Partitë e mazhorancës nënshkruajnë marrëveshjen zgjedhore, PS vetëpërjashtohet

Opozita ka refuzuar të hedhë firmën e saj në marrëveshjen që do të shprehte angazhimin e forcave politike parlamentare për të ndikuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. PS e PBDNJ refuzuan kështu edhe pjesën dërrmuese të kërkesave të tyre si ajo për transparencën e listës së zgjedhësve, përfshirë nga mazhoranca në draft-marrëveshjen finale të saj. Opozita e përfaqësuar në tryezë vetëm me Damian Gjiknurin, sipas parimit “O të gjitha, o asgjë”, ka qëndruar kushtit të saj kryesor për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për transparencën pas-zgjedhore, në kundërshtim me qëndrimin e partnerëve ndërkombëtare dhe OSBE/ODIHR-it.
Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe ajo për Drejtësi, Integrim dhe Unitet; firmosën marrëveshjen, e cila parashikon mosndërhyrjen e në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve të 8 Majit, ndërkohë që OSBE/ODIHR e ka cilësuar Kodin Zgjedhor si një bazë të detajuar teknike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Por sipas rekomandimit të kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë, në ditën e parë të tryezës, mazhoranca angazhohet në këtë marrëveshje për ngritje të komisionit për reformën zgjedhore, i cili do të hulumtojë, shqyrtojë, analizojë dhe propozojë zgjidhje për problemet e identifikuara dhe rekomandimet e bëra në raportin e 2009-ës dhe në atë për zgjedhjet e 8 majit 2001, me qëllim e përmirësimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet e vitit 2013. Në marrëveshje përfshihet kërkesa për transparencën e listave të zgjedhësve dhe i bëhet thirrje KQZ-së për të funksionuar si kolegjialitet e të miratojë sa më parë rregulloren për funksionimin e saj. Po ashtu, i kërkohet KQZ që në përputhje me kodin zgjedhor të marrë masat për optimizmin e kapaciteteve numërues, përcaktimin dhe përgatitjen e fletëve të votimit, si dhe shmangien në maksimum të vendosjes së qendrave të votimit në ambiente private. Tryeza e parë u mblodh më 29 mars, ku demokratët ofruan marrëveshje me 15 pika ku ndër të tjera kërkonin angazhimin e forcave politike për një fushatë dhe proces zgjedhor të qetë, dhe qëndrimin në detyrë të anëtarëve të komisioneve zgjedhore ditën e zgjedhjeve e periudhën pas-zgjedhore.