E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja, u hap rrugë

Marrëveshja për përfaqësimin rajonal nuk e dëmton sovranitetin e Kosovës. Rezoluta 1244 do të hyjë në histori si një lëmsh i pakuptimtë ligjor. Shtetet nuk do ta bazojnë njohjen e pavarësisë në këtë marrëveshje, por në interesat e tyre. Ujdia e arritur në Bruksel shton shanset që Kosova një ditë të anëtarësohet në BE. Serbia do t’i implementojë marrëveshjet, në të kundërtën ajo bllokon rrugën e saj europiane. Ambasadori amerikan, Frank Wisner flet për Express.

Express: Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal. Formula përmban Rezolutën 1244 dhe Opinionin e GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë. A e dëmton kjo marrëveshje shtetësinë e Kosovës?

Wisner: Absolutisht jo. Nuk ka asgjë në marrëveshje që dëmton sovranitetin e Kosovës, shprehjen e pavarësisë, asgjë që komprometon të ardhmen. Përkundrazi, marrëveshja e bën të mundur që Kosova të jetë e pranishme dhe të marrë pjesë në diskutime që kanë të bëjnë me të ardhmen e Ballkanit dhe Europë si dhe do të ndihmojë në definimin e rolit të Kosovës në këto rajone. Është marrëveshje e rëndësishme dhe vitale për të ardhmen e Kosovës.

Express: Ka argumentime se kjo formulë mund të ndikojë negativisht në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Si e shihni ju këtë?

Wisner: Unë personalisht nuk e besoj atë argument. Unë besoj se ky lëmsh i pakuptimtë ligjor i Rezolutës 1244 dhe Mendimit të GJND-së do të hyjnë në histori pa e marrë vesh në fakt askush se për çfarë janë. Njerëzit do të vendosin nëse do ta njohin apo jo Kosovën bazuar në interesat e tyre nacionale, dhe sipas perceptimit të tyre të çështjeve në fjalë. Pra, kjo nuk do të luajë kurrfarë roli.

Express: Dihet që marrëveshja afekton Kosovën dhe Serbinë në aspektin rajonal dhe në raport me BE’në. A mund të presim ndonjë ndryshim në pozicionet e Rusisë dhe të Kinës pas kësaj marrëveshjeje dhe në çfarë drejtimi?

Wisner: Për të njëjtat arsye nuk besoj se do të ketë ndikim negativ, por nuk mendoj gjithashtu se do të ketë ndikim pozitiv. Shtetet vendosin rreth çështjes së njohjes bazuar në perceptimet e interesave nacionale. Ato nuk e bëjnë këtë duke u bazuar në ndonjë zhargon ligjor. Tash, në këtë rast, nëse thjesht e shohim çështjen e përfshirjes së Kosovës në diskutimet rajonale, dhe atë çfarë ndodhi më 24 shkurt. Ajo që ndodhi më 24 shkurt është se Kosova ka ecur drejt një niveli shumë më të lartë të bashkëpunimit me BE’në, në mënyrë që të avancohet prospekti i Kosovës që një ditë të jetë pjesë e BE’së, t’i sigurohet qytetarëve të asaj lëvizje të lirë pa viza, gjë që tash është në rrugë e sipër si pasojë e kësaj, dhe së treti, në bashkëpunim dhe me pjesëmarrje të BE’së, të menaxhohet çështja e ndërlikuar e kufirit me Serbinë. Nëse i vini të gjitha këto së bashku, ka qenë një ditë e mirë për Kosovën.

Express: Ju duket kjo një marrëveshje mirë e menduar, apo një eksperiment që në fund mund të dështojë pasi ka shtete kundërshtare edhe brenda BE’së, të cilat mund ta stopojnë rrugën europiane të Kosovës.

Wisner:Mendoj se këto janë dy pyetje të ndryshme. A do ta ndryshojnë mendjen pesë shtetet e BE’së? Mendoj se kjo varet prapë nga ajo që secila prej tyre e konsideron interes të vetin. Spanjollët i kanë arsyet e veta, sllovakët i kanë arsyet e veta, rumunët i kanë arsyet e tyre, pra secila prej tyre i ka arsyet e veta. Nëse arsyet e tyre do të ndryshojnë apo jo nuk ka të bëjë aspak me atë që ka ndodhur dje. Por, ajo që tregon kjo

është se kur BE’ja është ulur me Kosovën për të bërë marrëveshjen, Kosova është treguar si qytetare e mirë në familjen e BE’së. Pra, kjo i përmirëson gjasat e Kosovës në procesin që një ditë do të çojë drejt anëtarësimit të Kosovës në familjen europiane. Ky është lajmi i madh, kjo është pyetja e rëndësishme. Kosova është në rrugë, është rrugë e gjatë dhe e ndërlikuar, por Kosova është në rrugë të anëtarësimit në BE, edhe pse kjo do të marrë kohë.

Express: Në skenën politike të Kosovës pati kundërshtime ndaj zgjidhjes që u bë me argumentimet se Kosova hoqi dorë nga Republika që e kishte shpallur katër vjet më parë. Si i vlerësoni ju këto dhe a mendoni se edhe kësaj here, kosovarët do të duhej ta merrnin këtë vendim duke pasur një ekip uniteti.

Wisner: Kjo është pak e vështirë për mua që ta komentoj. Ju i keni proceset tuaja kushtetuese. Ekipi i Unitetit ka ekzistuar në një kohë tjetër, në një epokë kur nuk keni pasur Qeveri të zgjedhur me institucionet të cilat tash janë të konsoliduara. Këto janë vendime shumë të rëndësishme, dhe të tilla do të vijnë më shumë në të ardhmen. Përpjekjet që të krijohet konsensus nacional janë ide e mirë, por nuk mendoj se modeli i njëjtë i Ekipit të Unitetit, i cili ka ekzistuar në një kohë tjetër, për arsye të tjera mund të funksionojë sot.

Express: A kanë bërë mjaft shtetet sponsore të pavarësisë deri më tani që procesin e njohjes ta çojnë përpara për ta legjitimuar më shumë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Wisner: Mendoj se shtetësia Kosovës është legjitimuar dhe nuk ka nevojë askush që ta vërë këtë në pikëpyetje. Kosova e ka deklaruar pavarësinë, Gjykata Ndërkombëtare ka thënë se kjo deklaratë është në pajtim të plotë me ligjin ndërkombëtar. Kosova ka hapur ambasada, ajo ka marrë mbi 80 njohje, më shumë do të vijnë me kohë. Çështja e pavarësisë është siguruar. Kjo nuk është më çështje. Çështje është se ku shkoni me këtë pavarësi, si t’i arrini ambiciet tuaja nacionale, si të forconi ekonominë, si t’i jepni shpresë popullatës tuaj të re. Kjo është për ku jeni drejtuar, drejt një asociimi më të ngushtë me Evropën, gjë që do të forcojë prospektin e Kosovës në të ardhmen. Për këtë arsye mendoj se ngjarjet e një dite më parë kanë qenë të mira për Kosovën dhe të mira për tërë rajonin.

Express: A mendoni se Serbia do t’i zbatojë këto marrëveshje.

Wisner: Çështja nëse Kosova do të marrë pjesë në marrëveshje ndërkombëtare, është çështje ndërkombëtare. Dhe Serbia duhet t’iu përmbahet këtyre, ajo nuk mund t’i bllokojë më këto. Mendoj se Serbia do t’i pranojë këto zhvillime dhe jam i sigurt se nëse Serbia nuk dëshiron të bllokojë rrugën e saj, do ta mbajë fjalën. Së dyti, sa i përket menaxhimit të kufijve, mendoj se Serbia ka shumë përparësi që të mbajë fjalën e saj në këtë aspekt. Pra, nëse çështja e kufirit problematizohet, në të njëjtën mënyrë do të problematizohet edhe kandidatura e Serbisë për BE. Pra, ka incentiva për Serbinë që të respektojë marrëveshjet që janë arritur, që të jetë partner bashkëpunues me BE’në. Unë dëshiroj që ta shoh Serbinë në BE, por tash ka edhe më shumë arsye që Serbia të punojë më shumë për t’u dëshmuar si qytetar i mirë i BE’së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›