Prangat punonjësit të OSSH-së Qiriçi, grabiti 26 milionë lekë
26/01/2010 Vihet nën arrest shtëpie
TIRANE-Një ish-punonjës i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH-së) është arrestuar nga njësia hetimore Task-Forcë, pasi rezulton se gjatë kohës kur ai ka qenë i punësuar në këtë kompani, i ka shkaktuar kësaj të fundit një dëm financiar prej 2 600 000 lekësh. Personi i arrestuar quhet Lirjan Qiriçi 37 vjeç lindur në Përmet dhe banues në Tiranë. 37-vjeçari është denoncuar nga OSSH-ja, pasi gjatë kohës kur ka punuar si faturist në kompani, ai ka vendosur shifra të tej fryra për qytetarët, dhe një pjesë të parave i merrte për llogari private. Këtë aktivitet Lirjan Qiriçi ka mundur të kryejë për disa muaj me radhë, derisa formula e tij për të grabitur para nga faturat afrore është zbuluar nga punonjësit e OSSH-së. Menjëherë këta të fundit kanë vendosur pushimin e 37-vjeçarit dhe ndaj tij kanë depozituar në Prokurori një kallëzim penal. Materiali është administruar nga njësia hetimore Task-Forcë, të cilët pas disa ditë hetimi kanë arritur të provojnë akuzën e “shpërdorimit të detyrës” me pasojë vjedhjen e 2 600 000 lekësh. Ndaj tij gjykata ka vendosur masën e sigurimit të “arrestit shtëpiak” dhe pritet që hetimi i çështjes të vazhdojë për zbulimin e personave të tjerë.