'Akademia nuk është e asnjë partie'

Vataj ka thënë se Akademia nuk është e asnjë partie, as e LDK-së, as AAK-së, e as e PDK-së, nuk është madje as e anëtarëve të Akademisë, por e shtetit të Kosovës.
Ai ka rikujtuar se në mbledhjen e parë të Kryesisë kur është ngritur kjo çështje, askush nuk është shqetësuar dhe nuk është parë ndonjë problem ndryshimi i këtij ligji, andaj edhe e kanë nënshkruar pa asnjë presion nismën deputetë nga të gjitha grupet parlamentare.
“Është qesharake dhe ofenduese për mua që iniciativën time e quajnë politike. Disa kolegë tanët që nuk kanë ndonjë bagazh shkencor dhe nuk e kanë ditur se për çka bëhet fjalë, kanë heshtur nga fillimi i kësaj nisme, janë pajtuar për formimin e grupit punues, por kanë reaguar pasi i ka kurdisur dikush”, ka thënë Vataj.
Deputeti i PDK-së ka mohuar të ketë ngjyrime politike nisma e tij, përderisa ka thënë se ndryshimi i atij ligji nuk i rrezikon aspak anëtarët e tashëm të Akademisë, por do të ndryshohen procedurat e kandidimit dhe të pranimit të anëtarëve të rinj.
“Për me tepër as që kam dëgjuar apo lexuar se është prononcuar ndonjë anëtar i PDK-së, i qeverisë, apo deputet i Grupit Parlamentar të PDK-së. Si mund të merret pretekst për ngjyrosje politike deklarimet e qytetarëve të lirë të Kosovës, qofshin ata edhe anëtarë të Akademisë, që të shtrembërohet deri në manipulim, pa u bërë ndonjë konsultim me nismëtarin”, ka thënë Vataj.
Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka ngritur çështjen e shqiptarëve të veriut të Kosovës, duke thënë se ata jetojnë në kushte të vështira, të izoluar, gjithnjë e më të varfër dhe më të rrezikuar.
Ai ka thënë se ata njerëz vazhdojnë të jenë të rrezikuar nga bandat serbe, janë të bllokuar nga barrikadat, janë të izoluar për shkak të rrugëve dytësore dhe të paasfaltuar dhe janë gjithnjë e më të varfër për shkak se janë të papunë.
“Derisa Serbia po i financon strukturat paralele serbe në Kosovë, shqiptarët atje janë të harruar nga Qeveria e Kosovës. Jo vetëm që nuk po mbështetet kthimi i tyre, por po pamundësohet qëndrimi i tyre atje. Nuk besoj se do ma merrni këtë si fushatë politike, siç dini të bëni, sepse ata banorë edhe ashtu nuk na shohin, sepse atje nuk ka valë asnjë televizion i Kosovës”, ka thënë Selimi.
Ndërkaq deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala ka reaguar ndaj organizatës “Çohu”, e cila e ka përfshirë edhe atë në listën me deputetë të tjerë, të cilët janë duke e fshehur pasurinë e tyre.
Berisha-Shala ka thënë se vetë kjo OJQ është jotransparente, ngase nuk i bën të ditur financuesit, mbështetësit, apo stafin e saj, por i përdorë disa punëtorë që dalin dhe e helmojnë opinionin publik me të pavërteta.
Ajo ka thënë se me këto të pavërteta, kjo OJQ, jo vetëm që po e dëmton dinjitetin e individit, por edhe të shtetit, ndërkaq po ndikon që edhe të ketë edhe të dhëna stagnuese në Raportin e Progresit.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pritet që të paraqitet në interpelancë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, lidhur me masat e reciprocitetit me Serbinë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkohë, është hequr nga rendi i ditës shqyrtimi i Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, i cili ishte kthyer kohë më parë nga Kuvendi në Qeveri, por sërish ka ardhur në Kuvend pa ndonjë ndryshim. Për këtë, Lëvizja Vetëvendosje një ditë më parë në një konferencë për media ka reaguar, duke e cilësuar këtë projektligj si diskriminues./kp/