Municionet në Gërdec, me urdhra verbale

Ish- shefi i Logjistikës së komandës me të njejtin emër, tregoi se transporti kryhej pa grafik nga depot në fabrikën e demontimit
"Kur vinte urdhri, duhej të përgatisja një draft për municionet dhe raportimi bëhej me gojë"
TIRANË- Transportimi i municioneve për në fabrikën e Gërdecit është bërë nëpërmjet urdhrave verbale nga drejtuesit e MEICO-s, drejtuar Komandës Mbështetëse dhe pa pasur një grafik të mirëfilltë për sasinë e municioneve që duhej dërguar për demontim.
Dëshmitarët e seancës së djeshme gjyqësore të procesit "Gërdeci", treguan praktikën që është ndjekur nga brigada logjistike pranë Komandës Mbështetëse për ngarkimin e municioneve që ishin planifikuar për demontim.
Kështu ushtarakët kanë dhënë detaje të tjera për mënyrën se si ka funksionuar skema e transportit të municioneve në fabrikat e demontimit për llogari të kompanisë shtetërore MEICO.
Lavdërim Çota, ishte një nga dëshmitarët e djeshëm që tregoi se nuk ka pasur një grafik për sasinë e municioneve që duhej të shkonte për t'u demontuar dhe sipas tij transportimi është bërë në bazë të urdhrave gojore që vinin nga përfaqësuesit e MEICO-s. Çota, në vitin 2007, ka mbajtur detyrën e shefit të Logjistikës në Komandën Mbështetëse.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve të çështjes, Çota u shpreh: "Bashkangjitur me urdhrin nr. 550, datë 25 prill 2007, ka pasur dhe tabela të detajuara për llojet e armatimeve dhe sasinë e municioneve për repartet vartëse që kishim ne si komandë.
Kur vinte urdhri për fabrikën, më duhej të përgatisja një draft për municionet dhe raportimi tek eprorët bëhej në mënyrë operative. Kjo praktikë është ndjekur edhe për repartin e Gërdecit, sepse nuk ka pasur një grafik pas urdhrit për municionet. Kërkesat për sasinë e municioneve bëheshin nga MEICO në mënyrë verbale midis eprorëve"- u shpreh në dëshminë e tij Lavdërim Çota, i cili njihet edhe si specialist armatimi.
Sipas tij, mungesa e një grafiku, ka bërë që makinat me municion të shkonin në Gërdec sipas kërkesave që vinin nga Ylli Pinari, ish- drejtori i kompanisë shtetërore që merrej me demontimin e municioneve të tepërta.
Edhe dëshmitari tjetër, Shahin Toçilla, shef i logjistikës në Batalionin e Armatim-Municioneve, pohoi para trupit gjykues, se mungesa e grafikëve ka ardhur nga kërkesat që vinin nga MEICO, për sasinë e municioneve që i duheshin asaj në fabrikën e demontimit në Gërdec.
Ndërkohë, në seancën e 19 prillit, disa ushtarakë të thirrur si dëshmitarë në proces, pohuan se fatura e transportit të municioneve për demontim është përballuar nga buxheti i Komandës Mbështetëse. Sipas pretendimit të tyre, transporti duhej të realizohej nga vetë kompania MEICO, por është kryer nga Ushtria.
Seanca e djeshme u karakterizua edhe nga debate të ashpra midis gjyqtares së çështjes, Fatmira Hajdari, dhe prokurorit Altin Dumani, në lidhje me pyetjet që katërshja e prokurorëve iu drejtonte dëshmitarëve. Nga të pandehurit që mbahen në arrest me burg, në seancën e djeshme ishin të pranishëm vetëm Ylli Pinari, ish- drejtori i MEICO-s dhe Sokol Ngjeçi, ish-specialist i kësaj kompanie.