E Diel, 1 Nëntor 2026

“Marrëveshja, për një proces zgjedhor korrekt dhe përmbushje e standardeve të OSBE/ODIHR”

02-04-2011 / Gazeta 55

Astrit Patozi, kryetari i grupit të deputetëve të PD-së

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke marrë fjalën në takimin e tretë të partive parlamentare, ftoi opozitën që të nënshkruajë marrëveshjen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, duke e konsideruar këtë dokument një garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Ndonëse ekspertët e partive kryesore kishin rënë dakord për pjesën më të madhe të përmbajtjes së draft marrëveshjes, ndryshimi i kodit për komisionin hetimor pas zgjedhor ka bërë që PS dhe PBDNJ të mos hedhin firmën.
“Nuk kemi asnjë prirje për të cenuar integritetin e procesit zgjedhor përsa i përket ndryshimeve në kodin elektoral. Opozita për fat të keq nuk arrin që të kapërcejë paragjykimet apo të kapërcejë interesat e saj të ngushta që mund t’i ketë për këtë proces zgjedhor apo dhe më tej”, tha deputeti i PD-së dhe nismëtari i tryezës së forcave politike, Astrit Patozi.
Ai informoi se mosplotësimi i disa kushteve të vendosura nga PS lidhet me ato pika të marrëveshjes që cenojnë rëndë integritetin e procesit dhe bien ndesh me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Nga ana e tij përfaqësuesi i PS-së në tryezë, deputeti Damian Gjiknuri, tha se, “në mënyrë intensive kemi komunikuar me PD-në, duke insistuar për elementet me esencialë të marrëveshjes, që ka të bëjë me transparencën post-zgjedhore dhe se dhe ndonjë ndërhyrje në ligj do të ishte e nevojshme për procesin. Çdo ndryshim ligjor nuk ka të bëjë me proceset e filluara, por ka të bëjë me ndryshime që impaktin e kanë 4-5 muaj më vonë. Transparenca post zgjedhore ka qenë një ndër kërkesat tona kryesore. Jemi ‘pro’ zbatimit të kodit, por nuk mund të nënshkruajmë një marrëveshje që nuk adreson themelin e kërkesave tona”.
Ndërkaq, Patozi tha se ky draft ka vullnetin e mirë të përfshijë kërkesat, por jo kushtet e PS-së.
“Të gjitha partitë parlamentare e kanë draftin final për të cilën është rënë dakord, dhe duhet të arrihet një marrëveshje për zgjedhje të lira dhe të ndershme në datën 8 maj, e cila të garantojë një fushatë qytetare brenda çdo kodi etike”, tha ai.
Megjithatë mazhoranca i jep kohë opozitës të firmosë deri një muaj para zgjedhjeve, pra, para hapjes zyrtare të fushatës. Në marrëveshje, palët bien dakord që menjëherë pas 8 majit të ngrihet komisioni reformës zgjedhore i cili do të hetojë gjithashtu zgjedhjet vendore. Por çdo propozim për hetim ose ndryshim kodi i bërë në të, do të kalojë në votë vetëm pas shprehjes së ODIHR dhe komisionit të Venecias.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›