E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i dashurisë

- In memoriam mikut tim Dritan Çelës, përkthyesit të talentuar të letërsisë italiane

E kisha filluar ditën shkujdesshëm, duke i thënë vetes se në një çast të përshtatshëm do kthehesha të rregulloja me kujdes gjithçka që kisha lënë rrëmujshëm pas, që nga shtrati në dhomën e gjumit e deri tek një material i rëndësishëm, që duhej ta përfundoja për ta dorëzuar në një takim pune. Çuditërisht, nuk bëja asnjë përpjekje për ta sjellë mendjen në vete, thua se po kënaqesha edhe vetë me gjendjen eterike, ku informacionet nga shqisat hynin e dilnin në formë fluide dhe perceptimi ishte ulur në minimum. Ditë të tilla, kur s'dëshiron të bësh asgjë tjetër, veçse ta lësh veten në rrjedhën e sekondave që rrëshqasin, për mua janë të rralla. Me ç'duket, ngarkesat e sforcimet e çojnë trurin në një lloj ngërçi, nga i cili mund të dalësh vetëm pasi i ke liruar të gjitha pejzat e mendimeve, për t'i rilidhur më pas, sipas radhës së duhur.
Në fillim të shkurtit të dy mijë e shtatës, pra veç pak javë më parë, kishim organizuar një takim me shokët e shoqet që kishin mbetur në Shqipëri nga kursi ynë i gjuhës e letërsisë, me të cilët ishim diplomuar bashkë në vitin 1992. Kishim shkëmbyer numra telefonash e adresa elektronike, kështuqë telefonata e njërit prej shokëve, atë mbasdite të amulltë, m'u duk mëse e zakonshme. Më njoftoi për një takim që do bëhej, sipas tij - tek muzeu kombëtar, në kujtim të Dritan Çelës, i njohur prej dashamirësve të letrave si një përkthyes brilant i italishtes e që për mua kishte qenë njëri prej miqve të ngushtë të fakultetit, i cili, për mbrapshti të fatit, prej një viti, kish shkuar në prehje. Pak minuta më pas mora një tjetër telefonatë prej një shoqeje kursi, Manjolës, e cila më njoftonte për të njëjtin takim, por duke më dhënë të tjera koordinata - tek një tjetër "muze". I hipa makinës gjysmë ore përpara takimit, për të pasur mundësi ta verifikoja vetë vendin. Kisha dalë në unazë kur Sokoli, që më kish njoftuar i pari, më konfirmoi se takimi do të bëhej në një nga sallat e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. "Tek piramida, e kuptove? Tek piramida!" - kishin dalë nga kufjet e telefonit këto fjalë e silleshin herë rrotull meje, herë brenda kafkës, duke u amplifikuar çuditshëm. Jo sinteza e nocioneve e simboleve, por përqasja e rastësishme e imazheve, si formë më e thjeshtë të menduari, pra, për rrjedhoje shumë më e përshtatshme për gjendjen time, më dukej udhërrëfyesi i duhur për t'u orientuar. Imazhi i piramidës, në bashkëshoqërim me imazhe faraonësh e konservimi, pillte brenda trurit një produkt të përtejjetshëm.
Nuk e pata të vështirë të kuptoj se në cilën nga sallat e ngrehinës do të organizohej takimi, nga njerëzit që rrinin grupe-grupe jashtë njërës prej hyrjeve. Shqova fytyrat e miqve të vjetër të fakultetit, me të cilët u përshëndeta me një të shtrënguar dore, si të ishim ndarë një ditë më parë. Sokoli u mundua të jepte një justifikim për vendtakimin e pasaktë të njoftuar fillimisht e duke përmendur se edhe ata që ishin nisur tek Muzeu Kombëtar, kishin ardhur së fundmi aty.
- Ishte e kuptueshme që duhej të ishte këtu. - i thashë. Një ankth pritje i shtohej si brymë fshikullimave të erës.
- Kë presim tjetër? - pyeti Krenari.
Pamë me radhë njëri-tjetrin në sy. Si në apelin që bënim dikur përpara fillimit të orës së mësimit, u përmendën emrat e atyre që kishin hyrë ndërkohë në sallë, të atyre që ishin lajmëruar, që ishin larguar përkohësisht jashtë vendit, përfshirë ata që, për arsye të forta, kishin justifikimin të mungonin.
- Atëherë, le të hymë edhe ne. Táni na pret brenda.
Nuk arrija të kuptoja nëse ishte një lajthitje e paturpshme ajo që sapo kisha thënë, apo në gojën time ishte gërmëzuar një ide e pafaj, e zbritur prej kushedi çfarë mjegullinash, ku mendja s'mund të qasej kurrsesi. I gëlltita bashkë me heshtjen që pasoi ato fjalë, duke u çapitur brenda labirintit të korridoreve.
I kisha imagjinuar gjithmonë piramidat si disa kabahë të ngurosur, ku rëra e shkretëtirës, si vello e plúhurtë, rëndonte më shumë se pesha e blloqeve të stërmëdhenj të gurit. Piramida ku sapo kisha hyrë ishte e jetëshme në misticizmin e saj. Rrotull shihje tufa të bardha zambakësh me petale erëmirë, dritëhije qirinjsh të ndezur... Njerëz buzëpsherëtima lëviznin sikur pluskonin në ajrí, në kërkim të diçkaje që do u jepte sërish peshë e do u kthente fjalët, të një lloj qendre rëndese - sa të ndjeshme, po aq edhe të parrokshme; uleshin ndenjur, në platenë e ngjashme me një teatër antik, ku personazhet, si në dramat eskiliane, nuk njihnin kufij midis këtej-e-andej-jetës; çoheshin në recitim, si aktorë, duke rrëfyer vetveten; uleshin sërish, disi më të lehtësuar prej barrës së çliruar, për t'u ngarkuar sërish me dhimbjen e rrëfimeve të tjera, në një shfaqje reale, ku skenarist e regjisor ishte mallëngjimi.
U ndjeva figurant në dramën e mallit kur, së bashku me shoqen e vjetër, Luljetën, me një shportë me lule në duar, iu afruam fotos së Dritanit, për t'i thënë se ishim aty, si pesëmbëdhjetë vjet më parë, në atë vend ku ne ndiheshim bujtës e ai zot shtëpie. Aty kuptova se nuk kishin pasur kurrfarë lajthitje fjalët që kisha shqiptuar ende pa hyrë brenda piramidës.

*
* *

Në të dalë të sallës mundëm të merrnim nga një kopje të librit "Për dashurinë shkruhet pas vdekjes". Në ballinë të librit kontrastonte me sfondin e zi një mozaik me gjysmëprofilin e bukur të mikut tonë, Dritanit. Nga ai takim, ku të gjithë njerëzit më bëheshin të njohur, dolëm me një lloj dehje, që donim të mos na lëshonte e të zgjaste sa të mundte, ndaj vendosëm të shkonim të pinim ndonjë gotë. Në krahun tjetër të ngrehinës ishte një bar, që quhej "Mumja". Shpejt e pa zhurmë, në disa tavolina të bashkuara nxitimthi, filluan të mblidhen tërë shokët e fakultetit. Të parët që u ulën morën edhe nga një ndenjëse për ata që priteshin. Në ndenjëset bosh u lanë çantat, borsetat e dorës, librat..., në pritje të të tjerëve. Një kamerier sillej i trazuar rrotull, pa vendosur nëse duhej të merrte porositë, apo të priste edhe më. Kisha lënë kopjen e librit në karrigen përbri meje dhe s'e kisha vënë re se vendet rrotull tavolinës thuajse ishin zënë të tëra në ato pak minuta që unë isha përpjekur me të fundmin fill të mbetur të vullnetit, të ruaja ende dehjen e mëparshme. Mbas veshit dëgjova një zë:
- Kush është këtu?
Pa e kthyer kokën, vura dorën sipër librit dhe shqiptova:
- Tani.
Ngrita sytë. Pashë rrotull. Sipër ndenjëseve, mbi prehërat e gjunjët, ulur si dikur, ngatërruar midis gjymtyrëve lojcake, ndarë e shumëfishuar tek secili prej nesh... ishte e njëjta fytyrë. Më e prekshme e më e kudogjendur se fytyra e secilit prej nesh.

*
* *

Me datë 4 mars 2007, dy ditë pas asaj ngjarje që ishte më shumë se përshpirtje e ca më shumë se një promovim libri, i ftuar në studion e Radio Tiranës, në një emision të mbrëmjes, u mundova të risillja një pjese të emocioneve që kisha provuar në sallën mistike të piramidës, si dhe të atyre emocioneve që më kishte ngjallur leximi i librit "Për dashurinë shkruhet pas vdekjes" të shkrimtarit Zija Çela, mik i hershëm i familjes sime, babai i mikut tim, Dritanit. Duke iu bindur urdhrit të përlartë të racës së krijuesve, shkrimtari kishte arritur të më sillte të gjallë përpara syve, gjatë leximit, mikun tim të viteve studentore, me pamje e me zë. Vizione të herëpashershme të Dritanit më bënin të ndaloja leximin, ta përhumbja shikimin, për ta çuar përtej rreshtave. Veçanërisht njëri prej këtyre vizioneve ishte dominues: një hyrje e shkujdesur e Tanit në derën e klasës, ku bënim seminaret, duke lëshuar një prej pasthirrmave të tij karakteristike. E përmenda këtë fakt përpara mikrofonit, pa u thelluar shumë në përmbajtjen e tij, ashtu siç bëra me shumë prej atyre përjetimeve që pata në një hark kohor vërtet të shkurtër, por të mbushur me një densitet emotiv të jashtëzakonshëm, që më bënte të humbisja shpesh herë racionalitetin e t'i lëshohesha si rob ndjesive trazuese brenda vetes. Në mënyrë të natyrshme kisha arritur në përfundimin se dashuria e atit për birin është më e thekshmja, më sublimja, themeli mbi të cilin ngrihen edhe librat e shenjte biblikë. Isha munduar ta shpjegoja e shtjelloja këtë ide, duke ilustruar mendimin me situata e gjendje që përçonte libri. Megjithatë, si ato materiet, që në sasi janë të pakufizuara e në cilësi janë të larmishme dhe mundësia për t'i rrokur e trajtuar brenda një ore e gjysmë emision është e pamundur, edhe mua më mbetën shumë të pathëna në lidhje me librin, të cilat do më mundonin nëse nuk do i nxirrja njëherë.
Një nga kundërshtitë e bukura të njerëzve është të kuptuarit atëherë kur nuk ndiejmë dhe të ndjerët atëherë kur nuk kuptojmë. Në çastin kur arrijmë të kuptojmë e të ndjejmë njëkohësisht kemi nevojën që këtë t'ia shpallim botës mbarë. Ndodh që të ndjerët të të çojë tek të kuptuarit dhe anasjelltas e kjo është, po ashtu, aq e rrallë sa, kur ndodh, ia vlen të thuhet. E kam dëgjuar që fëmijë mitin e lindjes së perëndeshës Athina nga kryet e atit të saj, Zeusit, pa kuptuar e, ca më pak, pa ndjerë domethënien e tij. M'u desh të lexoj "Për dashurinë shkruhet pas vdekjes" që të kuptoj dhe ndiej metaforën mitologjike. Pasi bëri aktin natyror të mbjelljes së filizit të tij, më pas të rritjes e burrërimit, babait Zija iu desh të përballet me prishjen e rendit të rrugës së jetës: iu desh ta përcillte ai birin e tij. Mes boshit të dhimbjes (lexo figurshëm: kaosi) për humbjen e pësuar, artisti Zija Çela u thirr prej urdhrit, të cilit i përket, në misionin natyror të krijuesit: t'i japë edhe një herë jetë birit të tij, por kësaj radhe në një tjetër përmasë, në atë të pavdekësisë artistike. Një mendje e hollë diti të disiplinojë një shpirt që vuante, duke e bërë që të vuajë bukur, në një elegji, që do jetë koraca dhe vendqëndrimi i përhershëm i birit të dashur, Dritanit.

*Autori është Jurist, shkrimtar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›