Marrëveshja, Thaçi: Nuk është ideale, por veriu nuk duhet ti frikësohet
Prishtinë- Një ditë pas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Thaçi ka dalë përpara opinionit publik dha ka theksuar se marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Policia dhe gjyqësia në veri do të punojnë sipas ligjeve të Kosovës dhe do të ruhet karakteri unitar i vendit.
Ai i ka bërë thirrje qytetarëve të veriut që mos ti frikësohen kësaj marrëveshje, sepse ajo sipas Thaçit është në të mirën e vetë atyre. Ai tha se e di që kjo nuk është marrëveshje ideale.
Është një marrëveshje racionale, nuk është ideale, jam shumë i vetëdijshëm, por aty kemi negociuar me Serbinë pas një konflikti njëshekullor. Është marrëveshja e parë që nënshkruhet në nivele politike të tilla mes Kosovës dhe Serbisë, pra marrëveshje ndërshtetërore, tha ai, transmeton Koha Ditore.
Gjithsesi, sipas Thaçit, marrëveshja i hap rrugë shtrirjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në këtë pjesë të vendit.
Me këtë marrëveshje do të normalizojmë dhe funksionalizojmë gjendjen në vendin tonë. Do ta shtrijmë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Do të normalizojmë gjendjen në veri dhe do të çimentojmë të ardhmen tonë evropiane, u shpreh Thaçi.
Kryeministri nuk tha se kur FSK-ja, do të ketë ndikim në veri, por tha se NATO, ka dhënë garanci për implementimin e marrëveshjes.
Ne kemi një qëllim, një vizion, koordinimin e plotë të të gjitha aktiviteteve tona me NATO-n dhe mendoj se kjo është ajo që e kemi marrë garanci nga NATO, për të punuar për implementimin e kësaj marrëveshje, tha ai.