Rama: Mbështetja masive për PS më 11 maj për të mos e humbur trenin e anëtarësimit në BE

TIRANË, 6 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste theksoi sot rëndësinë e fitores masive të PS-së në zgjedhjet e 11 majit që vendi të arrijë në stacionin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një takim me skuadrën e të rinjve të PS-së Tiranë, Rama u shpreh se “nuk ka ardhur akoma koha kur raporti ynë me Bashkimin Europian të jetë i pavarur nga kush qeveris”.
“Ajo kohë vjen kur ne bëhemi anëtar në BE. Për sa kohë ne nuk jemi anëtarë ka shumë rëndësi se kush qeveris. Në Shqipëri është bërë një investim shumë i madh në këto vite që ne të kemi këtë partneritet, respekt reciprok dhe besim tek Shqipëria. Çdo lloj lëkundje dhe tangoje me Kujtim Gjuzin do të krijonte një lëkundje të përgjithshme dhe më besoni, Kujtim Gjuzi është lulja më e bukur në atë buqetë”, tha Rama.
Rama theksoi se çdo parafytyrim i një lëkundje është katastrofik për vendin tonë.
“Një mbështetje masive për PS-në, për qeverinë është më shumë se sa mbështetje për ne, por për të mos e humbur trenin e historisë dhe për të arritur në stacion. Që ne të hyjmë në BE duhet të mbyllim negociatat. Në këtë moment kemi mbyllur punë, pastaj është koha e ratifikimeve, por kjo është çështje tjetër, jo më një problem që mund të kthehet në instrument për lloj-lloj axhendash të lloj-lloj lojtarëve”, shtoi Rama.
1 nga 4