Obelisku, ish-të përndjekurit: Të ndryshojë projekti i sheshit
Ish-të përndjekurit politikë përfshihen në debatin për sheshin "Skënderbej", duke kërkuar nga Bashkia e Tiranës që të ndryshojë projektin. Nga vendi ku dikur ngrihej busti i Enver Hoxhës, ata i bënë thirrje bashkisë që të ndryshojë projektin dhe të vendosin aty në vend të një piramide një obelisk për viktimat e komunizmit. Besim Ndregjoni, sekretari i përgjithshëm i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë tha: "Këtu është vendosur që të bëhet memoriali që në vitin 2006 i të përndjekurve politikë, siç është vënë në Uashington, në Pragë, në Varshavë dhe në Budapest. Unë besoj që Edi Rama do të ketë ndërgjegjen kombëtare që këtu të zhdukë kullat dhe të vihet memoriali se i shërbejnë historisë së këtij kombi më shumë se kulla, memoriali i gjenocidit komunist. Qeveria të hapë fondin e veçantë për ndërtimin e këtij obelisku". Ish-të përndjekurit kërkojnë nga qeveria dhe një varrezë të tyren siç është dhe ajo e "Dëshmorëve të Kombit". "Qeveria të caktojë parcelën kombëtare ku të venë dëshmorët e fjalës së lirë dhe të shkojnë të vihen tufat me lule tek ato", - u shpreh z. Ndregjoni.