Marku: Vendim i pazbatueshëm për standardet e Shqipërisë
26/01/2010 Regjistrimi mbi bazë etnie dhe besimi
Regjistrimi i popullsisë mbi bazë të përkatësisë etnike dhe besimi fetar ka gjetur oponencën edhe brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Deputeti demokrat Mark Marku, në një intervistë televizive ka deklaruar se ky vendim është i pazbatueshëm për standardet e Shqipërisë. Ligjvënësi demokrat thekson se regjistrimi në bazë të etnisë mund të bëhet shkak për të fshehur kombësitë e vërteta nga ana e qytetarëve. Sipas tij, kjo nismë duhet të shoqërohet nga një debat i gjerë publik. Deputeti i PD-së nuk është i vetmi përfaqësues i së djathtës, që kundërshton regjistrimin e popullsisë mbi bazat e përkatësisë etnike dhe besimit fetar. Politikani Sabri Godo, President nderi i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, ka deklaruar pak ditë më parë se procesi i regjistrimit të popullsisë në bazë etnike dhe besimi nuk do të sjellë asgjë të dobishme dhe nuk do t’u japë ndonjë gjë më të mirë shqiptarëve. Në këtë mënyrë Marku dhe Godo bëhen të djathtët e parë, që publikisht kanë kundërshtuar këtë proces. Por ministri i Shtetit, Genc Pollo, ka siguruar se nuk do të ketë asnjë mundësi për të manipuluar përkatësinë etnike apo fetare.