Marrëveshja e Ohrit, Berisha-Osmani: Plotësim të mëtejshëm
Politika e qeverisë shqiptare ka qenë dhe do të mbetet përherë e hapur, vëllazërore dhe bashkëpunuese me të gjithë faktorët e spektrit politik shqiptar në rajon e më gjerë. Kryeministri Sali Berisha priti dje kryetarin e Komunës së Gostivarit, z. Rufi Osmani, i shoqëruar prej bashkëpunëtorëve të tij. Z. Osmani i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë dhe falënderimet për pritjen e ngrohtë dhe në veçanti i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij në mbështetje të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Maqedoni, promovimin e proceseve demokratike dhe evropianizimin e jetës politike shqiptare në tërësi. Ai e njohu Kryeministrin Berisha me arritjet e qeverisjes së krahinës, frymën politike dhe problemet e zhvillimit që ekzistojnë në komunitetin që ai përfaqëson dhe më gjerë. Duke u ndalur tek objektivat, z. Osmani theksoi rolin e faktorit shqiptar në plotësimin e mëtejshëm të marrëveshjes së Ohrit, si dhe kontributin që ata mund të luajnë më tej në zgjerimin e pluripartitizmit në republikën fqinje. Nga ana e tij, z. Berisha vlerësoi zgjedhjet e fundit në Maqedoni, si dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare për marrëveshjen historike të Ohrit. Kryeministri theksoi se Shqipëria po ecën e sigurt në konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomiko-politik. Zgjedhjet e fundit në Shqipëri realizuan standardet më të larta deri më tani. Zgjedhjet e lira e demokratike të zhvilluara tek ne janë të certifikuara e të krahasueshme me shumë vende evropiane. Prandaj, askush nuk duhet të konsiderohet i humbur. E rëndësishme është të menaxhohet me dinjitet rezultati i gjithsecilit në favor të së mirës së përgjithshme. Arritjet e mësipërme, - tha Kryeministri, - janë një bazë e shëndoshë për finalizimin këtë vit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe po e përshpejtojnë anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.