Miss-i i Skraparit: Unë, karremi i bandës së Durrësit për vrasjen e Marsel Sotirit
Rrëfimi i 17-vjeçares me emrin Valbona për historinë e dashurisë me Klodian Saliun, që do të ndryshonte kryekëput jetën e saj. “Klodiani kërcënoi se do të më vriste familjen, nëse nuk do të bëhesha e dashura e Marsel Sotirit. Momenti i vrasjes dhe si më treguan më vonë se në atentat kishin marrë pjesë Lul Berisha, Klod Saliu dhe Indrit Taullai”
Një 17-vjeçare, ish-Miss në Çorovodë, është kthyer në personazh për bandën e Durrësit, për rolin që ajo është detyruar të luajë në ekzekutimin e Marsel Sotirit. Një histori dashurie me Klodian Saliun do të ndryshonte kryekëput jetën e Valbonës, e cila ka shërbyer më pas si femra e kurthit për 25-vjeçarin Sotiri. Në dëshmitë e saj të gjata për Prokurorinë, Valbona tregon betimin e Klodian Saliut, se do të vriste edhe fëmijët në djep të atyre që kishin vrarë Arben Pajën dhe Ilir Xhungën; infiltrimin e saj si e dashura e Marsel Sotirit, dhe vrasjen e këtij të fundit. Më pas, Valbona rrëfen se është strehuar për disa javë tek shtëpia e Plaurent Dervishit, e më pas ka ikur në Itali së bashku me Saliun, Berishën e Taullain, të cilët donin me çdo kusht të humbnin gjurmët pas vrasjes së Sotirit. Në Itali fillon seria e dytë e jetës së 17-vjeçares, kalimi i saj dorë më dorë nga Klodian Saliu tek Indrit Taullai dhe shfrytëzimin si prostitutë. E kur më në fund ia doli të kthehej në Shqipëri, ajo mbahet peng për javë të tëra në një shtëpi në Durrës, nga frika se dëshmia e saj mund të fundoste Klodian Saliun. “MAPO” boton sot dëshminë e plotë të Valbonës, e cila është njëherazi histori e bandës dhe e jetës së saj.
“Kujtoj se në muajin shkurt të vitit 1999, familje ime u transferua nga Çorovoda për në qytetin e Durrësit. Ne, atje u sistemuam në një shtëpi private me qira, afër me spitalin e qytetit të Durrësit. Unë në atë kohë isha 17 vjeç dhe u shkëputa nga shkolla e mesme, që e bëja ditën në qytetin e Çorovodës, dhe u regjistrova përsëri në qytetin tim, që ta mbaroja shkollën e mesme me korrespodencë...Ngaqë isha e papunë, unë shpesh dilja në qytetin e Durrësit dhe atje takova një patrioten time nga qyteti i Çorovodës, me emrin Edlira. Edhe Edlira kishte ardhur me shtëpi në qytetin e Durrësit, disa kohë para nesh. Ajo e kishte shtëpinë afër lagjes Spitallë të Durrësit, ngjitur me varrezat e vjetra të qytetit. Sot ajo është e martuar dhe ka ikur në Itali me burrin e saj, i cili ka qenë banor i Spitallës. Edlirën e njihnin dhe prindërit e mi si vajzë nga Skrapari, po kështu dhe unë njihja prindërit e saj. Mesa kujtoj, babai i saj quhej Ismet. Meqë ishim të dyja patriote, ne u bëmë shoqe dhe dilnim bashkë kur kishim kohë. Edlira, pas një muaji që unë kisha shkuar në Durrës, më prezantoi me një shokun e saj nga Spitalla, me emrin Klodian Saliu, i cili në atë kohë ishte i moshës 23 vjeç. Në momentin e njohjes, Klodiani ishte me një autoveturë “Benz” kabrio me ngjyrë të zezë, targat kanë qenë të Durrësit, numrat nuk ia mbaj mend. Pasi u prezantuam atë dite, Klodiani na ftoi të pinim një kafe në një lokal të Bisht-Pallës dhe atje kur ne po rrinim në lokal, erdhi dhe një shoku i tij me emrin Ilir Xhunga, i cili ishte i moshës rreth 23 vjeç. Kur erdhi Iliri atje, pasi u prezantua me mua, u ul pak në tavolinën tonë dhe më pas i kërkoi Edlirës ta shoqëronte në një tavolinë tjetër, me qëllim që të më linte mua vetëm me Klodin. Kur ishim vetëm, Klodi më propozoi mua që të lidhesha me të dhe unë për momentin i kërkova pak kohë, pastaj do t’i jepja përgjigje. Që atë ditë, Klodi vinte pothuajse përditë te lagja ime dhe priste përgjigje. Unë pranova dhe hipa në makinën e Klodit, së bashku me Edlirën. Në momentin që unë hipa në makinë kam parë tek vendi i parë i pasagjerit, d.m.th, aty ku hipa unë, një automatik “Kallashnikov”dhe një radio policie. Unë u habita dhe pyeta Klodin se ç’ishin ato dhe ai më tha se i duheshin për vetëmbrojtje se kishte njerëz të ligj në qytet. Pas kësaj ne u nisëm për në Bisht-Pallë dhe atje erdhi Ilir Xhunga, që mesa vura re unë, e thërriti Klodi me telefon celular. Ai erdhi aty me një “Golf” me ngjyrë gri të errët. Kur u takuam, ndenjëm pak bashkë dhe u ndamë, Klodi me mua dhe Edlira me Ilirin. Që atë ditë unë e pranova propozimin e Klodit dhe filloi lidhja jonë. Mbas disa ditësh, unë i kërkova Klodit që ai të më gjente një punë, pasi e kisha të vështirë që të dilja nga shtëpia dhe ai ma gjeti atë tek një rrobaqepësi afër me varrezat e vjetra të qytetit. Duke u bërë e dashura e Klodit, unë u njoha dhe me shokët e tij të ngushtë, si Arben Pajën, Ilir Xhungën, Indrit Taullain dhe Plaurent Dervishin, ndërsa Lulëzim Berishën nuk e njihja nga afër, por si fytyrë e kisha parë kur shoqërohej me personat e mësipërm. Siç e thashë edhe më sipër, unë pas njohjes me Klodin shumë shpejt u njoha dhe me shokët e tij, të cilët vinin tek rrobaqepësia për të më takuar mua, si dhe për të parë ndonjë gocë, pasi aty punonin shumë vajza të reja. Indrit Taullai në atë kohë ishte i moshës rreth 25 vjeç, po kështu edhe Arben Paja i asaj moshe duhet të ketë qenë. Nuk e mbaj mend mirë si kohë, por rreth 3-4 muaj nga njohja ime me Klodin, si vit ka qenë viti 1999, u vranë me armë zjarri te kryqëzimi i Spitalit të qytetit të Durrësit dy shokët e Klodit, Arben Paja dhe Ilir Xhunga.
Varrimi i Pajës dhe Xhungës
Unë atë ditë kisha dalë për darkë me motrën dhe gocën e xhajës, e cila kishte ditëlindjen. Kur u kthyem prej andej, pamë se kishte ndodhur vrasja e Ilirit dhe e Arbenit. Atë ditë unë nuk e takova dot Klodin, por të nesërmen, u pamë në varrimin e Arben Pajës, pasi shoqërova të dashurën e Benit. Atë ditë unë nuk u takova me Klodin, me të u takova të nesërmen në darkë. Kur u takuam, e pyeta për vrasjen e Benit dhe të Ilirit dhe ai më tha se ata i vrau një hasmi ynë, Marsel Sotiri nga qyteti i Durrësit. Ai më tha mua se atë natë kur ndodhi vrasja kishte qenë tek shtëpia e Lul Berishës, dhe me të kishte qenë dhe Plaurenti, ndërsa Indrit Taullai kishte qenë në makinë me Benin dhe Ilirin, por dikush e kishte zbritur nga makina disa momente para se të bëhej vrasja. Atë ditë ai u betua se për vrasjen e Ilir Xhungës dhe të Arben Pajës do të merrte hak, duke vrarë dhe foshnjat në djep të atyre që bënë këtë gjë. Unë nuk e di se nga e kishte marrë vesh Klodi se kush kishin qenë vrasësit. Një ditë, kur shkova me të dashurën e Ben Pajës në varreza, në kthim kemi parë varrin e Tan Sallakut dhe ajo në atë çast më tha se Tanin e ka vrarë Klodi. Ditën e nesërme, Klodi vjen përsëri dhe më merr tek shtëpia dhe kemi shkuar tek shtëpia e vëllait të vet, e cila ndodhej në Spitallë, një vilë afër zdrukthëtarisë. Atë natë Klodi më tha se kishte biseduar me shokët e tij, por nuk më tha se me kë dhe aty më hap muhabetin se si do të vriste Marsel Sotirin.
Kurthi për Marsel Sotirin
Ai më tha se kemi bërë plan që të çojmë ty në plazh të Durrësit, në qoftë se ti e bën, dhe atje do të njihesh me Marselin, i cili jeton aty dhe pasi të njihesh, ti do të na e nxjerrësh në shteg atë, duke u bërë si e dashura e tij dhe ne do ta vrasim. Ai më porositi që me të, të kisha shumë kujdes, dhe të mos i bija në sy se isha e futur nga ndonjë person. Po kështu, ai më porositi që kur ta njihja Marselin, t’i bëja ndonjë provokim femëror dhe pastaj të lidhesha me të. Fillimisht unë nuk pranova në asnjë mënyrë të bëja një gjë të tillë dhe e kundërshtova që në moment atë. Ai u nxeh dhe më kërcënoi se do të më zhdukte gjithë familjen time. Atë ditë u ndamë dhe pas insistimit dhe presionit të tij prej disa ditësh, unë pranova që të bëja atë që donte ai. Në këtë bisedë që më bëri mua, ai ka qenë gjithmonë i vetëm. Kujtoj se unë, për vrasjen që ata do t’i bënin Marsel Sotirit e kam pyetur Klodin: “Po ti, vetëm do ta bësh këtë punë?”. Ai më është përgjigjur që ‘jo, me mua do të jenë Lulëzim Berisha, Indrit Taullai dhe Plaurent Dervishi dhe të katër kemi vendosur ta bëjmë këtë vrasje’. Ai me tha se do të merrte një shtëpi me qira në zonën e plazhit për mua dhe familjen time dhe unë duhej t’u thosha prindërve që të shkonim 15 ditë në plazh, si dhe mos t’u tregoja për vrasjen e Marselit. Kohën që kemi bërë këtë bisedë, unë kujtoj se ka qenë fund qershori ose fillim korriku 1999. Pas këtij propozimi, vajta në shtëpi dhe bisedova me motrën time, Gentën dhe i thashë asaj të gjitha muhabetet që më tha Klodi. Ajo në mënyrë të prerë nuk pranoi një gjë të tillë. Unë, e ndodhur në një pozitë të vështirë dhe duke ditur se kush ishte Klodi, iu luta që ajo ta bënte për mua këtë gjë dhe të vinte në plazh. Atëherë, ajo e detyruar nga fjalët e mia dhe nga frika që kisha unë, pranoi dhe pas kësaj, ne të dyja u mbushëm mendjen dhe prindërve që të vinin dhe ata në plazh me ne.
Prezantimi me Marselin
Pasi çova familjen në plazh, Klodi që ditën e parë më ka thënë: “Nëse ti gabon, ruaje familjen tënde!” E kishte fjalën se mos unë bëja gabim dhe i tregoja Marselit si ishte e vërteta. Unë i thashë se çdo gjë varej nga ai, nëse më lë që unë të bëj gabim, unë do ta bëj gabimin. Ai më tha se Marseli rri tek “Pista” ose tek lokal “Kashta” dhe për këtë gjë, do ta bëja plazhin në këto vende. Unë Marselin nuk e njihja fizikisht dhe Klodi më solli një fotografi shumë të vjetër, ku Marseli kishte dalë me dy shokët e vet, të cilët unë nuk i njihja...Ditën e parë të plazhit, nuk e pashë Marselin. Ditën e dytë, unë dola si zakonisht me familjen për të bërë plazh tek i njëjti vend dhe atje, në një moment hyra tek pista për të blerë një bidon me ujë dhe pasi i pagova lekët, dëgjova një djalë të ri të thoshte se lekët do t’i paguante ai. Unë nuk pranova, ndërsa u largova. Këtë person, unë nuk e kisha njohur më parë. Pas disa minutash, unë bashkë me motrën shkova për të pirë një kafe tek lokali i pistës, dhe aty vjen kamerieri, një djalë nga Skrapari, të cilin e pyeta kush ishte ai personi që do të më paguante ujin. Ai m’u përgjigj se ai është një djalë nga Durrësi dhe quhet Marsel Sotiri dhe është shumë çun i mirë. Unë akoma nuk e kisha fiksuar për fytyrë se kush ishte Marseli. Pasditen e asaj dite dola vetëm me motrën dhe kemi shkuar tek ‘Pista’ dhe aty vjen përsëri ai dhe tha që kafet janë të paguara. Ne nuk pranuam dhe i paguam vetë. Pas kësaj, ne u ngritëm dhe dolëm dhe kur ishim në dalje të pistës, ky personi na u afrua me një makinë “Audi” me ngjyrë të kuqe, zbriti nga makina dhe duke m’u drejtuar mua, më tha që ‘e kam me ty’. Unë i thashë, fol ç`ke për të thënë se do iki në shtëpi. Ai m’u prezantua duke më thënë se quhej Marsel Sotiri, 25 vjeç dhe me origjinë nga Fieri. Ai në këtë moment më ofroi një kafe dhe të bisedonim në lidhje me njëri-tjetrin, unë i thashë ta linim për të nesërmen pasi isha vonë për shtëpi....Kur u takuam të nesërmen, unë i kërkova një tufë me lule që ishin të mbjella në ambientet e lokalit e që mua më pëlqenin. Marseli thërriti kopshtarin dhe e porositi që t’i sillte një tufë me lule nga ato që i kërkova unë dhe kopshtari këputi disa nga ato dhe ia solli Marselit, i cili m’i dha mua. Kur ishim duke pritur lulet, Marseli kishte një pistoletë me vete, të cilën e mbante në mes të një reviste, dhe unë në atë moment e pyes se ç’ishte ajo armë që ai mbante dhe ai më thotë se i duhej që të mos i bënin keq njerëzit, pasi kishte njerëz të këqij. Aty ai më tregoi se kjo pistoletë edhe në avion të futej, nuk bënte sinjal, pasi kishte përbërje kauçuku.
Ekzekutimi i hasmit të bandës
Të nesërmen unë pata shumë frikë dhe isha gati t’i tregoja Marselit që mund t’i përgatisnin një kurth, por nuk guxova, pasi nga ana tjetër kisha frikë nga Klodiani, sepse nëse dilte gjë, edhe ai mund të më vriste.....
Ne lamë “Audin” dhe u nisëm me BMW për në shtëpi dhe si gjithmonë, i dolëm nga rruga që unë kam thënë më sipër. Meqë ai ndërroi makinë, mua më zuri frika se mos Marseli kishte kuptuar ndonjë gjë. Kur mbërritëm në shtëpi, e para zbriti motra, e cila u largua pak më tutje, kurse unë në makinë qëndrova pak më tepër me Marselin duke u përqafuar, dhe në kohën që unë i thosha atij se do të ikja dhe hapja siguresën e dyerve, ai m’i mbyllte ato menjëherë. Më pas, unë i thashë atij se po na priste Genta dhe ai më tha ‘mirë se po të përcjell unë’. Në këtë çast mori dhe pistoletën me vete. Kur dolëm nga makina, unë i thashë Marselit që të bënim një xhiro deri tek shinat e trenit, të cilat nuk ishin më larg se 10 m nga shtëpia ime dhe kur shkuam atje, dëgjuam një si kërcitje bidoni plastik. Aty, menjëherë Marseli më pyeti nëse dëgjova ndonjë zhurmë, kurse unë i thashë jo, pasi më zuri frika se mos kishin ardhur Klodi me shokët për të bërë vrasjen e tij. Nga ky moment, unë i thashë Marselit ‘ik, se nata është e frikshme’. Ai në këtë moment më puthi dhe e lamë për t’u takuar të nesërmen. Unë u futa në oborr të shtëpisë dhe nuk kisha hyrë akoma brenda saj dhe aty gjeta Gentën me kalamajtë dhe me plazhistët e tjerë, që rrinin tek shtëpia jonë, kur në këtë moment dëgjoj krisma dhe breshëri armësh, jo më larg se 10 metra nga ku isha unë. Në këtë çast mendova se Klodi me të tjerët e kishin vrarë Marselin dhe nga frika hyra brenda në shtëpi, pa parë se ç’po ndodhte jashtë saj. Pas një gjysmë ore aty erdhi policia dhe u mor vesh se ishte vrarë një person, që unë e mendova në çast se ishte Marseli. Dua të them se Marseli, ditën që u vra kishte veshur një këmishë me mëngë të shkurtra dhe me disa cërka të bardha dhe një palë pantallona të gjata si ngjyrë bezhë ose kafe. Ishte i gjatë rreth 1.90 m, me trup atleti, kishte flokë ngjyrë gështenjë në të hapur dhe po kështu kishte dhe tiparet.
Kalvari i pasëm i 17-vjeçares
Ditën e nesërme të vrasjes, mua më ka ardhur në shtëpi vëllai i Klodit, Shkëlqim Saliu dhe më ka thënë se do të vijë Klodi në darkë dhe do të takojë. Shkëlqimi ishte vëllai i madh i Klodit dhe ishte rreth 35 vjeç, me trup mesatar, nuk ishte i gjatë. Klodi erdhi në darkë dhe më takoi mua dhe më tha se do t’i kërkonte familjes sime që ne të dy do të iknim në Itali për një jetë më të mirë dhe do të jetonim bashkë. Para vrasjes së Marselit, familja ime kishte vendosur të kthehej në Skrapar, pasi nuk e përballonte më qiranë dhe ka ndërhyrë Klodian Saliu, duke më thënë mua se do të na fuste për ca kohë tek shtëpia e vjetër e Indrit Taullait në Spitallë. Unë u thashë njerëzve të mi se duhet të futeshim te kjo shtëpi dhe ata ranë dakord kur morën vesh se nuk do të paguanim qira. Klodi erdhi në shtëpi natën vonë dhe takoi prindërit e mi, të cilëve iu tha se ai do të më merrte mua për në Itali dhe atje do të jetonim një jetë më të mirë. Së bashku me Klodin ishte dhe Indrit Taullai. Prindërit e mi, të ndodhur para këtij fakti pranuan që unë të shkoja me Klodin për në Itali. Që nga ai moment unë ika nga shtëpia bashkë me Klodin dhe shkuam në një shtëpi tjetër. Pas dy ditësh kemi shkuar tek shtëpia e Plaurent Dervishit, e cila ndodhej në një pallat 5-katësh, aty ku ka shtëpinë dhe vilën Lul Berisha dhe sot. Unë kam ndenjur në një apartament në katin e tretë në të njëjtën shkallë me shtëpinë e nënës së Plaurentit. Në këtë shtëpi kam qëndruar për një periudhe deri tri javë, përgjatë kësaj kohe zbrisja edhe tek shtëpia e nënës së Plaurentit, tek shtëpia e Lulit dhe takohesha me pjesëtarët e të gjithë familjes së tyre. Konkretisht me nusen e Lulit, me nënën e Plaurentit, me nënën e Lulit, Rabijen, dhe të atin e tij, Ademin. Fillimisht, menjëherë pas vrasjes së Marselit, të gjithë çunat që morën pjesë në vrasjen e tij: Klodi, Luli, Lenti dhe Indriti, strehoheshin në këtë banesë ku rrija dhe unë. Aty shpeshherë vinte dhe një person si jevg, që i thërrisnin Tiku. Unë mora vesh aty se si ishte bërë vrasja e Marselit, bile edhe kur unë i pyeta ‘pse ju ishit ata që bëtë pak zhurmë në momentin që unë isha me Marselin tek shinat’, në atë kohë m’u përgjigj Luli se zhurmën e kishte bërë ai, pasi kishte shkelur një bidon plastik. Klodi, në një nga ditët që ne po rrinim aty, më kishte thënë: ‘Luli donte të më vriste së bashku me Marselin, pasi me këtë rast ai donte të zhdukte çdo dëshmitar, por atë nuk e lashë unë, se kisha frikë se këtë gjë e dinte dhe motra jote, dhe më pas do të kishim probleme. Klodi më kishte thënë se në vrasjen e Marselit morën pjesë Indrit Taullai dhe Plaurent Dervishi si dhe Luli, i cili ma pohoi edhe vetë qenien e tij në momentin e vrasjes.
Arratisja në Itali dhe lidhja me Taullain
Të parët që ikën në Itali ishin Klodi dhe Luli. Ata ikën me anijen e një shoku të tyre, të cilin unë nuk e njoha. Më pas kemi ikur ne të tjerët me radhë, edhe unë kam ikur me anijen që iku Luli me Klodin. Kujtoj se unë kam ikur në Itali në muajin gusht 1999. Në shtëpi erdhi më mori vetë pronari i anijes, pasi kishte porosi nga Klodi. Në lagje më përcolli Indrit Taullai si dhe njerëzit e Lulit. U nisa me anije dhe përfundova në Bari, ku më priste një shoku i Klodit, i cili kishte një fotografi timen dhe pasi më njohu më tha se po më priste. Atë person e njihte dhe pronari i anijes, i cili u takua me të. Nga aty, ikëm direkt në Breshia, ku u takova me Klodin, aty kemi qëndruar në një shtëpi dhe e kishim në plan që do të shkonim në Ravena. Kemi shkuar pas një jave në Ravena, së bashku me Klodin dhe aty kemi takuar një femër me emrin Diana, me origjinë nga Fushë-Arrëzi, e cila kishte punuar si prostitutë. Në të njëjtën kohë erdhën edhe Luli me Plaurentin. Atje Luli u lidh përsëri me Dianën dhe aty më prezantoi dhe mua me të, duke i thënë asaj që edhe Valbona do të rrijë ca dite tek shtëpia jote deri sa të marrë një shtëpi me qira. Në shtëpinë e Dianës jetonte kunati i saj dhe unë, ndërsa Klodi me të tjerët shkuan te jetonin në Breshia. Ne me Dianën morëm një shtëpi të madhe me qira përsëri në Ravena, kur aty erdhën të gjithë: Lul Berisha, Indrit Taullai, Plaurent Dervishi dhe Klod Saliu. Lenti me Klodin lëviznin më shpesh, pasi nuk kishin vend se ku të flinin në atë shtëpi. Gjatë kësaj kohe pashë se djemtë merreshin me drogë, të cilën unë nuk e dija nga e merrnin dhe ku e çonin. Po kështu, ata sillnin para të shumta në shtëpi, të cilat i mbanin në kuti këpucësh mbi dollapin e rrobave. Një ditë në telefon mori Lul Berisha dhe i tha Indrit Taullait që të bënte gati 100 milion lireta, pasi duheshin për të blerë mall. Unë së bashku me Dianën dhe Indrit Taullain filluam të numëronim paratë. Faktikisht, dua të them se unë me Klodin ishim ndarë para një muaji e gjysmë, sepse kishte folur Indrit Taullai sikur unë isha dashnorja e tij. Dhe për këtë gjë, Klodi i ndërpreu marrëdhëniet me mua duke më thënë se ishte më mirë të rrija me Indritin, se sa me të dhe në atë bisedë, Klodi më bëri të njohur lidhjen e tij me Bonën, mbiemrin e saj nuk e di. Ajo kishte qenë dhe më parë në Itali dhe kishte punuar për Klodin në rrugë. Gjatë kësaj kohe që unë isha ndarë nga Klodi, u lidha me Indrit Taullain në marrëdhënie dashurie. Aty nga fillimi i muajit dhjetor të vitit 1999, unë u largova nga Ravena, pasi u zura me Indrit Taullain, i cili më tha se do të ikte në Shqipëri dhe mua do të më linte aty të rrija vetëm si qen. Në atë kohë unë u detyrova të ikja tek njerëzit e mi, që i kisha në Itali…...”
Dëshmia e Jahos më 27 shtator 2006
Gjatë qëndrimit në Ravena, Indrit Taullai më përdhunoi duke më kërcënuar gjatë kohës që rrinte me mua. Ai krahas përdhunimit, më kërkoi të rrija me të dhe të ushtroja prostitucion për llogari të tij. E kërcënuar prej tij, kam qenë e detyruar që të rri me të, jashtë dëshirës sime. Nga qyteti i Ravenës jemi nisur prapë për në Breshia dhe ka qenë periudha kur policia italiane kapi Lul Berishën. Në këtë kohë, Klodi bashkë me Lentin kishin ardhur në Shqipëri, ndërsa Indriti ndenji dhe ca kohë me mua, pastaj erdhi për Shqipëri. Para se të vinte në Shqipëri, Indriti më kërcënoi që të shkoja në qytetin e Bergamos dhe të ushtroja prostitucion, nën mbikëqyrjen e Gani Taullait. Në Bergamo më priti Gani Taullai që është kushëriri i Indritit nga Durrësi. Siç kam deklaruar, Ganiu ishte në moshë afërsisht sa unë dhe në këtë qytet nuk vura re që të merrej me ndonjë pune, por me sa kuptova, përpara se të shkoja unë, ai ishte marrë me femra, pra me shfrytëzimin e tyre për prostitucion. Që të nesërmen, Ganiu më nxori në rrugë të punoja si prostitutë. Në rrugë si prostitutë unë punova rreth 5 muaj dhe në punë, unë dilja në darkë, rreth orës 21:00 dhe qëndroja deri në mëngjes. Muajin e parë nuk fitoja shumë, rreth 200 mijë deri në 300 mijë lireta në natë, ndërsa muajin e dytë dhe të tretë fitoja nga 700 mijë deri në 1 milion e 200 mijë lireta në natë. Të gjitha paratë, çdo natë m’i merrte Ganiu, duke më thënë që do të m’i ruante, ndërsa e vërteta ishte që ia çonte Indrit Taullait në Shqipëri. Këtë më duket se e bënte që unë të mos i ikja nga puna, që bëja në rrugë. Pas rreth pesë muajsh që unë prostituoja me Ganiun bëra llafe dhe vendosa me gjithë kërcënimet e tij të largohesha dhe të jetoja e vetme, e ndarë prej tij.... Nga hoteli ku isha, Ganiu i telefonoi Indritit dhe i tha që Bona nuk do të pajtohet se do të kthehet në Shqipëri. Ndërkohë, më telefonon Indriti dhe më shan dhe unë ia fika telefonin. Mbas dy ditësh, më ka telefonuar prapë Indriti dhe më ka thënë që të kthehesha për në Shqipëri.... Pasi u ktheva në Durrës, aty në port, siç kam deklaruar më priste G. S., shok i Lul Berishës dhe Indrit Taullait. Sapo zbrita nga trageti më afrohet G. dhe më tha se ishte i dërguari i Indrit Taullait dhe se unë duhej ta ndiqja nga pas. Për të mos pasur mundësi që unë të kontaktoja me policinë e portit, ai takoi një polic, i cili e ndihmoi të dilnim pa probleme. Ai më çoi me makinë tek Indrit Taullai, tek zdrukthëtaria në Durrës. Që këtu me Indritin dhe G. shkuam në një hotel, që gjendej pasi kalon zdrukthëtarinë, diku afër Spitallës. Unë ngela vetëm me Indritin. Në hotel, Indriti më rrahu pse isha zënë me Ganiun dhe që të mos i tregoja familjes time që unë kisha punuar prostitutë në rrugët e Italisë. Mua Indriti nga e rrahura më kishte lënë shenjë në sy dhe për këtë arsye, ne ndenjëm dy a tri net në hotel, me qëllim që të më ikte dhe nxirja e syrit. Pas dy-tri ditësh, ai i telefonoi Endrit Dokles, për të më çuar mua në shtëpinë time në Tiranë, pasi unë nuk e dija. Indrit Taullain nuk e takova fare, për rreth një muaj pasi qëndroja në shtëpinë time në Tiranë. Pasi kam ardhur nga Italia, mësova se Klodi kishte rënë në burg, si i dyshuar për vrasjen e Marsel Sotirit”.
Dëshmia në prokurori:
“Muajt si peng, në pritje të daljes së Klodianit nga burgu”
Dëshmitare e njërës prej vrasjeve më të bujshme të bandës, Valbona është mbajtur muaj të tërë peng, në mënyrë që të mos dëshmonte kundër Klodian Saliut. Si u përdhunua nga djemtë dhe i shpëtoi rrëmbimit
Pak javë pasi ishte kthyer nga Italia, Valbona tregon se Indrit Taullai e ndoqi me makinë dhe me anën e një pistolete, e detyroi atë që të shkonte me të në Durrës. Më tej, historisë së saj do t’i shtohej edhe pengmarrja, për sa kohë Klodian Saliu ndodhej në burg e një dëshmi e mundshme e saj rrezikonte ta fundoste atë. “...Kur mbërritëm në Durrës, më çoi direkt te shtëpia e vjetër e tij dhe më tha “do qëndrosh këtu” dhe iku e mbylli derën me kyç. Të nesërmen erdhi nga dreka dhe më solli byrek për të ngrënë, si dhe më kishte blerë rroba, sepse unë nuk kisha. E pyeta përse më solle këtu, ndërsa Indriti më tha: “Sikur s’e di ti se për ça të kam sjellë këtu”. Unë i thashë, jo nuk e di. Ai më tha që Klodi është në burg dhe do të rrija aty derisa të dilte ai. Unë i thashë që nuk flas, ndërsa ai nuk m’u përgjigj, sepse nuk kishte besim tek unë. Për rreth një javë e gjysmë kam qëndruar vetëm me Indritin në shtëpi dhe ai, herë pas here shkonte për të blerë ushqime të thata për të ngrënë, pasi unë faktikisht nuk di të gatuaj. Gjatë gjithë kësaj periudhe i kam kërkuar Indritit që të dilja nga shtëpia dhe ai më nxirrte rreth 1-2 orë afër mbrëmjes, që të mos më shikonte njeri. Gjatë kësaj periudhe dhe në vazhdim, Indrit Taullai kryente marrëdhënie seksuale me mua, kundër dëshirës sime, por jo duke ushtruar dhunë fizike. Pas rreth 10 ditëve erdhi në shtëpi Indrit Taullai me Endrit Doklen. Ai iku dhe Endriti Dokle qëndroi aty. Ai nuk fliste dhe nuk bënte muhabete. Unë e pyeta se kur do dalë Klodi dhe ai më tha ‘së shpejti’. Atë natë fjeti në kuzhinë dhe të nesërmen iku që në mëngjes dhe mbylli derën me çelës nga jashtë. Gjatë kësaj kohe, Endrit Dokle vinte natën në shtëpi, që të mos e shikonte njeri. Ndërsa Indrit Taullai vinte ditën. Pas një jave që filloi të vinte në banesë, Dokle ka kryer marrëdhënie seksuale me mua, fillimisht kemi bërë debate, se unë nuk pranoja. Unë i kam thënë se jam për hall këtu, dhe nuk kam ardhur për të bërë qejfin ju. I kam thënë se do t’i them Indritit, ndërsa ai nuk foli. Më pas më ka qëlluar me pëllëmbë dhe më ka çarë buzën me gjak dhe pastaj kemi kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën time. Kur erdhi Indrit Taullai, unë i thashë që Indrit Dokle më përdhunoi, ndërsa atij nuk i bëri përshtypje fare....Kjo periudhë ka zgjatur deri në momentin kur doli Klodi nga burgu. Dy muaj para se të dilte Klodi nga burgu, Indriti erdhi dhe më solli ushqimet dhe më tha që nuk do dalësh më jashtë. Unë e pyeta pse, ndërsa ai nuk m’u përgjigj. Fillimisht kam shkuar te dera e jashtme dhe kam tentuar që ta hap dhe kam vënë re se nuk mund ta hapja, ndërsa dritaret ishin të gjitha me zgarë hekuri nga jashtë. Vetëm dritarja e banjës ishte pa zgarë hekuri, por ajo ishte shumë lart nga dyshemeja dhe ishte shumë e vogël, sa mund të futej vetëm koka. Një ditë, ka qenë pranverë e vitit 2001, nuk më kujtohet muaji apo dita, në darkë ka ardhur Indrit Taullai dhe më thotë që do të flasësh me motrën në telefon, se ajo ka shkuar për të bërë denoncim në polici dhe më tha që të heqë denoncimin, pse do të vrasim ty...Klodi ka ardhur në orën 3 të natës në shtëpi bashkë me Indritin. Ai u afrua, më takoi dhe më dha dorën. Më pyeti në isha mërzitur. Më pyeti, ‘a të kanë mbajtur mirë’. Unë nuk i tregova se si më kishin mbajtur. Ai më tha ‘mos u mërzit se kohë të mira do të vijnë, unë dola nga burgu, sikleti u hoq. Do të heq që këtej, nuk do të rrish më mbyllur, do të të çoj jashtë shtetit, që edhe ti të shpëtosh kokën tënde’. Unë u tremba kur më tha këto muhabete, pasi kisha frikë mos më vrisnin. Aty fillova që të mendoja se si mund të largohesha. Indriti nuk foli fare. Më pas i mori dikush në telefon dhe ata ikën me nxitim. Unë vura re se derën e kishin harruar hapur dhe unë u vesha dhe ika....”