Marrëveshja me Italinë, katër emigrantë kthehen në Itali

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Anija “Cassiopea” e Marinës Italiane mbërriti ditën e djeshme në portin e Shëngjinit, ndërsa në bordin e saj ishin 49 emigrantë të paligjshëm.
Sipas medieve, pas ndjekjes së procedurave ligjore dhe kontrollit, katër prej këtyre emigrantëve janë kthyer mbrapsht në shtetin italian dhe bëhet fjalë për tre emigrantë të mitur dhe një të rritur, ndërsa 45 të tjerët janë transportuar në kampin e Gjadrit.
Anija u ankorua në portin e Shëngjinit mëngjesin e ditës së djeshme. Emigrantët u janë nënshtruar procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse.
Sipas ANSA, në bord ndodheshin shtetas nga Bangladeshi (në shumicë), Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Grupi i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërriti dje në Shqipëri erdhi pas një riaktivizimi të marrëveshjes Itali-Shqipëri. Ky është operacioni i tretë për të strehuar e emigrantë në Gjadër. Në dy rastet e para emigrantët u kthyen në Itali për shkak të një vendimi të Gjykatës në Romë. /j.p/