E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhëniet midis Shqipërisë e Malit të Zi model në rajon

Kryeministri Berisha priti sot në një takim zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Igor Lukshiq.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe qeverive, si dhe u rikonfirmua vendosmëria dhe vullneti i palëkundur për të zgjeruar e intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm dhe frytdhënës në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si në kuadrin bilateral, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal e projektit madhor të të dy vendeve, integrimi në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst u ripohua vendosmëria e të dy qeverive për të përfunduar infrastrukturat e rëndësishme rrugore, por edhe të tjera, të cilat lidhin të dy vendet dhe do t’i japin një hov të ri shkëmbimeve tregtare ekonomike dhe zhvillimit të të dy vendeve.

Ndër to u përmendën përfundimi i rrugës Ulqin - Muriqan, përfundimi i segmentit Hani i Hotit – Vermosh, por edhe rinovimi i segmenteve hekurudhore, të cilat kanë një rëndësi të madhe dhe janë shumë efikase në tregtinë midis dy vendeve.

Gjithashtu, edhe thellimi i lumit Buna, i cili shoqërohet me projekte të tjera për ta kthyer zonën e liqenit të Shkodrës, në të dyja anët e kufirit, në një atraksion të vërtetë të turizmit ndërkufitar për rajonin dhe Bashkimin Evropian.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e jashtëzakonshme të ndërtimit të infrastrukturave për furnizimin me energji të rajonit, ku u theksua se projekti TAP mbetet projekti më fizibël dhe me interesin më të madh për vendet e rajonit dhe ekonomitë e tyre.

Kryeministri Berisha e siguroi Zëvendëskryeministrin Lukšhiç se Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të mbështesë fuqishëm anëtarësimin e plotë dhe sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO, duke e konsideruar këtë si një tjetër kontribut në shërbim të forcimit të sigurisë së krahut jug-perëndimor të NATO-s, por edhe të rajonit.

Zëvendëskryeministri Lukshiq e njohu kryeministrin Berisha edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi, ku partitë shqiptare të përfaqësuara në Parlamentin e Malit të Zi janë, gjithashtu, pjesë e koalicionit qeverisës, sikundër vijon bashkëpunimi edhe më parti të tjera shqiptare në kontekstin lokal.

Në këtë aspekt, Zv/Kryeministri Lukshiq e informoi kryeministrin Berisha se së shpejti do të mbahet edhe referendumi për përcaktimin e statusit të Komunës Urbane të Tuzit, çka Kryeministri e vlerësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme, duke theksuar se kjo do t’i ndihmojë qytetarët e Tuzit në adresimin më të mirë në nivel lokal të çështjeve të jetës së tyre të përditshme.

Në takim u rikonfirmua vendosmëria për intensifikimin e kontakteve në nivelin më të lartë dhe reflektimit të nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve politike në projekte konkrete të bashkëpunimit, të cilat do t’i shërbejnë interesit më të mirë të të dy vendeve dhe popujve.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Edmond Panariti, ka takuar sot në Tiranë Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme e Integrimit Evropian të Malit të Zi, zotin Igor Lukshiq.

Sipas një njoftimi, Panariti i vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Malit të Zi , duke thënë se ato janë model në rajon, dhe se përveç vullnetit të konsoliduar politik ato mbështeten në një bazë substanciale e konkrete bashkëpunimi.

Panariti, nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve tona i shërben njëkohësisht paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe aspiratës së përbashkët të integrimit evropian dhe atij atlantik.

Gjatë bisedimeve, të dy ministrat shqyrtuan dhe evidentuan përparimin e bërë në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, dhe u përqendruan në projekte të përbashkëta të infrastrukturës, energjisë, turizmit, mjedisit dhe projektet ndër-kufitare.

Dy ministrat, ranë dakord që Shqipëria, Mali i Zi e Kroacia të punojnë së bashku për të mbështetur projektin TAP, me synim për shtrirjen e tij në rajon.

Ministri Lukshiq propozoi një qasje të përbashkët rajonale ndaj institucioneve financiare evropiane dhe atyre ndërkombëtare për financimin e projekteve me interes reciprok.

Pas takimit, Ministrat Panariti dhe Lukshiq nënshkruan: Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e Arsimit dhe Marrëveshjen për Shkëmbimin dhe Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Gjatë bisedimeve u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për zhvillimet në rajon, si dhe mbi bashkëpunimin në nismat shumëpalëshe rajonale dhe ato evropiane. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›