E Shtunë, 31 Tetor 2026

Markot nuk e meritojnë heshtjen

Thirrja e dy studiueseve për të ndihmuar familjen e shkrimtarit Petro Marko e vë opinionin përballë një gjendje që s'mund të të lërë indiferent. Rasti "Marko" dhe stadi primitiv i të drejtave të autorit shqiptare


Dy studiuese lëshuan të dielën thirrje për ndihmë për Familjen Marko, familjen e shkrimtarit Petro Marko. Dy gra, Suzana Varvarica dhe Eleni Laperi e morën këtë nismë, edhe pse kundër dëshirës së Arianita Markos, sepse lipset ndihmë mjekësore dhe financiare.


Zonjat bëjnë thirrje "në emër të dashurise e për hir të dinjitetit njerëzor", që cilido sipas dëshirës dhe mundësisë të kontribuojë dhe të kontaktojë me to, pranë Qendrës Kulturore "LindArt" dhe pranë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.


Safo, gruaja e Petros, rreth 85 vjeç, ka kohë që lëngon. I biri, Jamarbër, rreth 55 vjeç, edhe ai i sëmurë në shtrat. Arianita, kujdeset për të dy, aq sa mund të lejojnë rrethanat një kujdesje për të qenë. Gjithë të ardhurat janë pensioni i Safos, pasi Arianita, e vetmja në familje që është në gjendje të punojë, ka vite e papunë.


Falë saj panë dritën e botimit dhe ribotimit veprat e të atit. Ajo është autori anonim i Markove. Dy burrat janë marrë me shkrime, Safoja me piktorë dhe një herë e një kohë ilustratore dhe grafiste e talentuar, ndërsa Arianita, piktore dhe grafiste e zonja edhe ajo, duhej të hiqte dorë nga punët që paguhen!


Një familje autorësh. Me këtë temë mediat nuk jemi marrë hiç. Për mediat Familja Marko ka përbërë gjithnjë lajm, të mirë, të kategorisë së parë, me histori, që lidhet me historinë e ngjarjeve që ka kaluar vendi prej '45-ës e këtej.


Sot Familja Marko nuk ka asgjë për të thënë. Nuk është më radha e saj. Nëse varfëria e kësaj familje nuk është pa precendentë - në këtë vend ka shumë të ngjashëm - është në anë tjetër shembull i gjallë se si është dëmtuar autori në Shqipëri, se Shqipëria është një vend primitiv për fatin e autorit dhe pronën shpirtërore e intelektuale që krijon ai.


Janë me dhjetëra titujt e botimeve dhe ribotime në këto njëzet vjet që mbajnë emrin e Petro Markos. Asnjë e mirë materiale, financiare nuk ka ardhur prej kësaj. Asnjë botues, asnjë subjekt, institucion apo satelit burokratik i këtij shteti nuk ka mbajtur ndonjëherë ndonjë përgjegjësi, ndër të tjera, përgjegjësi morale.


Aq sa është rritur autoriteti fiktiv edhe i botuesit më të fundit, i shtypshkronjave që riprodhojnë dhe shumëfishojnë pa dijeninë e autorëve - mjete të ngjashme me mjetet represive - aq herë është zvogëluar, nëpërkëmbur, shtypur, zhvlerësuar, mohuar, autori që vleka dy lekë dhe punët që krijon mendja dhe shpirti, qenkan gjë pa vlerë.


Vlera e librave të Petro Markos dhe teksteve të rralla poetike të Jamarbër Markos nuk mund të zhvishen nga të drejtat që fitohen që në momentin kur vepra lind.


Vlera e këtyre autorëve është zëvendësuar për turp me fjalë boshe, si titujt dhe urdhrat e nderit që u kanë dhënë bashkiakë dhe presidentë të këtij vend.


Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin "Nderi i Kombit" shkrimtarit Petro Marko i cili vdiq në varfëri. Dhe familja intelektuale Marko, trashëgon po aq varfëri, në mos më shumë.
Rasti i Markove që sot kanë nevojë për njerëz dhe përgjegjësi shteti, nëse nuk e shkund për mirë arsyen njerëzore këtë herë, do të mbahet mend gjatë për fajin dhe patetikën tonë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›