Shkrimtarja franceze: Sekretet që më ka rrëfyer Mbretëresha Geraldinë

Shkrimtarja franceze Josephine Dedet
Një botim francez i muajve të fundit nxjerr në dritë detaje të reja mbi jetën e të parës Mbretëreshë të shqiptarëve, Geraldina. Josephine Dedet është shkrimtarja franceze e cila vendosi të ribotojë librin e saj me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, duke e pasuruar me kapituj shtesë, të pathëna interesante nga fëmijëria e Mbretëreshës, njohja me mbretin Zog, 60 vitet në ekzil, deri te pasionet e veçanta sportive
Për të, qysh në fëmijërinë e hershme, figura e Mbretëreshës Geraldinë përbënte një ngasje, njëherësh edhe kuriozitet të ngjashëm me ato marrosjet e vegjëlisë pas përrallave me princër e princesha. Ndërsa vite më vonë, miqësia dhe njohja e afërt me familjen mbretërore të Geraldina Apponyi-s i shërbyen për të krijuar kontaktet e para. Shkrimtarja franceze, Josephine Dedet, vendosi të ribotojë për të dytën herë librin e saj “Geraldina, Mbretëresha e shqiptarëve”, në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të shtetit Shqiptar, duke e prezantuar figurën e Mbretëreshës së parë të shqiptarëve në sytë e lexuesve anekënd botës, ashtu siç ajo e ka njohur. Fakte të reja interesante dalin në dritë, përmes kapitujve të këtij botimi letrar, duke zbuluar anët e panjohura të jetës së Mbretëreshës. Si u dashurua vajza 22-vjeçare me Mbretin Zog, ndërsa ky i fundit e kishte pëlqyer fillimisht përmes fotografive që i kishin rënë në dorë. Ftesa për të vizituar Shqipërinë do të ndryshonte kryekëput rrjedhën e jetës dhe fatit të Geraldinës. Sundimi i monarkisë së Zogut do të ishte afatshkurtër, ndërsa arratisja me djalin e sapolindur, dhe 60 vitet në ekzil do të ishin më të vështirat për Mbretëreshën Geraldinë dhe familjen e saj. Në librin e shkrimtares franceze, zbulohen për herë të parë edhe fletë nga ditari i të vëllait të Geraldinës, i cili e kish takuar të motrën gjatë momenteve të arratisjes në gjendje të mjerueshme shëndetësore e në prag të vdekjes. Josephine Dedet, në këtë rrëfim të veçantë për suplementin “Unë Gruaja”, sjell copëza nga jeta “aventureske” e Mbretëreshës së parë të shqiptarëve.
Si ju lindi ideja e të shkruarit të një libri për Mbretëreshën e shqiptarëve, Geraldinën?

Kopertina e librit me titull Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve
Biografia ime e parë “Geraldina, Mbretëresha e shqiptarëve” është botuar për herë të parë në Francë në vitin 1997. Disa muaj më vonë, libri u botua në mënyrë të paligjshme dhe, ç’është më e keqja, ishte përkthyer në shqip në një mënyrë aspak korrekte. Në shkurt të këtij viti vendosa ta ribotoj këtë libër për të dytën herë, por në një version të ri, të pasuruar me dëshmi të reja, foto e dokumente interesante, për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në kujtim të Mbretëreshës, e cila vdiq 10 vjet më parë në Tiranë, midis jush, popullit shqiptar, të cilin ajo e donte aq shumë dhe që ajo i kushtoi tërë jetën e saj. Vendosa ta rishkruaj sërish këtë libër për tri motive kryesore. Së pari, sepse një krijim letrar si i imi nuk është realizuar kurrë më parë, ndërsa unë pata shansin që ta takoja nga afër Mbretëreshën Geraldinë dhe të kisha dëshmitë e saj. Së dyti, Mbretëresha Geraldina gjithnjë më ngjallte kuriozitet, si një njeri me karakter të veçantë. Karizma e saj, mirësia dhe dashuria e thellë për një vend tjetër, që nuk ishte Hungaria, vendlindja e saj, më prekën shumë. Dhe së treti, si një shkrimtare dhe historiane, kam gjetur shumë frymëzim në figurën e Mbretëreshës Geraldinë. Jeta e saj ishte sa e bukur, aq edhe tragjike. Për më tepër, ajo ishte e lidhur ngushtë dhe e gërshetuar me historinë europiane të shek XX. Kjo lidhje mes jetës së saj personale dhe fatit të Europës më ka interesuar edhe më shumë.
Për një lexues të ri, si do ta përshkruanit figurën e Mbretëreshës Geraldinë?
Geraldina ishte e bija e një trashëgimtareje të pasur amerikane (por të shkatërruar keq) dhe e një fisniku hungarez. Ajo ishte magjepsëse dhe moderne, praktikonte të gjitha llojet e sportit, dhe në të njëjtën kohë kishte prejardhje aristokrate e lidhje familjare me pothuajse të gjitha shtëpitë europiane mbretërore. U rrit mes Hungarisë, Austrisë dhe Francës (kur nëna e saj e mbetur vejushë u rimartua). Geraldina punonte në një muze për të kursyer para, kur në dhjetorin e vitit 1937 krejt papritur ajo u ftua nga Mbreti Zog për të vizituar Shqipërinë, ndërkohë që ky i fundit ishte ende beqar dhe në kërkim të gruas së jetës. Ky udhëtim ndryshoi fatin e saj. Ajo ra në dashuri në shikim të parë me njeriun dhe vendin. Është interesant fakti se Geraldina ka qenë gjithmonë në qendër të historisë europiane: gjatë ngritjes së fashizmit, pastaj në Francë dhe në Angli gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Egjipt deri sa Mbreti Faruk u rrëzua nga froni dhe gjatë Luftës së Ftohtë, e cila i shkaktoi asaj shumë vuajte sepse dy mbretëritë e saj, Shqipëria, dhe toka e lindjes Hungaria, ishin nën sundimin komunist. Së fundi, ajo përjetoi gëzimin më të madh të jetës në vitin 2002, kur pas 60 viteve mërgim, u lejua të kthehet në Shqipëri. Duke vepruar kështu, ajo plotësoi dëshirën e saj dhe ëndrrën e të shoqit. Një natë para se të vdiste (në vitin 1961), Mbreti Zog kishte parë Geraldinën në një anije, duke arritur në portin detar të Durrësit. Dukej një zonjë e vjetër, por ende e bukur.
Përveç interesit ngushtësisht profesional, ka ndonjë nxitje tjetër të jashtme për t’u marrë me figurën e saj?

Geraldina, ditën e martesës së të motrës, konteshës Virginia Apponyi. Kjo është një nga fotot që iu prezantua mbretit Zog, ndërsa ai ishte në kërkim të bashkëshortes së ardhshme
Kisha dëgjuar për Mbretëreshën Geraldinë që në fëmijërinë time. Prindërit e mi ishin miq të ngushtë me gjysmë vëllain francez të saj, Guy Girault, ndërsa unë kam mundur të takoj motrën e saj hungareze, konteshën Virginia Apponyi. Kur isha ende e vogël, historia e saj më ngjante me një përrallë. Por më vonë, kur studiova Shkenca Politike dhe Histori, u bëra e vetëdijshme se jeta e saj dhe historia e Shqipërisë përbënin një temë të jashtëzakonshme studimore. Në sajë të ndihmesës që i vëllai më ofroi, unë munda t’i shkruaj një letër Mbretëreshës Geraldinë, duke i kërkuar të më jepte disa dëshmi personale të sajat, dhe në momentin që pranoi ftesën time për të bashkëpunuar, fillova menjëherë të shkruaj librin. Gjatë një viti kemi shkëmbyer dhjetëra e dhjetëra letra rreth historisë së familjes së saj, fëmijërisë dhe viteve të rinisë, si e kishte takuar ajo Mbretin Zog, sundimin njëvjeçar mbretëror, si u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitin 1939 dhe 60 vitet në ekzil. Pastaj, në vitin 1996, e vizitova Mbretëreshën aty ku jetonte, në Afrikën e Jugut. Ajo më dha të gjitha dokumentet që kishte duke më hapur zemrën, ndërsa asnjëherë nuk më kërkoi që t’i hidhte një sy librit përpar