E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këqyre veten

Isa Mustafa reagoi ndaj deklaratave të Kryeministrit Hashim Thaçi, se në kryeqytet është etabluar modeli më i keq i qeverisjes në Europë. Lideri i LDK’së akuzoi Thaçin se ka instaluar një shtet policor dhe se po qeveris si një sundimtar. Përveç akuzave të rënda , Thaçit iu bë edhe një ftesë për të vizituar Komunën e Prishtinës.

Shefi i kryeqytetit, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Hashim Thaçi, se Komuna e Prishtinës është shembulli i qeverisjes më të keqe në Europë.

Lideri i LDK’së ka thënë se qeverisja e Liderit të PDK’së, Hashim Thaçit, është e modelit diktatorial dhe e shtetit policor.

Ky reagim i Mustafës ka ardhur pas deklaratave të Kryeministrit Thaçi, i cili në një intervistë për Express tha se qeverisja në Prishtinë është e dështuar dhe se kryeqyteti është në kolaps për shkak te keqqeverisjes.

Por, Shefi i partisë më të madhe opozitare në Kosovë ka thënë se modeli i Thaçit është më i keq se i Prishtinës, pasi sipas tij, kreu i Qeverisë “ e sundon Kosovën”.

“Sunduesi dhe shteti policor asgjë nuk dallojnë nga diktatura sepse në qoftë se me çdo kusht do të vihet kontroll i plotë mbi mediat; në qoftë se me çdo kusht do të vihet kontroll i plotë mbi kompanitë publike dhe këto kompani punojnë në interes të partisë në pushtet, atëherë asgjë tjetër nuk kemi pos një diktaturë”, ka thënë Mustafa në një prononcim për KTV.

Ai ka marrë shembullin e arrestimit dhe lirimit të Hashim Rexhepit si model të “Qeverisë Thaçi”.

Duke iu kundërpërgjigjur kualifikimit të Kryeministrit se Prishtina është modeli më i keq në Europë, Lideri i LDK’së ka thënë se Hashim Thaçi s`ka njohuri për modelet e qeverisjes evropiane.

“Unë dyshoj se z. Thaci di çka është qeverisje, së paku qeverisja evropiane sepse ka shumë pak dije dhe njohuri për një qeverisje të tillë. Z. Thaçi mundet me dit çka është sundimi sepse krejt mekanizmin dhe modelin e qeverisjes së tij e ka të sundimit. Në qoftë se ky është modeli i Hashim Thaçit, Prishtina është e kundërta e këtij modeli”, ka deklaruar Mustafa.

Deklaratat e kundërshtarit politik, Lideri i LDK’së thotë se i ka parë si fjalë që vijnë nga frika se kjo qeveri do të merr fund në vitin 2012.

“Këto i thotë nga frika dhe sikleti që po e sheh se një qeverisje tmerrësisht e keqe, një qeverisje shumë e dëmshme për këtë vend po i vjen fundit dhe duhet të përfundojë sa më shpejt. Dyshoj shumë se kjo qeverisje mund të qëndrojë deri më 2013 dhe kjo qeveri mund të përfundojë vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Edhe më i drejtpërdrejtë në përgjigjen ndaj kualifikimeve të Kryeministrit është treguar deputeti i LDK’së, Arben Gashi.

“Kosova llogaritet ndër vendet më të korruptuara në rruzullin tokësor. Kjo është fatkeqësi për Kosovën dhe kjo është meritë e Hashim Thaçit dhe e Qeverisë së tij”, ka thënë Gashi për Express, të premten.

Sipas tij, akuzat e Kryeministrit për Prishtinën po bëhen për të baraspeshuar dështimet në Qeveri. Ai ka rikujtuar mënyrën se si ka ardhur në krye të Qeverisë lideri i PDK’së, duke e cilësuar si diktatoriale.

“Elementi i parë që llogaritet në qeverisjen e mirë është demokracia. Mënyra qysh ka ardhur Hashim Thaçi në pushtet është një mënyrë diktatoriale me vjedhjen e votave, abuzim me vullnetin e qytetarëve. Elementi i dytë është abuzimi dhe keqpërdorimi i fondeve publike”.

Përpos të deklaratave Liderit të LDK’së ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës. Nëpërmjet një njoftimi për media, udhëheqësit e kryeqytetit kanë kërkuar nga Kryeministri Thaçi t`i kthejë sytë kah Qeveria, të cilën e udhëheq dhe të luftojë korrupsionin.

Ndryshe, në reagimin e Komunës së Prishtinës thuhet se Qeveria e ka braktisur kryeqytetin prej vitit 2008, në kohën kur në koalicion qeveritar ka qenë edhe LDK’ja.

Megjithëkëtë, zyrtarët komunalë i kanë bërë ftesë publike Kryeministrit të vizitojë liderin e LDK’së në objektin e Komunës së Prishtinës, të cilën e udhëheq prej vitit 2007.

“Kryeministri e ka vetëm 200 metra larg Komunën e Prishtinës dhe as në mandatin e parë e as në të dytin nuk e ka vizituar atë dhe kryetarin e saj Dr. Isa Mustafa. Ne e ftojmë z. Thaçi të vizitoj Prishtinës për t’u njohur me problemet që po ballafaqohet kjo komunë në ofrimin e shërbimeve për qytetarë dhe me të arriturat gjatë këtyre viteve”, thuhet në reagim.

Dy kundërshtarët politikë, Thaçi dhe Mustafa kanë pasur disa takime kohëve të fundit, në të cilat sipas kreut të Qeverisë, është folur për veriun.

Sipas udhëheqësve të Prishtinës, Qeveria e Kosovës nuk e ka përkrahur kryeqytetin as në ndërtimin e shkollave dhe se po vazhdon të mos e procedojë Ligjin për Prishtinën.

PDK dhe LDK kanë akuzuar vazhdimisht njëra –tjetrën, pavarësisht se në muajin prill të këtij viti Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi u bënë pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit dhe tejkalimin e krizës politike.

Partia e Thaçit asnjëherë nuk ka mundur të fitojë në Komunën e Prishtinës, ndërsa në zgjedhjet e fundit ka dalë partia e tretë pas Lëvizjes Vetëvendosje.

Bashkë me reagimin ndaj Qeverisë, LDK ka reaguar edhe ndaj Vetëvendosjes, e cila ka publikuar fotografi që pasqyrojnë kryeqytetin pa rrugë të mira, me ndërtime pa leje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›