E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit - pa fjalën kufi

Qeveria e Kosovës dhe partitë opozitare kanë mendime të kundërta për sa i përket Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë. Derisa Qeveria mbron marrëveshjen, duke thënë se është në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, partitë opozitare dhe afër 1500 respondentë të anketuar nga Kosovapress, thonë se me këtë marrëveshje Qeveria ka shkelur Kushtetutën, por gjithashtu edhe strategjinë për menaxhimin e integruar të kufijve.

Më 2 dhjetor në Bruksel, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një anketë të zhvilluar nga Kosovapress në pyetjen “A u shkel Kushtetuta e Kosovës në Bruksel për kufi?”, kanë marrë pjesë gjithsej 1477 respondentë, 954 prej tyre ose 65 për qind mendojnë se është shkelur Kushtetuta, 390 ose 27 % janë përgjigjur se nuk është shkelë Kushtetua dhe 119 respondentë apo 8 % janë shprehur se nuk e dinë nëse është shkelë Kushtetuta.

Kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit është plotësisht në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe në harmoni me standardet evropiane.

“Së pari, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartë vizionin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës. E dyta, kushtetuta promovon politikat e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal. Ligji për menaxhimin e integruar të kufirit, i miratuar në Kuvendin e Kosovës pas pavarësisë, definon qartë se Kosova është e gatshme që të bashkëpunojë me vendet fqinje në kuadër të konceptit evropian për menaxhimin e integruar të kufirit, që nënkupton bashkëpunim për të rritur sigurinë dhe kontrollin kufitar në linje me vlerat evropiane”, tha ajo.

Për më tepër, Tahiri thotë se marrëveshja mbron dhe avancon interesat nacionale, pasi sipas saj është në përputhje të plotë me Traktatin e Lisbonës dhe ligjet evropiane për këtë çështje.

“Ne si delegacion i Republikës së Kosovës, kemi arrit që të mbrojmë përpjekjet e Serbisë për t’i dhënë dimension politik kësaj marrëveshje, sepse Serbia ka provuar që kjo marrëveshje të vlejë vetëm për dy pikat doganore dhe kufitare 1 dhe 31, ndërsa ne kemi refuzuar dhe kemi arritur që marrëveshja të vlejë për gjatë pikëkalimet kufitare që janë në kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. EULEX-i me mandatin dhe kohëzgjatjen e saj në Kosovë, do të jetë përgjegjës në të gjitha këto pikëkalime kufitare, por ajo që është jetësore, është që shteti i Kosovës do të ketë autoritetin final në të gjitha vendkalimet kufitare”, tha Tahiri.

Ajo përsërit se kjo është marrëveshje ndërshtetërore, por që dy vendet janë në raporte mos njohjeje me njëra-tjetrën, dhe ky nuk është rasti i parë në Evropë kur dy shtete ndonëse ende nuk e kanë bërë zyrtare njohjen reciproke, por që janë shtete fqinje, pajtohen për një lloj bashkëpunimi, me qëllim të plotësimit të standardeve, dhe se Kosova duke plotësuar këtë standard evropian, po i ofrohet më shumë Evropës.

Qëndrimin, se nuk është shkel Kushtetuta e mbron edhe zëvendëskryeministri tjetër i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili deklaroi se marrëveshja është në kuadër të Kushtetutës dhe mandatit që e ka Qeveria nga Kuvendi i Kosovës, dhe se marrëveshja respekton kufirin e Kosovës.

Sipas tij, marrëveshjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e kufijve dhe me menaxhimin e tyre, do të hapeshin dilema, por në këtë rast nuk ka të bëjë me asnjë ndryshim të kufirit.

“Ata që thonë se është shkel Kushtetuta, është mirë të tregojnë se cili nen është shkel, se Kushtetuta i ka 162 nene dhe secili nen i parasheh kompetencat”, ka thënë Kuçi.

Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka theksuar se Qeveria me këtë marrëveshje ka shkelë Kushtetutën, ligjet dhe strategjinë për menaxhimin e integruar të kufijve.

“Është shkelë Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është shkelë ligji dhe është shkelë strategjia për menaxhimin e Integruat të kufijve. Po e them këtë, sepse në marrëveshjen e cila është publikuar dhe që nuk i ka ardhur si dokument zyrtar Parlamentit, nuk figuron fjala kufi. Zëvendëskryeministrjasi kryenegociatore po shërbehet me figura, sikur ka të bëjë me shkrime figurative letrare dhe jo me një marrëveshje që është akt, i cili obligon dhe është akt edhe që duhet të zbatohet”, ka thënë ai.

Isufi thekson se po shkelet pika tre e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku thuhet se kufijtë e Kosovës mbrohen me të gjitha mënyrat dhe mjetet.

“Nëse bazohemi në dokumentin, i cili flet për marrëveshjen e integruar, kush donë e quan të kufijve, kush donë e quan të kalimeve administrative ose pikave kalimtare, ose me shkurtesën që është përdorë në anglisht, e që nuk është përdorë teksti në anglisht i plotë, është treguar se te tri palët mund ta përdorin ashtu siç dëshirojnë, por jo ashtu siç është dhe nëse në dokumentin nuk ekziston fjala kufi, atëherë kemi të drejt të reagojmë, sepse shkelet Kushtetuta, shkelet edhe parimi mbi të cilit është menaxhimi i integruar i kufijve”, ka thënë ai.

Edhe për Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo marrëveshje ka shkelur Kushtetutën e Kosovës.

“Me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është shkel Kushtetuta e Republikë së Kosovës, i definon kufijtë e Kosovës si kufi shtetëror dhe si kufi të pacenueshëm. Kurse marrëveshjet e arritura sidomos kjo IBM për menaxhimin e integruat të kufijve, nuk thotë në mënyrë eksplicite që kemi të bëjmë me vija kufitare shtetërore, për arsye Bashkimi Evropian nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ai përkujton se në marrëveshje nuk përmendet fjala kufi shtetëror, por vetëm pikë kalime, ndonëse IBM është përdorë dhe është term standard, është përdorë vetëm si shkurtesë e jo në mënyrë eksplicite dhe sipas interpretimit të Brukselit kjo ka qenë e domosdoshme që palët të interpretojnë këtë shkurtesë, sipas nevojave të tyre politike: Serbia do ta interpretojë si kufi të brendshëm, kurse Kosova do ta interpretojë si kufi shtetëror.

“Sidomos neni 1 i Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë se Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe unik, sepse mendoj që duke e postulu sovranitetin, duke e postulu pavarësinë, duhet të postulohen edhe kufijtë shtetëror, të cilët janë të pacenueshëm dhe nëse nënshkruajmë se ne hyjmë në marrëdhënie me shtet tjera, të cilat nuk janë të natyrshme mes dy shteteve, por synojnë të gjejnë modalitete tjera mes Kosovës dhe Serbisë duke na detyruar neve që të heqim dorë diçka nga marrëveshjet normale, për shembull marrëveshja në mes Kosovës dhe Shqipërisë, marrëveshja në mes Kosovës dhe Maqedonisë, ashtu duhet të jetë marrëveshja që arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Konjufca.

Në tekstin zyrtar të BE-së propozimi i cili fillimisht është quajtur menaxhim i integruar i kufirit, më vonë i zbutur në menaxhim të integruar të vendkalimeve kufitare zyrtarisht dhe formalisht quhet menaxhim i integruar i pikave të kalimit, andaj fjala kufi më nuk qëndron në tekstin e marrëveshjes.

BE-ja ka konfirmuar se si koncept i njëjti do të implementohet gradualisht dhe praktikisht sa më parë që të jetë e mundur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›