Kontigjenti i 5-të Paqeruajtës niset drejt Bosnjës
Në Brigadën Logjistike u zhvillua dje ceremonia për përcjelljen e Kontigjentit të 5-të Paqeruajtës, pjesëmarrës në misionin ALTHEA të Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve paqeruajtës etj. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ky është një mision shumë i rëndësishëm jo vetëm për shkak të autonomisë dhe rolit që ka, por ai përfaqëson kapacitetet tona profesionale në fushën e demontimit të municioneve. Duke iu drejtuar ushtarakëve të këtij kontigjenti, z. Imami tha: Ky mision kryhet në kuadër të BE-së dhe ju jeni dallëndyshet e para në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kontigjenti i 5-të i përbërë nga 2 oficerë dhe dhjetë operatorë të asgjësimit të municioneve dhe eksplozivave do të zëvendësojë Kontigjentin e 4-të, i cili ka filluar misionin në muajin tetor të vitit 2009.