Meta në Kuvendin e Kosovës: Rruga e vetme për shqiptarët është BE dhe NATO! Krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK

Përmbylljen e mandatit të tij 5-vjeçar si President i Shqipërisë, Ilir Meta po e bën me një vizitë zyrtare në Kosovë. I pranishëm në Kuvendin e Kosovës, Meta vlerësoi fuqizimin e marrëdhënieve që dy vendet kanë arritur përgjatë viteve. Teksa vlerëson Kosovës se si një shet i ri ka një demokraci llogaridhënëse, nga duhet të mësojë edhe Shqipëria, Meta thekson që shqiptarët duhet të jenë pro BE dhe NATO-s
“Shteti i ri i Kosovës është shembull edhe për vendet e tjera të rajonit, përfshirë Shqipërinë. Vazhdoj të besoj se marrëdhëniet tona vëllazërore kanë nevojë për më shumë qëndrueshmëri dhe gjithëpërfshirës, dhe jo për protagonizëm apo përvetësim. Gjithçka e lidh Shqipërinë me Kosovën: tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, traditat, zakonet, interesat, perspektiva Europiane dhe Euro-Atlantike. Kjo lidhje e pandashme Shqipëri – Kosovë i ka rrënjët tek gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime të etërve të kombit dhe heronjve tanë më të lavdishëm nga Gjergj Kastrioti tek Adem Jashari, nga Ismail Qemali tek Ibrahim Rugova. Forca ripërtëritëse e marrëdhënieve tona qëndron gjithmonë tek njerëzit, këndej e andej kufirit. Ndaj ky vullnet i patjetërsueshëm kërkon një devotshmëri edhe më të madhe politike për të bashkëpunuar më suksesshëm në të gjitha nivelet dhe të gjitha rrafshet”, tha Meta.
Meta ka vlerësuar edhe projektet që shumë shpejt do të lidhin Kosovën dhe Shqipërinë përmes hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe porteve nga ai Porto Romanos te Porti i Thatë i Prishtinës.
“Me të drejtë krenohemi për ndërlidhjen e infrastrukturës rrugore përmes Rrugës së Kombit, për rritjen e shkëmbimeve të njerëzve, mallrave, kapitalit, për ndërlidhjen energjetike, por të përshpejtojmë hapat për zgjerimin e kësaj ndërlidhjeje edhe përmes infrastrukturës hekurudhore dhe portuale”, tha Meta.
Gjatë fjalës së Presidentit nuk mungoi edhe nderimi i ish luftëtarëve të UÇK-së duke thënë se shqiptarët duhet të krenohen me historinë e luftës dhe se në mënyrë të padrejtë sot disa prej udhëheqësve të lutës ndodhen në Hagë.
“Historia na jep ç’do të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK, por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur, siç e meriton. Të mbështesim fuqimisht dhe njëzëri kauzën e drejtë dhe përpjekjet heroike që u bënë prej luftëtarëve të lirisë për t’u mbrojtur dhe çliruar prej gjenocidit. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do të triumfojë mbi çdo tentativë të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima, dhe viktimat në agresorë”, u shpreh presidenti Meta.
/rtsh.al/