i tërhequr, më i moderuar. Në këtë mënyrë ka shprehur një lloj autonomie. Si president nuk e ka ushtruar, pasi ka menduar se autonomia fitohet duke mos vepruar. Të mos veprosh nuk do të thotë të mos jesh i pavarur.
Pse ka ndodhur kjo?
Besoj nga një naivitet i tij. Një figurë inaktive si Topi nuk mund të krijojë një strukturë partiake. Nuk ka një koncept z.Topi përveç pakënaqësisë personale. Nuk dalin jashtë marrëdhënies personale.
Ju, keni dalë jashtë marrëdhënies personale?
Unë nuk kam dalë jashtë PD-së. E kam pasur gjithë respektin e duhur, por nuk mundet që një formacion politik të shkojë në zgjedhje; e pamundur për t’i fituar për shkak të konsumit 8-vjeçar. Mendoj që PD duhet që për të fituar të ndryshojë tërësisht, thellësisht. Të konceptojë vetveten, të bëjë ndryshime. Edhe në se fiton kështu, qoftë dhe përmes llogarive elektorale, -është një ide që ekziston në PD, është dominuese, - pra nëse fiton në këtë formë, (PD i ka të gjitha mundësitë), nuk do të ketë asnjë vlerë as vetë për të. Do të jetë në një stanjacion. PD si strukturë është parti lider dhe natyrisht që z.Berisha është lider. Çdo gjë ndodh nga z.Berisha dhe figurat e tjera janë komplementare. PD nuk është vetëm Berisha, por edhe elektorati. PD është një aset i jetës publike dhe nuk mund të trajtohet si pronë. Edhe në PS vendos lideri, por kjo nuk do të thotë që vendos lideri për gjithçka.
Pra, ju po thoni që duhet të ndryshojë Berisha dhe jo PD?
Jo, s’po them të ndryshojë Berisha. Është një parti e ndikuar thellësisht nga z.Berisha.
Pse duhet bërë një rithemelim i PD-së?
Që ta rivitalizojë partinë, sepse duke ndenjur kaq gjatë, konsumohesh. Një parti nuk mund t’u drejtohet vetëm militantëve, sepse nuk e mban dot pushtetit, apo duke iu drejtuar një koalicioni. Nuk jam për koleksion figurash. Nga mosbashkimi i së djathtës tradicionale dhe asaj moderne, bashkë me të qendrës, PD nuk mund të fitojë. Është në pushtet me ndihmën e një partie të majtë. Ndaj, të rivitalizohet për të fituar një mandat të tretë.
Është një parti e shantazhuar dukshëm nga LSI. Kjo u pa dhe me ndryshimet në qeveri, sikur LSI kishte një qeveri më vete dhe PD një qeveri tjetër në vete. Kjo nuk është logjike. Në një qeveri nuk mund të ndryshosh 4 ministra, një tjetër dy ministra dhe ty të lë me 5 ministra. Kjo s’ka logjikë, aq më tepër një zooteknik që bëhet kryediplomat e kështu me radhë. Ndaj, të rithemelohet PD-ja dhe të rivitalizohet. Duhet ta ketë aleancën, nuk ka probleme nëse bën aleancë me një parti të majtë. Mund ta bëjë dhe me PS-në, por nuk mund ta bësh për shkak të përfaqësimit. E ka ulur brenda vetë PD. Dikur ka pasur shumë figura përfaqësuese të ish-të përndjekurve politikë, që përfaqësonin të djathtën tradicionale, gjë që sot është shumë e ulët, apo pronarët, etj.
Kë përfaqëson aktualisht PD-ja?
Besoj se PD e ka ruajtur bërthamën e saj, por e ka ngushtuar, ndaj ka përfaqësim më të dobët. Ka deputetë që nuk flasin, sepse përfaqësojnë vetëm karrigen. Atëherë pse duhet të qëndrojnë 4 mandate aty kur nuk është në PD një intelektual, në vend që të mbash dikë në mënyrë honorifike.
Ju keni marrë parasysh që mund të dilni nga politika?
Për mua nuk ka asnjë problem. Për mua rëndësi ka që të qëndroj me dinjitet dhe të dal me dinjitet. Unë kam pasur profesionin tim dhe nuk e kam zgjedhur këtë si punësim.
Si e shikoni Flamur Nokën në krye të Ministrisë të Brendshme?
Nuk e shikoj si ndryshim, por si një zëvendësim dhe e shikoj në frymën e ndryshimeve të bëra deri tani. Nokën nuk e gjykoj as për mirë dhe as për keq. Nuk dua të ndalem tek emrat. Por ndryshimet në qeveri i shikoj si domethënien që kanë. Ato duhen të bëhen për të reflektuar.
Janë mbyllur ndryshimet në qeveri...
Nuk më duket normale kjo, që të shkohet në zgjedhje pa ndryshuar qeverinë. Duhet të japim një mesazh tek zgjedhësit, me çfarë figurash do të shkosh para tyre.
Berisha e dha një mesazh, atë të Nokës…
Nuk më duket mesazh. Zgjedhjet duan frymë. Duhet të analizosh problemin që ke. Kam përshtypjen se mungesa për ndryshim, apo kokëfortësia për të mos ndryshuar ka të bërë me një lloj shkëputjeje të marrëdhënieve me qytetarët, sepse ne nuk i kemi instrumentet. Zgjedhjet nuk fitohen pa një realizëm. Sa i sigurtë ishte Ramiz Alia me Hekuran Isain, po aq i sigurtë je me Ministrinë e Brendshme.
Atëherë, pse e ka bërë z.Berisha?
Nuk është problemi te Flamuri. Në bindjen time qeveria është në stanjacion, disa ministra janë konsumuar.
Ka njerëz që flasin hapur në PD?
Po, ka njerëz që flasin hapur në PD. Tani ka më pak, por njerëzit e kanë më lehtë antikonformizmin sesa konfirmimin. Berisha është burim i konformizmit në PD. Vazhdoj të mendoj se z.Berisha nuk është tip korruptiv dhe nuk jam dakord me sulmet ndaj tij. Nuk jam plotësisht dakord që Berisha ushqen korrupsionin. Problemi është se PD ka ardhur në pushtet me kauzën e antikorrupsionit dhe pritshmëria ka qenë shumë e madhe.
Ju vjen keq kur mbroni njerëz të përfolur për korrupsion?
Jo, nuk më vjen mirë. Madje kam folur në mbledhjen e grupit. Debatin e kam bërë drejtpërdrejtë me z.Berisha, por ka pasur deputetë që kanë reaguar negativisht. Për sa i përket korrupsionit në sistemin e drejtësisë, përgjegjësinë e ka z.Topi. Sot ky sistem është më i akuzuar për korrupsion.
Po për sa i përket z.Kreshnik Spahiu?
Për z.Spahiu nuk besoj se do të ketë ndonjë akses tek shqiptarët. Ai është një nga përgjegjësit kryesorë të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Ndërsa z.Topi e shikoj si figurë serioze. Ka personalitet, dhe, në fillim kur është bërë president, e kam përshëndetur zgjedhjen e tij, sepse më është dukur figurë e moderuar, pritshmëri që z.Topi nuk i ka realizuar. Për sa i përket të ardhmes së tij politike, varet se si do të reagojë PD-ja. Nuk mund ta paragjykojmë, por, nëse do të kenë sukses, do të jetë për defekte të PD-së, që fatkeqësisht ekzistojnë.
Cili është projekti juaj politik ?
Kam ndermend që idetë e mia, për rithemelim e PD-së, t’i formalizoj, në formë të shkruar dhe idetë e mia do tja paraqes kryetarit të PD-së dhe kryeministrit z.Berisha, strukturave të PD-së dhe opinonit publik. Kështu që në këtë kuptim kjo është ajo që unë do të bëj, të qëndroj në PD. Nuk kam asnjë dëshirë që të shkoj në ndonjë formacion tjetër politik. Nuk mendoj t’ja shtroj si një lloj platforme, sepse do të ishte si arrogante por do ia parashtroj qëndrimet e mia dhe mendoj se do t’i shërbejë debatit. Gjithë këtë do ta formuloj shumë shpejt dhe ky do të jetë një material i zgjeruar, pjesën më të madhe e kam formalizuar. Mendimin nuk pranoj ta kolektivizoj pasi më duket shumë e rëndë. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›