E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, miratohet edhe Kodi i pestë

Socialisti Gramoz Ruçi, tha se gjatë shqyrtimit të këtij Kodi nuk janë zbatuar procedurat. 

"Duke qenë se proceduarat nuk janë zbatuar nuk duhet t'a kishit përfshirë në rendin e ditës. Ne kemi miratuar 3 marrëveshje për ligjet me shumicë të cilësuar, ku opozita është treguar korrekte, për reformën zgjedhore që është pika e parë e rekomandimeve të KE-së dhe reforma parlamentare që nuk po ecet dhe s’ka asnjë preokupim nga mazhoranca për të", tha ai.

Ruçi shtoi se PS do të votojë Kodin për të dëshmuar se nuk është opozita që po pengon, por është mazhoranca që po zvarrit reformën parlamentare dhe reformën zgjedhore. Sipas tij, mazhoranca duhet të bashkëpunojë me opozitën përpara se Komisioni Evropian të shprehet në lidhje me marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë. 

"Ne ju paralajmërojmë që fundi i marsit nuk është larg. Vlerësoni edhe ju këto reforma. Kujtoni se ia hodhët opozitës, por përkundrazi bëni gabim, pasi ndëshkoni Shqipërinë nuk do ndëshkoni opozitën", tha ai. Miratimi i këtij ligji vjen pas miratimi të 4 Kodeve të tjera me shumicë të cilësuar si ai ajror, hekurudhor, detar dhe hekurudhor.

Halimi: Ligji sipas standarteve evropiane

Për ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, miratimin i këtij Kodi është me rëndësi për integrimin. "Qeveria që në fillim të mandatit ka bërë publike pozicionin e saj, duke kërkuar nga e gjithë administrata publike që të evitohen proceset ndaj medias, nga zyrtarët e lartë të administratës publike, duke i lënë vend aplikimit të mbrojtjes të së vërtetës dhe reputacionit, sipas standardeve të aprovuara nga Gjykata e Lartë Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e njohur si gjykata e Strasburgut", tha Halimi, në fjalën e tij gjatë diskutimit të ndryshimeve në Kodin Civil në seancën e sotme plenare. 

Kreu i Drejtësisë theksoi se ndryshimet në Kodin Civil kanë ardhur pas një bashkëpunimi të Ministrisë së Drejtësisë me opozitën dhe me shoqërinë civile mbi bazën e akteve dhe rekomandimeve konkrete të organizmave ndërkombëtare.   Relatorja e pr/ligjit deputetja e PS-së, Vasilika Hysi tha se ndryshimet në kodin civil rregullojnë marrëdhëniet e qytetarëve në një proces civil, kur ata përballen me shpifje apo fyerje që cënojnë nderin, dinjitetin apo reputacionin e tyre, qoftë edhe nëpërmjet faqeve në internet. Ajo tha se drafti që i propozohet Kuvendit është shumë i ndryshëm nga ai i sjellë nga qeveria dhe hartimi i tij është bërë pasi projekti mori një konsensus të gjerë të ekspertëve kryesore të fushës, të medias dhe shoqërisë civile.
/Start/

                                                                                             2012-02-16 14:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›