Globalizimi për të tjerët se Shqipëria i vjen anash
Alban SEJDINI
Një biznesmen britanik dhe një biznesmen amerikan mund të bisedojnë krejt natyrshëm për mentalitetin e banorëve lokalë në trekëndëshin financiar Hong Kong-Makao-Shenzhen. Një shqiptar i mirëshkolluar dhe i mirinformuar, që jeton brenda kufijve të vendit tonë, ka maksimumi ndonjë shans të dijë se ku bien gjeografikisht këto qendra të biznesit global. Ndryshe nuk mund të ndodhë, për sa kohë shqetësimi kryesor i çdo nënshtetasi me ose pa shkollë të Shqipërisë nuk është që të themelojë apo minimalisht punojë për ndonjë korporatë. Këtu bëhet fjalë për të siguruar bukën e përditshme përmes njëmijë e një pengesash shtetërore e sociale, apo për të gëlltitur gënjeshtrat e përditshme të qeveritarëve dhe përbuzjen paraprake të çdo perëndimori nëpër institucione, porte dhe aeroporte. Të vetmit të përfituar nga kjo situatë e ndyrë post-komuniste janë politikanët pluralistë. Këta po, që po ia shijojnë frytet globalizimit falë shëtitjes anembanë botës për qëllime gjoja shtetërore, dërgimit të fëmijëve me studime në botën e zhvilluar dhe mbajtjes së kursimeve të pleqërisë në bankat e Qipros, Zvicrës dhe ishujve Keiman, njëlloj si nëpër filmat e Hollivudit.
Edhe pse nuk janë, ngjajnë gjithmonë të çuditshëm këta amerikanët, sepse pasaportën e tyre e përdorin jashtë vendit për çdo lloj arsyeje. Ajo u shërben herë si jorgan për ti mbajtur ngrohtë gjatë netëve të ftohta, herë si çelës kopil për ti hapur të gjitha dyert dhe herë si anti-plumb për tu mbrojtur nga zjarri i armikut. Pasaporta indiane ka vite gjithashtu, që është shndërruar në sinonim të mendjeve gjeniale të informatikës, teknologjisë dhe financës. Për rrjedhojë, indianët po rrëmbejnë bursa studimi e vende pune në institucionet më prestigjioze të Perëndimit, edhe pse të ardhurat e tyre për frymë janë të përafërta me vendin, ku dikur kishte shqiponja. Madje edhe maltezët e kanë më të suksesshme pasaportën e tyre jashtë ishullit të tyre, sepse ata janë anëtarë të Bashkimit Evropian. Kjo ndodh pavarësisht se në Maltë vuajnë nga mungesa e ujit për të pirë, e shiut për të mbjellat, e pemëve për hije dhe e lëndëve të para për industri në një shtet me madhësi sa rrethi i Durrësit, se qarku është i madh.
Ndërkohë, pavarësisht se kushton relativisht shtrenjtë, pasaporta biometrike shqiptare nuk të hyn në punë për asgjë pikërisht sepse është e lëshuar nga një shtet i prishur nga kariesi dhe gurëzat, sepse nuk do, më shumë se sa nuk di apo nuk mundet, ti lajë e mirëmbajë dhëmbët. Qasja e të huajve ndaj pasaportës shqiptare është thjesht një pikë uji në oqeanin e vështirësive, ligësive dhe pengesave që duhet të përballojnë nënshtetasit shqiptarë. Këta trajtohen si Lulëkuqet mbi mure edhe në Shqipëri, pikërisht nga autoritetet shtetërore shqiptare, përveçse në shumicën e rasteve jashtë shtetit. Shteti shqiptar ka 20 vite që i konsideron dhe realisht i ka vënë shqiptarët në shërbim të tij, në vend që të ndodhë e anasjelltas ashtu si kudo në botën e përgjegjshme. Ama shtetarët tanë harrojnë se në këtë botë të globalizuar qarkullon aq shumë informacion në kohë reale. Prandaj nuk mund ta pengojnë dot rritjen dhe forcimin e vetëdijes qytetare dhe pritshmërisë së shqiptarëve për një jetesë të paktën më dinjitoze, për të cilën e gjithë përgjegjësia bie mbi politikanët që kanë ose pretendojnë pushtet.
Shqiptarët e përgjegjshëm kanë të drejtë të ndihen fatkeqë në Shqipëri. Në vend që të mendojnë për të zgjeruar aktivitetin e tyre akademik apo profesional minimalisht brenda kufijve, ata duhet të dëgjojnë gënjeshtra nga më të prapambeturat prej shtetarëve të prapambetur ose të korruptuar. Kryerja e aksioneve për prishjen e ndërtimeve pa leje andej nga jugu vetëm një muaj përpara fillimit të sezonit veror ngjan si përherë një përpjekje e të paaftëve për të fshehur pluhurin poshtë tapetit. Tipik është rasti i Ksamilit, ku shikon një ngrehinë të shëmtuar trekatëshe më këmbë ngjitur me një ngrehinë po aq të shëmtuar trekatëshe të ulur në gjunjë nga ndërhyrja e fadromave. Në Tiranë ia punuan në këtë mënyrë një restoranti me pronar dhe kuzhinier italian në mes të Bllokut. Pas disa muajsh punë i çuan rruspën për ti prishur gjysmën e lokalit, meqë qiradhënësi e kishte bërë pa leje. E keqja është se këto vogëlsira nuk konsiderohen më as bëma për popullin dhe as lajme për mediat, sepse janë shumë pak e bëhen shumë shpesh nga politikanët shqiptarë, të famshëm për shumë më tepër.
Duke qenë se organet shtetërore të drejtuara nga ky soj shtetarësh nuk dinë dhe sidomos nuk iu plas fare të merren me gjë tjetër veç këtyre pisllëqeve, dritëshkurtësive dhe palaçollëqeve, ende nuk mund të pretendohet që të bëhemi globalë dhe të bëjmë biznes me Hong Kongun apo Shenzhenin. Kjo sepse në Shqipëri nuk përcaktohet mirë nëse ka apo jo bursë aksionesh, ama dihet që ndonjëri apo ndonjëra merr rrogë për të drejtuar një diçka të paqartë. Edhe shqiptarët e përgjegjshëm po i kalojnë fatkeqësisht tangent globalizimit dhe të mirave që ofron, pikërisht për shkak të një shteti të kalbëzuar dhe të korruptuar deri në palcë. Përfaqësuesit e këtij entiteti bananesk i futin një parim udhëheqës carpe diem në një kuptim aq të lig, sa do të bënin me turp edhe vetë Horacin. Kjo ndodh sepse askujt në pushtet nuk i intereson që të kenë një popull të mirëshkolluar, me nivel të lartë mirëqenieje dhe sidomos të përfshirë aktivisht në procesin e globalizimit. Përndryshe ky popull-votues do të kishte pritshmëri të jashtëzakonshme ndaj politikanëve që kërkojnë votën dhe nuk do ta këmbente dinjitetin e votës për 20 mijë lek apo për qindra mijëra vende pune. Kaq fjollë po u shkojnë punët politikanëve, sa ata nuk bëjnë më as përpjekje që ta fshehin faktin, se u intereson vetëm që, për sa kohë u është dhënë mundësia, të kapin ndonjë lek me çdo mënyrë. E ndërsa amerikanët dhe indianët po e bëjnë globalizimin, shumica e shqiptarëve votues njohin vetëm globolizimin e imponuar nga shqiptarët drejtues.