E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për titull, vendos derbi i Manchesterit

Derbi i Manchesterit, i cili do të zhvillohet më 30 prill, do ta vendos titullin e kampionit në Premierligë. Kështu mendon mesfushori i Manchester Unitedit, Ryan Giggs.

United udhëheqin me tri pikë ndaj rivalit City.

“Ne e kemi eksperiencën, por City e ka urinë. Nëse gjërat shkojnë siç parashihet, çdo gjë do të vendoset në derbi”, theksoi mesfushori uellsian për La Gazzetta dello Sport. Të dyja skuadrat do t’i zhvillojnë nga dy ndeshje, para përballjes në Etihad Stadium.

Sa i përket karrierës, Giggs shpreson që të luajë edhe një kohë të gjatë, për ta arritur ndeshjen e 1000-të me United. Muajin e kaluar, ai e zhvilloi ndeshjen e 900-të me ‘Djajtë e Kuq’. Giggs ka folur edhe për lojtarin më të mirë në botë, Lionel Messi, për të cilin thotë se, nëse dëshiron të bëhet më i miri i të gjitha kohëve, duhet të fitojë edhe me Argjentinën.

“Pa dyshim, ai është lojtari më i mirë në botë sot. Shënon shumë gola, gati çdo javë dhe gjithmonë luan në nivele të larta. Mirëpo, Maradona e Pele e kanë fituar Botërorin me Argjentinën e Brazilin. Kur ta bëjë të njëjtën gjë edhe Messi me vendin e tij, ai do të ngritet në podium”, shtoi Giggs.

Spanjën dhe Gjermaninë i konsideron si favorite për Euro 2012, por kërkon kujdes edhe nga Franca, Italia e Holanda. Javier Zanettin e konsideron si kundërshtarin më të vështirë, kurse Alessandro Del Pieron lojtarin më të mirë italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›