Marrëveshja e fshehtë i kushton me dorëheqje

Ministri suedez i Mbrojtjes, Sten Tolgfors, ka dhënë të enjten dorëheqje, pas kritikave të ashpra ndaj planit të tij të fshehtë për ndërtimin e një fabrike të armatimit në Arabinë Saudite, i cili ndërkohë ‘rrodhi’ në opinion.
Megjithëse e konfirmoi dorëheqjen , zëdhënësja e kryeministrit të Suedisë, Roberta Alenius, refuzoi të enjten që të fliste më detajisht lidhur me shkaqet e dorëheqjes së ministrit Tolgfors.
Ndryshe, ministri Togfors u gjend në ballë të kritikave të ashpra, kur radioja publike suedeze, duke u thirrur në dokumente konfidenciale, publikoi lajmin se agjencitë ushtarake suedeze po negocionin një marrëveshje të fshehtë me Arabinë Saudite, me qëllim që shtetit arab t’i ndihmonin në ndërtimin e një fabrike për modifikimin e armatimit anti-tankist.
Suedia nuk ka ndalesa për eksportimin e armatimit në Arabinë Saudite, mirëpo raporti i publikuar sugjeron se marrëveshja me sauditët ishte bërë në atë mënyrë që të shmangej çfarëdo debati publik për të.