Mungesa e sistemit ngrohës në shkolla redukton orët e mësimit në 25 minuta
Lizeta Duro
Mungesa e sistemit ngrohës në disa gjimnaze dhe shkolla 9-vjeçare, ka reduktuar orët e mësimit në 25 minuta nga 45 minuta që ishin. Sipas drejtuesve të shkollave të sistemit bazë dhe atë parauniversitar në kryeqytet, në këtë situatë është i pamundur zhvillimi normal i procesit edukativ. Gati në të gjithë gjimnazet dhe 9-vjeçare e vendit sistemi i ngrohjes nuk funksionon, jo vetëm nga mungesa e karburantit, por edhe ngaqë ai është amortizuar totalisht. Edhe në kryeqytet, në shumë shkolla të Tiranës, të cilat kanë vite që nuk janë rindërtuar ky sistem ose nuk ekziston fare ose nuk funksionon prej kohësh për shkak të amortizimit të kaldajave. Në gjimnazin “Besnik Sykja” dhe “Petro Nini” kaldajat ekzistojnë dhe janë në gjendje të mira por nuk vihen në punë për shkak të mungesës së karburantit. Ndërsa në shkollat 9-vjeçare : “1 Qershori”, “Sabaudin Gabrani”, Jakov Xoxa” “Vasil Shanto” “Ahmet Gashi”, pjesa më e madhe e të cilave zhvillojnë mësimin me dy turne sistemi i ngrohjes ose mungon ose është i amortizuar, pra mungojnë punonjësit e mirëmbajtje për të eliminuar defektet teknike të kaldajave. Megjithëse, orët janë reduktuar, nxënësit nuk mund të qëndrojnë në klasë, pa lëvizur, edhe gjatë zhvillimit të mësimit dhe as nuk munden të shkruajnë, sepse nuk përqendrohen nga të ftohtit. Ndërkaq, duke qenë se gjatë këtyre ditëve temperaturat kanë shkuar deri në 0 gradë celcius, problemi i mungesë së sistemit ngrohës në shkolla, është ngritur edhe nga prindërit e nxënësve të këtyre shkollave, si domosdoshmëri emergjente, sidomos në ciklin fillorë.
Nxënësit
Nxënësit shprehen se mungesa e sistemit të ngrohjes dhe reduktimi i orëve të mësimit po ndikon në uljen e nivelit mësimor dhe nivelit të nxënies, sepse sipas tyre në 25 minuta që ka një orë mësuesve nuk u del të bëjnë apelin dhe jo të pyesin nxënësit apo të shpiegojnë mësimin. Ata thonë se me uljen e temperaturave, mbarëvajtja e procesit mësimor në shkolla është bërë e pamundur për shkak të reduktimit të orëve të mësimit dhe të ftohtit që ata ndiejnë. Nxënësit thonë se në disa klasa “zgjidhja” është gjetur, ata vetë kanë mbledhur lekë dhe kanë blerë ngrohëse elektrike, por edhe kjo ka problemet e saj pasi qëndron vetëm në një cep të klasës dhe nuk mund t’i ngrohë të gjithë. “Secili nga ne është detyruar të sjelli nga dy mijë lekë dhe kemi blerë reflektor, mësuesit na kanë thënë se shkolla nuk ka fonde dhe buxhet të mjaftueshëm për të pajisur të gjitha klasat me ngrohëse, për këtë arsye ne i mblodhëm vetë lekët”, u shpreh një nxënëse e shkollës “Vasil Shanto” këtu në kryeqytet. Gjatë stinës së dimrit, pa ndezjen e kaldajave, qëndrimi për disa orë në klasë bëhet i pamundur jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit.
Më problematike paraqitet gjendja në ciklin fillor në këtë shkollë, të cilët e zhvillojnë mësimin pasdite por edhe për shkak se mosha e kësaj kategorie nuk mund ta përballojë aspak të ftohtin në klasë. Ata janë të detyruar të vishen trashë me e shall nga kërcënimi i dimrit. Meqenëse fëmijët që kanë të ftohtë nuk përqendrohen në mësim, prindërit e fëmijëve të ciklit fillorë në kryeqytet, jo rrallë herë kanë kontribuar vetë me mundësitë e tyre për të ndërtuar një sistem ngrohje në klasë. Megjithatë, mungesa e sistemit ngrohës më shumë vihet re në shkollat e ndërtuara kohë më parë dhe në shkollat e sistemit parauniversitar, sepse si fillim, fondet e pamjaftueshme për ti mbuluar të gjitha shkollat, janë akorduar të vihen në dispozicion të fëmijëve më të vegjël, ngaqë ata janë më të rrezikuar nga të ftohti. Ndërkaq, sistemi i ngrohjes në shkollat e mesme, tani për tani konsiderohet thjeshtë një luks dhe jo si diçka vendimtare për procesin edukativ.
Reagim
Drejtuesit e shkollave në kryeqytet akuzojnë Bashkinë e Tiranës se nuk ka miratuar një fond i veçantë për sistemin e ngrohjes në shkolla. Në këtë fond, sipas drejtuesve, janë përcaktuar qartë dhe saktë shpenzime materiale për pajisjet, ndërtimin ose rikonstruksionin e tyre, shpenzime transporti dhe karburanti që do të konsumohet. Por burimet zyrtare në Zyrën e Informacionit në Bashkinë e Tiranës thonë se ky projekt ekziston nga ana e Bashkisë por kjo e fundit, sipas tyre, nuk po gjen mbështetjen e Ministrisë së Arsimit për ta përmirësuar këtë situatë. Sipas këtyre burimeve Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë zgjidhur ende problemin e kompetencave për këtë çështje ditur sepse përgjegjësia është e jona dhe e drejtorisë arsimore. Nga Ministria e Arsimit bëhet e ditur se të gjitha fondet për ngrohjen dhe mirëmbajtjen u kalojnë si grand i pakushtëzuar bashkive dhe komunave, në bazë të numrit të popullsisë. Gjithashtu ata shtojnë se përgjegjësia është e Ministrisë së Arsimit për funksionimin e kaldajave, pasi vendosja e tyre është në varësi të bashkisë, por mirëmbajtja është në varësi të Drejtorive Arsimore Rajonale.
90 vjet nga krijimi i QSUT, Vasili: “Ky institucion tashmë prodhon shëndet”
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” festoi dje 90 vjetorin e krijimit të saj. Fillimisht në vitin 1920 me një spital të vogël i cili ndodhej në krah të Bashkisë së Tiranës, dhe më pas me një godinë të vërtetë në vitin 1932, pikërisht ku ndodhet drejtoria e këtij institucioni në ditët e sotme. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili si dhe Drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku. Gjatë fjalës së tij, kreu i shëndetësisë e ka cilësuar këtë institucion si më të rëndësishmin në vend por edhe në rajon, duke e cilësuar si një prodhues të shëndetit. “QSUT mbetet një nga institucionet më të rëndësishme në vend, i cili nuk e ka ndalur kurrë ritmin e të ecurit përpara. Falë vullneteve dhe aftësive të stafit në këtë institucion, janë realizuar edhe ndërhyrjet të cilat kanë qenë të pamundura, por më pas janë kthyer në realitete dhe në shërbim për pacientët. Në këtë spital është prodhuar shëndet” u shpreh ministri i Shëndetësisë. Sipas Vasilit duhet të vlerësohen me mijëra persona të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për të arritur deri në këtë moment kur e gjithë popullata gjen shërbim të specializuar dhe mjekë të kualifikuar. Ndërkohë që drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka pohuar se ky institucion në të ardhmen do të jetë në krah të pacientit duke i ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme. “Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në sukseset e këtij institucioni. Po kështu dua të garantoj se unë do të jem pranë çdo mjeku të QSUT-së, për të zgjidhur të papriturat në punë, si dhe në krah të çdo pacienti i cili vjen për tu kuruar tek ne. Kjo edhe me investimet që po kryhen në këtë qendër, duke i ofruar pacientit aparatura të fjalës së fundit” tha Ivziku. Gjatë prezantimit të 90 viteve histori të Spitalit të Tiranës kanë marrë pjesë mjekë dhe profesorë të dalë në pension, të cilët kanë punuar vite e vite me radhë në këtë institucion. Të dhënat tregojnë se operacionet e para, në këtë institucion janë kryer nga Osman Jonuzi dhe Frederik Shiroka.
Bashkia e Tiranës mbjell rreth 500 pemë përgjatë skarpateve të lumit të Lanës
Bashkia e Tiranës ka mbjellë dje 510 pemë përgjatë skarpateve të lumit të Lanës, në segmentin nga Ura e shkollës Teknologjike, deri në Unazën e Re. Sipas Bashkisë, zbatimi i projektit, për sistemimin e shtratit të Lanës synon transformimin rrënjësor të këtij segmenti të lumit të Lanës, një segment mjaft problematik për qytetarët, sidomos në kohë reshjesh shiu. Tashmë ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës synon t’i japë gjithashtu një cilësi të re këtij mjedisi, përmes gjelbërimit të zonës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë inspektimit në mbjelljen e pemëve në këtë zonë dhe duke iu referuar punës për shndërrimin e kësaj zone në një park linear, i cili do të jetë në shërbim të gjithë komunitetit dhe do i japë Lanës një përmasë krejt të re, në shtrirjen e vet në krahun perëndimor, u shpreh se rëndësia e trajtimit të këtij segmenti qëndron në faktin se ky objekt është një element dekorativ me rëndësi për kryeqytetin dhe njëkohësisht një faktor ambiental që përmirëson ndjeshëm mikroklimën e tij, duke u konsideruar si një korridor i fuqishëm ajrimi. “Me shtratin e Lanës që sot nuk është më pengesa e dikurshme e ujit që shkaktonte përmbytje në qytet, por është një garanci kundër përmbytjeve, ne kemi hyrë në një fazë tjetër, duke nisur me mbjelljen e disa qindra e qindra pemëve që janë edhe pjesa e parë e punës që do të bëhet për ta shndërruar gjithë këtë zonë dhe segment të ripërtërirë të Lanës, në një park linear i cili do të jetë në shërbim të gjithë komunitetit rreth e rrotull, por njëkohësisht do i japë një përmasë krejt të re dhe të papritur Lanës, në shtrirjen e vet, në krahun perëndimor”, tha Rama.
Sipas kryebashkiakut, kjo pjesë e lumit do të ngjasojë me një park linear natyror, pa praninë e rrugëve për automjete në dy brigjet e tij, sikurse ndodh në segmentin tashmë të ndërtuar të Lanës. Rama u shpreh gjithashtu se këtu synohet një ndërhyrje urbane, e cila do të përmirësojë cilësinë e jetës së komunitetit, si nga pikëpamja ambientale, ashtu edhe nga ajo urbane.
20 Dhjetor 2010