E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtypi botëror: Spanja, më e mira e historisë

TIRANE - Për italianët lot e zhgënjim, ndërsa në Spanjë ka patur vetëm ekzaltim. Një situatë logjike në shtypin e këtyre dy vendeve pas finales së Europianit, të cilën Spanja e Del Boskes e fitoi 4-0. "Tricampeones", ishte titulli i madh i "AS". "Kampionë! Skuadra më e mirë e historisë", nënvizon më tej ajo. Spanja u bë skuadra e parë që fiton radhazi Europian, Botëror dhe sërish Europian në harkun e 4 viteve.

"Spanja dhe asnjë tjetër", ishte titulli i "Marcas", ndërsa "El Mundo Deportivo" kishte zgjedhur një fjalë të thjeshtë: "Historike!". Imazhi i Kasijas, që ngrinte në qiell trofeun, dominonte edhe faqen e parë të të përditshmes politike "El Pais". "Spanja fiton kurorën e trefishtë", titullonte ajo. Por, mediat kanë nënvizuar edhe paraqitjen e Spanjës, një skuadër që sipas Marca-s, "ka hyrë tashmë në legjendë". Ndërsa "AS" e quan fitoren 4-0 ndaj Italisë si "paraqitjen më të mirë në historinë e finaleve të kampionatit europian". Gazetat zgjedhin futbollistët më të mirë të këtij Europiani Kasijas, Iniestën dhe Torres. 

Nuk mungojnë elozhet as për Ksavin, i konsideruar "një arkitekt i vërtetë arti, një futbollist legjendar që fiton trofeun e 23-të personal në karrierë". "Marca" shkruan se "skuadra e Del Boskes është një gjeneratë fenomenesh, që ka treguar se është ende utopi ta mposhtësh, megjithë kombëtaren e revolucionalizuar të Prandelit, me ofensivja që është parë ndonjëherë". Gjithsesi, gazetat spanjolle nuk i kursejnë kritikat për Italinë dhe për Prandelin, që sipas tyre, bëri disa zgjedhje të gabuara. Spanja ndërkohë ka marrë elozhe nga e gjithë bota.

"Gracias", është titulli i "L'Equipe" në gjuhën spanjolle, një zgjedhje e çuditshme kjo. Sipas gazetës franceze, "futbolli spanjoll po dominon botën, duke arritur një sukses historik". "Le Parisien" e quan Spanjën "skuadrën më të bukur të të gjitha kohërave", që ofroi spektakël, "duke shkatërruar Italinë".

Ndërsa për "Le Figaro", "Italia përfundoi në centrifugën spanjolle". Nuk kanë munguar elozhet as në Gjermani. "Felicitation!" (Lumturi) është titulli i madh i "Bild". "Spanja fiton finalen e Tiki-Takas", shkruan më tej ajo. "Tripletë! Spanja në festë", shkruan tabloidi i Berlinit "T.Z.". "Mrekullia spanjole", është titulli i prestigjiozes "Die Ëelt". Elozhe pafund edhe në Angli. "Është sërish Spanja", titullon e përditshmja "Daily Star".

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›