E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSE përgënjeshtron PS-në: Asnjë rezolutë për Shqipërinë



Socialistët evropianë kanë përgënjeshtruar qëndrimin e një dite më parë të Partisë Socialiste, shpërndarë për median dhe publikun shqiptar, ku thuhet se Partitë Socialiste Evropiane “shprehën shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës”. Në një komunikim për mediat shqiptare, zëdhënësja e Partive Evropiane Socialiste, Silke Tomson, deklaroi se PSE-ja nuk ka miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë. “Kongresi i Partive Socialiste Evropiane nuk ka miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë”, - deklaroi Silke Tomson.

Por, vetëm një ditë më parë, Partia Socialiste informoi publikun se Partitë Socialiste Evropiane shprehën shqetësim të thellë për krizën në Shqipëri, madje sipas PS-së, Partitë Socialiste Evropiane i kërkuan qeverisë shqiptare të garantojë transparencën e zgjedhjeve përmes një hetimi parlamentar. Referuar deklaratës së zëdhënëses të Partive Socialiste Evropiane, asnjë qëndrim i tillë nuk është mbajtur nga ky forum, për të cilin Partia Socialiste informoi publikun shqiptar. Konkretisht, në datën 6 dhjetor, Partia Socialiste shpërndau një njoftim për mediat ku thuhej: “Në kongresin e Partive Socialiste Evropiane që po zhvillohet në Pragë, u mbajt një takim i posaçëm për çështjet e Ballkanit, ku u propozua një qëndrim i PSE-ve për zhvillimet politike në Shqipëri”. Një takim i tillë apo një propozim për Shqipërinë nuk ka ndodhur në takimin e Pragës që mbajtën partitë e majta evropiane. Sipas zyrës së PS-së, në këtë dokument, që mori pëlqimin e të gjitha partive në tryezë, thuhej: “Partia e Socialistëve Evropianë shpreh shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria. PSE i jep mbështetje të plotë qëndrimit të mbajtur nga Internacionalja Socialiste për krizën me të cilën përballet Shqipëria dhe thekson se në Shqipëri demokracia duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të mbështeten”. Një deklaratë e tillë nuk konfirmohet nga PSE-ja.

Në të njëjtën deklaratë të lëshuar për mediat nga Partia Socialiste, thuhej se PSE-ja i bëri thirrje koalicionit qeverisës në Shqipërisë që përmes një hetimi parlamentar të plotësojë kërkesat legjitime të PS-së për transparencën e zgjedhjeve. Një deklaratë e tillë nuk është bërë nga partitë e majta evropiane. “Kongresi i PSE-së i bën thirrje koalicionit qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, - thuhej në njoftimin zyrtar të PS-së më datën 6 dhjetor, të cilin zëdhënësja e PSE-së nuk e konfirmoi.

Nënshkrimi i MSA-së anëtarësoi PS-në në PSE

Partia Socialiste u bë anëtare e socialistëve evropianë (PSE) dhe kjo falë nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që ka bërë Shqipëria. Referuar nenit 11.2 të statutit të PSE-së thuhet: “Anëtarët e asociuar kanë të drejtë të marrin pjesë në takime në të cilat ata janë të ftuar me të drejtën e shprehjes dhe të drejtën e iniciativës, por pa të drejtë për të votuar”. Nga ana tjetër, anëtarësimi në këtë organizëm politik u përshëndet nga kreu i PS-së, Edi Rama, i cili është edhe anëtar i Presidencës së PSE-së. Rama tha se mori mbështetje për aksionin politik të opozitës shqiptare për hapjen e kutive të votimit, ndonëse zëdhënësja e PSE-së deklaroi në të njëjtën ditë se nuk pati asnjë rezolutë për Shqipërinë. “Të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet në këtë strukturë të socialistëve dhe progresistëve evropianë, e cila ka zëdhënësit e vet në Parlamentin Evropian. PSE është shprehur qartë në mbështetje të PS-së, në mbështetje të kërkesave tona legjitime, për të bërë transparencën e plotë të procesit elektoral", - deklaroi Rama. Nga ana tjetër, PS bëri me dije se kryetari i socialistëve në Parlamentin Evropian, Martin Shulz, përshëndeti anëtarësimin e Partisë Socialiste në PSE. “Me lejoni t’ju uroj më të mirat të dashur miq në Shqipëri. Urimet më të mira Edi Ramës, kryetarit të PS-së dhe gjithë anëtarëve të kësaj partie që luftojnë sot për parimet tona të përbashkëta, demokracinë, drejtësinë sociale dhe shtetin ligjor", - thuhet në mesazhin e Martin Shulz.

LSI, Vasili: Rama mashtroi me rezolutën e PSE-së

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, njëkohësisht ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi dje se kreu i PS-së, Edi Rama, mashtroi shqiptarët duke thënë se socialistët evropianë miratuan një rezolutë për Shqipërinë. “Jemi sot para jush për të denoncuar skandalin dhe mashtrimin e radhës, tashmë në modë në politikën e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste, lidhur me gjoja një rezolutë të miratuar në kongresin e fundit të Partive Socialiste Evropiane”, - tha Vasili. Sipas tij, kjo ishte marrëzia e radhës e Edi Ramës duke shpikur rezoluta. “Është e qartë që Edi Rama ka demonstruar sjelljen më të papërgjegjshme dhe më skandaloze duke iu referuar dhe mashtrimeve të mëdha publike të karakterit të lartë politik. Në konferencën e fundit të Partive Socialiste Evropiane nuk është miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë, përkundrazi, delegacionit të Partisë Socialiste, drejtuar nga Edi Rama, i është bërë thirrje e qartë publike që t’i japë fund bojkotit, të shkojë sa më parë në Parlament, debati parlamentar dhe çdo veprim tjetër i karakterit politik të kryhet në sallën e Parlamentit”, - tha më tej Vasili. Ai më tej denoncoi edhe qëndrimin e Ramës në kongresin e PSE-ve, por i bëri thirrje për dialog. “Duke denoncuar këto veprime, ne vazhdojmë të dëshmojmë dëshirën tonë për dialog parlamentar, i ripërsërisim ftesën Partisë Socialiste që të rikthehet në Parlamentin shqiptar si i vetmi vend ku aspiratat europeiste të Shqipërisë dhe të opozitës realizohen dhe t’u japin fund deklaratave dhe sulmeve të njëpasnjëshme që po çudisin jo vetëm Shqipërinë, por dhe mbarë Evropën”, - deklaroi Petrit Vasili.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›