E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja e re u shpërndahet ambasadorëve

Dokumenti i marrëveshjes shqiptaro-maqedonase ka marrë dritën jeshile e të gjitha organeve partiake të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH). Krerët e kësaj partie pranë kuvendit kanë diskutuar të shtunën pikat përfundimtare të dokumentit, duke propozuar masa më radikale në dokument, por që janë kundërshtuar nga lideri Menduh Thaçi, por edhe kryetari i kuvendit, Arbër Xhaferi.
Ky i fundit deklaroi se PDSH-ja ka nxjerrur një marrëveshje të tillë pas shkeljes dhe mosrealizimit në mënyrë brutale të Marrëveshjes së Ohrit. Xhaferi ka thënë se marrëveshja e re e PDSH-së për barazi midis shqiptarëve dhe maqedonasve në vete ngërthen një mesazh shumë serioz drejtuar të gjithë faktorëve relevant politik në vend lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

"Ne vlerësojmë se Marrëveshja e Ohrit në mënyrë brutale nuk është realizuar sidomos në ato pika kryesore që e bënë këtë marrëveshje të jetë zgjidhje e konfliktit të vitit 2001. Në rend të parë e kam fjalën për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe pastaj për decentralizimin dhe përfaqësimin adekuat, sidomos në aneksin C, ku flet për rregullimin e statusit të pjesëmarrësve të konfliktit të vitit 2001. Të gjitha këto në mënyrë të egër politikisht u shkelën, kështu që PDSH-ja del me një propozim për një kontratë të re, që do të ketë fuqi obliguese për të gjithë ata që ndikojnë në këtë proces", deklaroi Arbër Xhaferi.

Pas mbledhjes së kuvendit partiak, marrëveshja e re i është shpërndarë selive diplomatike të vendeve perëndimore në Shkup, për shqyrtimin dhe njohjen me pikat e propozuara nga PDSH-ja. Ambasadori slloven, Alain Bergant deklaroi javën e kaluar së është i interesuar dhe kureshtar për t`u njohur me marrëveshjen e propozuar nga kryetari i PDSH-së. Ai paralajmëroi se do të pranojë dokumentin, i cili sipas tij, duhet të lexohet dhe më pas të jepen vlerësime.

Marrëveshja e re e PDSH-së ka nisur të hartohet dy muaj më parë nga një grup ekspertësh shqiptarë, por edhe ato të huaj, të cilët kanë dhënë sugjerime dhe vlerësime për përmbajtjen e tij, i cili synon përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, pasi që PDSH ka vlerësuar anashkalimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, pas tetë viteve të miratimit të saj. Gjatë kësaj jave priten edhe vlerësimet e para nga diplomatët perëndimor, të cilët do të deklarohen lidhur me dokumentin e PDSH-së. (ina/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›