Marrëdhëniet shqiptaro-ruse, kultura që po ribashkon dy miq të vjetër
Nga Prof. doc. Andrea Nasto
Ishte një lajm sa i çuditshëm, aq dhe i bukur që më bëri të më vinin në mendje kujtime të paharruara por dhe që më detyruan të shkruaja këtë artikull.
Nga një miku im mësova se këto ditë në Moskë do të shfaqet një film i ri rus, i cili është një dokumentar shumë i bukur që flet për historinë e dasmave ruse dhe lidhjen e tyre me ato shqiptare. Dokumentari ka në subjekt historinë e dy të rinjve, që kurorëzohet në një martesë të bukur dhe madhështore. Ajo çka më befasoi ishte se filmi, i cili ka marrë pëlqimin edhe të autoritete më të larta ruse dhe të vetë kryeministrit rus, Vladimir Putin, është i mbështetur në një skenar të shkrimtarit tonë më të madh, Ismail Kadaresë. Edhe ky i fundit, një ish-student në Rusi, që shumë herë ka folur me nostalgji për kujtimet e tij në atë vend të veçantë. Filmi bazohet pikërisht mbi një histori të shkruar nga shkrimtari ynë i madh dhe për këtë, nga sa më thanë, ai ka marrë pëlqimin edhe të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Nga sa mësova, ky film ishte edhe thelbi i diskutimeve vetëm pak ditë më parë të delegacionit rus të kulturës që erdhi dhe vizitoi Shqipërinë. Delegacioni i kryesuar nga dy zonja të nderuara, Ekaterina Selezneva, drejtore e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Ministrisë së Kulturës të Rusisë dhe Elena Pereligina, këshilltare e Departamentit të Europës, Azisë dhe Afrikës në Ministrinë e Kulturës të Rusisë. Ato erdhën në Shqipëri në datat 9-12 dhjetor për të shpallur vitin e ardhshëm, 2011, si vitin e kulturës shqiptaro-ruse. Në këtë vit do të kulmojnë aktivitete të mëdha kulturore mes dy vendeve tona, që synojnë edhe një herë rivendosjen e marrëdhënieve të mira miqësore mes Shqipërisë dhe Rusisë. Në këto aktivitete është vënë re për të parën herë edhe një përfshirje e madhe e Kishës Ortodokse ruse në çështjet kulturore që kanë të bëjmë me lidhjen fe-art. Por, këtij raporti marrëdhëniesh dypalëshe i ka paraprirë që nga 8 dhjetori i vitit 2004, një takim mes ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov dhe ministrit të i Jashtëm të Shqipërisë, Kastriot Islami, të cilët nënshkruan në Tiranë "Traktatin shqiptaro-rus të miqësisë dhe të bashkëpunimit". Pas nënshkrimit të traktatit, Lavrovi tha se “të dyja vendet duhet të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat ekonomike dhe ushtarake”. Ky traktat shënoi një fazë të re të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe. Ndërkohë që sipas ish-ministrit tonë të Jashtëm Islami, “ky traktat ka rëndësi të madhe për marrëdhëniet shqiptaro-ruse dhe përben bazën e dispozitave ligjore për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”. Në këtë pikë duhet të them se ka gjëra të përkohshme dhe të përhershme. Ne duam këto të dytat. Për të arritur këto, duhet kohë, para dhe aftësi. Duke folur nga ana pragmatike, mund të them se imazhi i Shqipërisë në Rusi është shumë i rëndësishëm. Po si nisi e gjithë kjo...?!
Dikur aleati ynë kryesor, madje që konsiderohej edhe si “Vëllai i madh”, Rusia, është sot për Shqipërinë vetëm një shtet në listën e shumë vendeve mike. Dikur sytë tanë ishin te ky shtet, e madje e konsideronim veten si të paprekshëm nga që kishim mbështetjen e Rusisë së madhe, por sot influenca e këtij vendi është harruar nga shqiptarët e madje brezi i ri nuk di asgjë për miqësinë e dikurshme. Marrëdhëniet Shqipëri-Rusi patën kulmin e tyre në fillim të viteve ’60, ku në atë kohë dy vendet njohën dhe bashkëpunimin më të madh mes tyre. Ky bashkëpunim ishte në të gjitha fushat e jetës, por edhe më i fortë do të bëhej pas shkëmbimit të kulturës dhe eksperiencave të shqiptarëve dhe rusëve që studionin dhe punonin në dy shtetet mike. Bashkëpunimi nuk ishte vetëm në sektorin ushtarak dhe politik, por ai përfshinte edhe shumë sektorë të ekonomisë si bujqësinë, industrinë e lehtë dhe të rëndë, transportin, minierat dhe sektorin e naftës, si dhe arsimin e shkencën. Shkëmbimi i eksperiencave në këta sektorë, si dhe ndihmat që ish-BRSS nisi të jepte për Shqipërinë e vogël, filluan të zhvillojnë dhe ishin një kontribut për ecurinë ekonomike të asaj kohe. Forcim më të madh atyre u dhanë shkëmbimi i eksperiencave dhe njohjeve mes të rinjve studentë të asaj kohe, ku shumë djem shqiptar u martuan me vajza ruse dhe madje u kthyen edhe në Shqipëri për të jetuar. Por nuk ishin të pakta edhe martesat në anën tjetër, ku shumë djem rus u dashuruan me vajza shqiptare që studionin në ato vite në Moskë, Shën-Peterburg dhe në qytete të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Krijimi i shumë martesave dhe shkëmbimet kulturore dhe ekonomike në ato kohë ishin një shtysë e fortë për t’i afruar më tej dy popujt dhe qeveritë e dy vendeve. Këto marrëdhënie do të njihnin më pas një ndërprerjeje të detyruar prej afro 30 vjetësh për të rifilluar më pas në fillim të viteve ‘90, ku shteti ynë u rihap edhe ndaj Rusisë duke e njohur atë si një shtet mik dhe duke vendosur edhe marrëdhënie të mira si kulturore ashtu dhe tregtaro-ekonomike. Por për të ndalur te marrëdhëniet e shkëlqyera të fillim viteve ’60, ato edhe pse ishin më shumë të vendosura mbi baza të ideologjisë komuniste, bënë që mes dy vendeve të lindte edhe një erë e zhvillimeve dhe shkëmbimeve kulturore. Mjafton të kujtohen eksperiencat në fushat e artit, muzikës, baletit dhe kinematografisë, ku mbetën gjurmë të pashlyera mes kulturës së dy popujve tanë. Tani mendoj se këto lidhje duhet të zgjerohen më tej. Ato s’mund të rrinin vetëm brenda hapësirave të ideologjive të Enver Hoxhës dhe Stalinit. Prandaj për ne është e rëndësishme të ndjejmë fijet dhe lidhjet e thella dhe të gjata midis dy vendeve dhe jo vetëm copëra të vogla të historive tona. Aktualisht, gjendja në fushën e ekonomisë dhe politikës është paksa më e vështirë. Por, medoemos, nevoja shpirtërore është shumë e madhe dhe ajo mbizotëron dhe qëndron më lart se çdo marrëdhënie tjetër midis dy vendeve tona. Problemi më i rëndësishëm është ai i bashkëpunimit midis brezave të rinj, sepse këta të fundit do ta ndiejnë këtë nevojë të brendshme, si dhe do ta konkretizojnë atë. Mua më kujtohet që kur shkuam për të studiuar në atë vend, shumë prej shqiptarëve u dashuruan me gjithë kuptimin e fjalës dhe pasi u kthyen lanë aty një pjesë të rëndësishme të jetës dhe të zemrës së tyre. Më kujtohet sidomos mikpritja dhe dashamirësia e popullit rus, që na priti, na mbajti dhe na trajtoi njësoj si të ishim një pjesë e tyre. Nuk mund të mos kujtoj këtu edhe dashurinë dhe simpatinë e vajzave të ëmbla ruse. Ato ishin një motivim i veçantë për ne, studentët shqiptarë që vinim nga një vend i vogël dhe i largët dhe që mbi të gjitha na mungonte dashuria e të afërmve, miqve por dhe vajzave ose ish-të dashurave tona. Aty mësuam se kishte një tjetër dashuri të fortë. Shumë prej nesh prej kësaj ndjenje do të iknin duke e mbajtur kokën pas, një prej të cilëve jam edhe unë. Por pati edhe shumë prej tyre që dashurinë e jetës e morën me vete dhe e sollën në Shqipëri. Këta janë nga njerëzit më të njohur të artit dhe kulturës, të letrave por dhe shkencës shqiptare. Sa keq që njëri prej tyre nuk u bëra edhe unë...!
20 Dhjetor 2010