E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marnhac: Mandati im lidhet me atë të EULEX-it

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Xavier de Marnhac ka thënë se mandati i tij është i lidhur me atë të misionit dhe se ai do të përfundojë në të njëjtën kohë me të dhe ai do të vazhdojë ta shtyjë përpara agjendën e sundimit të ligjit gjatë pjesës së mbetur të qëndrimit në këtë pozitë.

“Siç jeni në dijeni, në fillim të kësaj vere EULEX-i do të hyjë në një fazë të re, pas aprovimit së fundi të Rishikimit Strategjik të Misionit. Kjo do të ketë si rezultat qëndrimin e rishikuar të Misionit dhe do të paraqesë ndryshime të konsiderueshme pas skadimit të mandatit aktual më 15 qershor 2012. Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton është pajtuar që mandati im, i cili është i lidhur me Misionin, të përfundojë në të njëjtën kohë. Unë e mbështes këtë vendim plotësisht”, ka thënë de Marnhac në një komunikatë për media.

Ai ka shtuar më tej se ka qenë nder i madh për të që ta përfaqësojë misionin më të madh të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, duke shtuar se ka punuar me përkushtim të madh.

Gjithashtu, ai ka thënë se viti i kaluar ishte sfidues për misionin EULEX, por ka thënë se ky mision ishte në gjendje ta përballojë atë.

“Viti i kaluar ka qenë vërtetë sfidues, por po ashtu ka treguar që EULEX-i ishte në gjendje t’i përshtatej kësaj sfide. Në ndërkohë, ka treguar që Kosova është në rrugën e duhur, përderisa institucionet dhe shoqëria e saj vazhdojnë t’i aspirojnë parimet dhe vlerat të cilat i përkrahë BE-ja”, ka thënë ai.

Marnhac beson që EULEX-i është në pozitë më të mirë sot t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj, duke iu falënderuar hapave të rëndësishëm së fundi të cilët ata i kanë mbështetur. Kjo, sipas tij, është bërë jo vetëm për shkak të partneriteteve të cilat ata i kanë krijuar, por po ashtu për shkak të përkushtimit të shumë pjesëtarëve të stafit ndërkombëtarë dhe vendas të EULEX-it.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›