Marrëveshja për targat, EULEX: E vlefshme edhe për veriun

Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviç, u shpreh se marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për lirinë e lëvizjes vlen për tërë Kosovën dhe se veriu nuk bën përjashtim, siç ka thënë kreu i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviç.
“Në marrëveshjen për liri të lëvizjes, paragrafi i shtatë, thuhet se të gjithë pronarët e automjeteve, me vendbanim në Kosovë, do të përdorin targat RKS ose KS. Të dyja palët janë pajtuar me këto kushte”, ka thënë Gudeleviç.
Stefanoviç ka deklaruar se marrëveshja nuk përfshin serbët e veriut.
Serbët e Kosovës prej 1 qershorit janë të obliguar që në automjetet e tyre të bartin targat e Kosovës dhe këtë vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se e mbështet edhe misioni evropian për sundimin e ligjit - EULEX.
Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për liri të lëvizjes më 2 korrik të vitit të kaluar.