E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe rigjallërimi si nevojë

Jordan Jorgji

Kriza në marrëdhëniet aktuale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë buron kryesisht nga kriza ekonomike, sociale dhe politike e Greqisë, si dhe paralelisht nga ndryshimet e vazhdueshme gjeopolitike në rajonin e Ballkanit. Nëse kriza greke kishte si pasojë izolimin në një masë të ndjeshme të rolit të Greqisë në Evropë dhe në Ballkan, vitet e fundit elementi shqiptar në rajon po forcohet vazhdimisht. Pavarësia e Kosovës, marrëveshja e Ohrit në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, si dhe reformat ekonomike dhe politike në Shqipëri, kontribuan në fuqizimin e shqiptarëve në Ballkan.

Momenti kulminant ku u pasqyrua ky ndryshim balancash ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë ishte ai i kthimit nga Gjykata Kushtetuese shqiptare të Marrëveshjes së Shelfit Kontinental dhe Zonave Detare midis Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo në kombinim dhe me vonesat e Greqisë në ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit Shqipëri-Bashkim Evropian, të marrëveshjes së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe në mos-njohjen e pavarësisë së Kosovës, sollën si pasojë rritjen e ndjeshme të anti-greqizmit jo vetëm në Shqipëri, por tek elementi shqiptar në përgjithësi. Veçanërisht me mos njohjen e Kosovës, tek sytë e Shqiptarëve Greqia u unifikua me Serbinë, ndërsa anti-greqizmi me anti-sllavizmin.

Nacionalizmi shqiptar, dikur spontan, tashmë është mishëruar në organizim politikë. Pikërisht këtu, ka ndikuar kriza e vetë Bashkimit Evropian, të cilit po i merren seriozisht këmbët në rrugën që filloi të ecte pas Luftës së Dytë Botërore. Nacionalizmat dhe urrejtjet tradicionale po rigjallërohen në Ballkan. Propozimet e ish Ambasadorit Grek z. Mallias për ri-vitalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, ndonëse janë objektive dhe të goditura, zor se mund të vihen në jetë nëse Greqia nuk ri-fuqizon poziten e saj ekonomike dhe politike në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, nevojitet që ideja e anëtarësimit në BE të jetë akoma joshëse për shqiptarët, dhe që të jetë joshëse, duhet që vetë Bashkimi Evropian të dalë nga kriza aktuale dhe te ri-fitojë dinamikën e mëparshme.

Greqia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe paralelisht të kërkojë më dukshëm respektimin e te drejtave të komunitetit shqiptar në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Gjithashtu, duhet të eliminojë paqartësitë e mbetura nga ligji i luftës së vitit 1940. Nga ana e saj, Shqipëria duhet të punojë me Greqinë në kuadrin e një marrëveshje për shelfin kontinental dhe zonat detare, si dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për izolimin e frymës anti-greke në Shqipëri. Paralelisht, duhet të respektojë të drejtat e minoritetit grek, si një komunitet me pjesëmarrje reale në jetën ekonomike, politike dhe sociale shqiptare.

Fusha të rëndësishme që mund të shërbejnë për afrimin e mëtejshëm të dy kombeve janë arsimi dhe kultura. Kështu për shembull, duhet të pasqyrohet sa më shumë historia, kultura, arti i shqiptarëve dhe grekëve në sistemin arsimor përkatës, me qëllim që gjeneratat e reja të ushqehen me frymen e respektit reciprok dhe solidaritetit. Gjithashtu duhet të përkthehen sa më shumë libra, të rritet bashkëpunimi në fushën e sportit si dhe mund të organizohet një festivali vjetor shqiptaro-grek, i cili mund të quhet «Festivali i Jonit», meqenëse deti Jon bashkon (dhe jo ndan) Shqipërinë me Greqinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›